Fatos Lubonja nuk ka nguruar ta etiketojë prokuroren e përkohëshme Arta Marku si një kamakize që po i shërben interesave të çiftit Edi Rama Donald Lu. Sipas tij ajo po bën gati të hedhë në det rrjetën që do të kapë “Peshqit e mëdhenj” që do të justifikojnë objektivat e shpalluar nga kryeministri dhe ambasadori amerikan. Në gazetën “Panorama”, Lubonja shkruan se Rama interesohet për “suksesin” e reformës në drejtësi për ta përdorur atë si justifikim se gjërat që nuk kanë ecur deri më tani i kanë penguar të liqtë e infiltruar në sistemin e drejtësisë.
Ndërsa për ambasadorin amerikan që analisti e shikon si një diplomat të lidhur me lobet pro Ramës në amerikë dhe me ndonjë hall me drejtësinë shqiptare si në rastin e “Bankers Petrolium”, ai mendon se bën pjesë në aradhën e madhe të një grupi ndërkombëtarësh të cilët duan të justifikojnë fondet e shpenzuara në një vend si Shqipëria duke thënë: ja më në fund e kryem reformën në drejtësi në këtë vend të vështirë.
Dhe me një figurë imagjinare Lubonja e ka përshkruar tepër ironikisht fundin e kësaj fabule. Rrjeta e hedhur nga Arta Marku do të kapë më në fund dy peshq të mëdhenj, ata do të fotografohen dhe në fund e gjithë bota perendimore do të thërrasë: “bravo Shqipëria, bravo Rama, Bravo Lu”.