Aktualitet

Kush e spiunonte Kadarenë?


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 10:55 - 10/11/15 |
b.f

TIRANE- Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-se, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, të papublikuara më pare. Gazetari dhe studiuesi Dashnor Kaloçi, një njeri skrupuloz i arkivave dhe ngjarjeve të faktuara përmes dokumenteve, vjen së fundi me botimin “Kadare i denoncuar”, botim i UET Press. Në intervistën dhënë për gazetën “Mapo”, Kaloçi ndalet jo vetëm në fakte nga dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, por sjell dhe interpretimin e tij mbi to, si fryt i punës 25-vjeçare të tij. Siç vlerësohet nga titulli, libri bën fjalë për shkrimtarin Ismail Kadare, ku përmes dokumenteve dhe ato “top secrete”, del se ka qenë disa herë i denoncuar. Këto përfshijnë një hark kohor relativisht të gjatë nisur prej vitit 1962 deri më 1982, që përkojnë me dokumentin e parë me të cilin hapet libri dhe atë të fundit, mbylljen në vitin ‘82. Një libër voluminoz me dokumente që dalin për herë të parë nga arkivat dhe jep një panoramë të funksionimit të shërbimit sekret, ku jo të gjitha i takojnë ekskluzivisht Kadaresë. Në pjesën e parë të intervistës së gjatë me Kaloçin, shpjegohet procesi si nisi libri, dhe puna me trajtimin e dokumenteve denoncuese ndaj shkrimtarit Ismail Kadare, 31 dokumente të panjohura për publikun.

Zoti Kaloçi, si fillim deshëm t’ju falënderojmë që zgjodhët gazetën “MAPO” për të dhënë këtë intervistë të parë për librin tuaj të ri, “Kadare i denoncuar”. Libri që i jepet publikut këto ditë, mëton të përcjellë një interes të madh, lidhur me faktet dhe interpretimin tuaj, fryt i një pune gati 25-vjeçare. Një kuriozitet: Pse zgjodhët UET-në?!

Faleminderit për fjalët tuaja të mira. Dua të jem i sinqertë: kisha kënaqësi por njëkohësisht detyrim ndaj UET Press, që është botues i këtij libri, por edhe sepse më ka mbështetur në disa projekte që kam realizuar më parë, të cilat kanë pasur realisht impakt, por kanë treguar dhe interesin e vërtetë të institucionit tuaj për memorien e së shkuarës.

Titulli i librit tuaj duket shumë sfidues. Por, a mendoni se “Kadare i denoncuar” do e justifikojë këtë togfjalësh?!

Libri titullohet “Kadare i denoncuar” dhe ky përbën titullin e madh në kopertinën ballore, ndërsa më poshtë (po në ballinë) me germa më të vogla shkruhet për të cilësuar të vërtetën e tij: ‘Dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror te PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes Shkrimtarëve e Artistëve; analiza, kritika, dëshmi, raporte, relacione, akuza, sulme e denoncime ndaj shkrimtarit Ismail Kadare”, të gjitha të papublikuara më parë…

Pra, nisur nga këto, është vënë edhe titulli i librit, pasi në përgjithësi tek dokumentet që janë pasqyruar, Kadare del se ka qenë disa herë i denoncuar. Pra me pak fjalë, titulli është vënë në varësi të gjithë lëndës që ka libri dhe jo për komercializëm, apo me ndonjë kuptim tjetër që mund të merret dhe që është bërë shpesh mënyrë abuzimi. E veçanta është se secili dokument nuk jepet thjesht, por ai pranë ka shpjegime; analiza të kujdesshme, mbështetur në lexime dhe sinteza; dhe komente të bëra nga ana ime, në mënyrë që lexuesi ta ketë më të lehtë për t’i kuptuar”.

A mund t’ju pyesim se cilës periudhë kohore i përkasin këto dokumente arkivore dhe ai i dedikohen të gjitha ato ekskluzivisht Kadaresë?

Dokumentet që janë përfshirë në këtë libër i përkasin periudhës kohore nga viti 1962 deri në vitin 1982. Pra një periudhe kohe që përfshin një periudhë plot njëzetvjeçare. Që do të thotë se dokumenti i parë me të cilin hapet dhe libri është i vitit 1962 dhe dokumenti i fundit me të cilin mbyllet i përket vitit 1982.

Nëse do t’ju pyesnim teknikisht: Sa faqe përmbledh libri dhe sa dokumente arkivore janë përfshirë në këtë libër studimor?

Libri është voluminoz dhe mund të dalë diku te 500 faqe, pasi aty janë përfshirë gjithsej 32 dokumente arkivore, ku vetëm njëri është i njohur, ndërsa 31 dokumente të tjerë, siç e thashë më sipër, do të publikohen për herë të parë. Dokumenti që bën përjashtim në këtë libër, pra ai që është pak a shumë i njohur, është dokumenti që kam renditur në fund të librit dhe ai është botuar tek “Gazeta Shqiptare” në datat 3 dhe 4 qershor 2015, në rubrikën Dossier të asaj gazete. Bëhet fjalë pra, për një dokument arkivor të nxjerrë nga arshiva e ish-Sigurimit të Shtetit, (Arkivi i Ministrisë së Brendshme), që i përket vitit 1978 dhe aty është një listë emrash me 315 persona, që ndiqeshin apo survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Me një llogari të thjeshtë i bie se ata 315 persona, pothuaj të gjithë personazhe të njohur intelektualë nga kryeqyteti, që vinin nga bota e artit, kulturës, letërsisë etj., përndiqeshin nga Sigurimi i Shtetit. Apo siç thuhet me gjuhën teknike të shërbimeve sekrete të asaj kohe, përpunoheshin nga Sigurimi, gjë e cila është e shkruar qartë e saktë në atë dokument, pasi për çdo grup personash, në atë listë, sipër tyre është e shënuar edhe shkalla e rrezikshmërisë si dhe mënyra se si ndiqej e survejohej nga Sigurimi. Si p.sh., dosje “2B”, “Persona që i përkasin grupimeve kundërrevolucionare”, “2A”. “Përpunim paraprak”, etj., etj. Nuk po zgjatem më shumë, pasi ai dokument siç thamë është i njohur tashmë, por e kam përfshirë në libër, pasi aty figuron edhe emri i znj. Helena Kadare, si e ndjekur dhe e survejuar nga Sigurimi.

Më parë, na thatë se ishin edhe 31 dokumente të tjera të panjohura deri më sot. Por, a janë ekskluzivisht për Kadarenë?

Jo, nuk janë të gjithë ekskluzivisht për Kadarenë, por dua të theksoj se disa prej tyre janë ekskluzive për Kadarenë. Por e gjithë pjesa tjetër e dokumenteve, anipse ajo që përbën dhe pjesën kryesore dhe më të madhe të librit, janë dokumente ku flitet shumë për Kadarenë, pastaj më pak për Kadarenë, apo dhe për Kadarenë. Që do të thotë se figura e shkrimtarit Ismail Kadare, apo personaliteti i tij, është pjesë integrale e atyre dokumenteve dhe kjo gjë në varësi të punës e profesionit të tij si shkrimtar, apo rrethanave të kohës e ngjarjeve të ndryshme të natyrës letrare, artistike, kulturore, ku është gjendur ai, pa përjashtuar situatat politike që ka kaluar Shqipëria. Lidhur me pyetjen tuaj: këtu është vendi të sqaroj shkurtimisht atë që prekëm pak më lart, pra titullin e librit. Si version të parë për titullin e këtij libri, kam menduar: ‘Kadare në dokumentet sekrete të Sigurimit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së’. Dhe, në varësi të kësaj, unë kam pasqyruar në libër çdo dokument ku flitej për Kadarenë, duke i dhënë të plota dhe pa asnjë lloj shkurtimi, ato dokumente ku flitej për të. Por në momentin e parë që u takova me Henrin (duhet të ketë qenë nga java e dytë e tetorit), dhe po diskutonim për të saktësuar elementët e botimit të këtij libri, ai më pyeti: ‘Çfarë ka libri?’ Dhe unë fjalët e para i thashë; denoncime?! Pa mbaruar mirë fjalën për t’i dhënë shpjegimet e tjera, Henri konkludoi: “Ohh po, shumë bukur, titulli mund të jetë fare mirë: ‘Kadare i denoncuar’”. Dhe me kaq e mbyllëm bisedën për titullin, gjë me të cilën unë u pajtova menjëherë se mu duk i goditur. Pra të themi: unë ndërrova titullin për shkak të përmbajtjes së librit, dhe jo përmbajtjen e librit për shkak të titullit!

Çfarë përmbajnë saktësisht këto dokumente dhe cila është arsyeja e vërtetë se përse ato ndodhen në Arkivin Qendror të Shtetit?

Po e filloj shpjegimin nga fundi i pyetjes suaj për të dalë në fillim. Këto dokumente janë pjesë e Arkivit Qendror të Shtetit, pasi pranë atij institucioni qendror, ndodhet dhe i gjithë arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së. Dhe të gjitha këto dokumente që ne kemi konsultuar dhe kemi pasqyruar në libër, janë pjesë e fondit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, pasi janë dërguar në adresë të atij aparati funksional. Po mundohem të shpjegohem pak më qartë: Të 31 dokumentet që janë pasqyruar në libër, janë raporte, informacione, dëshmi, letra, relacione, kërkesa, proces-verbale, korrespodencë e karakterit zyrtar ndërmjet institucioneve shtetërore të asaj kohe, si dhe tema, raporte, biseda të mbajtura në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, proces-verbale të mbledhjeve të saj, etj., etj. Dhe të gjitha këto që përmenda, kanë të njëjtën destinacion ku adresohen: Komitetin Qendror të PPSH-së, funksionarët e lartë të saj, anëtarët e Byrosë Politike e udhëheqësit më të lartë, duke filluar nga Manush Myftiu, Ramiz Alia, Mehmet Shehut dhe personalisht Enver Hoxhës. Një pjesë e dokumenteve janë të sektorit të arsim-kulturës pranë Komitetit Qendror, i cili mbulonte edhe Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, dhe instruktorët përkatës të këtij sektori, për çdo punë apo problem të tyre, informojnë eprorët e tyre në Komitetin Qendror të PPSH-së. Dhe kjo sipas specifikës së problemit apo punës e sektorit përkatës që mbulonin sekretarët e Komitetit Qendror si, Ramiz Alia, Hysni Kapo, Hekuran Isai etj..

Nga kush dërgohen këto raporte, informacione etj., që përmendët, dhe pse në titullin e kopertinës shkruhet se janë edhe dokumente te Sigurimit të Shtetit?

Një pjesë e madhe e këtyre informacioneve, raporteve, relacioneve që i adresohen Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht udhëheqjes më të lartë të asaj kohe që ju përmenda më lart, janë dokumente zyrtare të hartuara në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pranë drejtorive respektive dhe të veçanta të saj, që ishin pjesë përbërëse e Sigurimit të Shtetit. Dhe ato mbajnë firmat e krerëve apo funksionarëve më të lartë të atij dikasteri, si ministri Kadri Hazbiu, dhe zëvendësit e tij, (zv / ministrat) Feçor Shehu, Rexhep Kolli, Raqi Iftica, etj. Pra, këto janë dokumente “safi” të Sigurimit të Shtetit, pasi këta ishin drejtuesit kryesor të atij shërbimi sekret.

-Kadri Hazbiu, thirrje për të denoncuar Kadarenë personalisht tek Enveri

Pak më lart u shprehët se, një pjesë e këtyre letrave i dërgohen personalisht Enver Hoxhës! A jeni hasur përveç këtyre materialeve që përmendët të Sigurimit të Shtetit, në letra dhe informacione me përmbajtje të tjera që i dërgohen Enver Hoxhës, dhe çfarë përmbajnë në të vërtetë ato?

Në parantezë, desha t’ju sqaroj se: jo vetëm këto letra zyrtare që i dërgohen personalisht Enver Hoxhës, por edhe pjesa më e madhe e këtyre relacioneve, informacioneve, raporteve, apo gjithçka tjetër që përmbajnë 31 dokumentet e pasqyruara në libër, janë parë edhe nga Enver Hoxha. Dhe kjo duket qartë edhe nga shënimet që ndodhen në krye të çdo dosje, ku në fund të inventarit se çfarë përmban ajo dosje, shkruhet: ‘Në fletën kaq e aq, ka shënime të shokut Enver’. Shënime të cilat duken qartë me shkrimin e tij dhe të shkruara mbi letrat që i janë dërguar atij, në pjesën e kokës së dokumentit, pjerrtazi. Po kështu ka dokumente ku nuk ka vënë shënim Enveri, por ka shënim tjetër, ku thuhet: ‘U pa nga shoku Enver’, apo ‘U pa edhe nga shoku Enver’. Dhe këto shënime janë bërë kryesisht nga shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Ilo Kodra.

Kjo mund të konsiderohet si ana teknike apo procedurale e këtyre dokumenteve?! Të ndalemi pak më konkretisht tek përmbajtja e tyre, pasi kjo është dhe esenca e gjithçkaje që po flasim. Pra, çfarë përmbajnë ato letra, nga cilët njerëz i janë dërguar Enver Hoxhës dhe çfarë lidhje kanë ato personalisht me Kadarenë? Po ju drejtohemi me këtë pyetje, që lind natyrshëm nisur nga ajo që shprehët më lart, që e keni edhe të shkruar në kopertinën e librit, për; sulme, akuza, denoncime, kërcënime, etj., ndaj shkrimtarit Ismail Kadare…A mund të ndalemi pikërisht te përmbajtja e tyre?

Ju falënderoj, pasi kjo është dhe pjesa më e nxehtë e më delikate e gjithë librit dhe njëkohësisht arsyeja kryesore përse janë përfshirë ato dokumente si pjesë e lëndës së tij. Natyrisht pa harruar apo përjashtuar detyrën kryesore, atë të nxjerrjes në dritë, apo më saktë tentativës për të ndriçuar e zbardhur disa ngjarje, episode, probleme, enigma, personazhe etj., etj, të gjitha këto në funksion, apo në lidhje me shkrimtarin Ismail Kadare, që është dhe personazhi, apo të themi më saktë; boshti kryesor dhe objekti i librit në fjalë.

Letrat që i dërgohen Enverit i përkasin vitit 1969 dhe vazhdojnë më tej deri në vitin 1982, që është dhe pjesa shteruese e dokumenteve, ndërsa pas këtij viti nuk kemi më dokumente në libër. Dhe kjo gjë është e kushtëzuar, pasi nga viti 1983 e në vazhdim, dokumentet dhe dosjet arkivore nuk janë ende të këshillueshme për publikun e studiuesit e interesuar, sepse nuk janë të skeduara. Ky është një problem tjetër, por edhe pse unë kam “alibi’, gjithsesi për çështjen apo temën që diskutojmë, lë vend për aludime apo hipoteza nga më të ndryshmet.

Po e filloj nga fundi, nga viti 1982, për të dalë në fillim tek viti 1969, pasi sipas meje, apo në këndvështrimin tim të optikës së ngjarjeve, letra e vitit 1969, jo vetëm që është mjaft interesante, por mendoj se hedh dritë mbi një ngjarje të shumëpërfolur, ku shpesh objekt i kritikave apo sulmeve të ashpra lidhur me rrjedhojat e saj, ka qenë personalisht z. Kadare. Një letër në adresë të Enver Hoxhës, është shkruar nga dhëndri i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut, në tetorin e vitit 1982, pak ditë pasi ishte arrestuar njeriu që e kishte mbajtur plot 27 vjet atë detyrë. Dhe ai i rrëfehet aty Enver Hoxhës për mjaft probleme, por më kryesoret janë ato që kanë të bëjnë me Kadarenë. Ku për hir të së vërtetës, duhet thënë, se akuzat janë tepër të rënda?!”

Nëse e shikoni të arsyeshme, pa hequr kureshtjet që lidhen me librin, a mund të na e zbuloni për çfarë akuzash bëhet fjalë?

Patjetër. Një nga njerëzit e afërt të Kadri Hazbiut (dhëndëri) i bën me dije Enverit, se në një nga mbledhjet e organizatës bazë të partisë ku ai punonte, (redaktor te revista “Shqipëria e Re”, që nxirrte Komiteti për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme), kolegët e punës ngritën problemin, se: si ishte e mundur që Ismail Kadare, lejohej të shkonte vetëm jashtë shtetit, (udhëtimet në Francë për kontraktimin e “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), në një kohë që ajo gjë nuk lejohej në mënyrë kategorike për askënd tjetër. Dhe pasi nuk po e zgjidhnin dot këtë gjë , apo më saktë nuk po gjenin fajtorin që e kishte lejuar Kadarenë të dilte vetëm jashtë shtetit, dhëndëri i Kadriut, ia ngre këtë shqetësim në shtëpi, vjehrrit të tij. Dhe Kadriu i është përgjigjur, se atë çështje, ngrijani zyrtarisht ish-Ministrit të Jashtëm, Nesti Nases. Duke iu bazuar letrës, dhëndri i Kadriut i bën me dije Enverit, se atë çështje ja ka ngritur me shkrim Nesti Nases, por nuk ka marrë asnjë përgjigje prej tij. Pra, me anë të atij denoncimi, në rastin më të mirë, aludohej se Ismail Kadare, kishte lidhje me Nesti Nasen, që ishte i arrestuar si “armik i popullit” dhe ndodhej në hetuesi, ndërsa në rastin më të keq, ajo linte vend për shumë aludime dhe ishte një akuzë e hapur ndaj Kadaresë, për ta implikuar atë me Nesti Nasen dhe të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”. Ndërsa pak më poshtë në atë letër, dhëndri i Hazbiut, i bënë me dije Enverit, se njëherë kur në shtëpinë e tyre, djali dhe vajza e Kadriut, i kishin thënë të atit se Ismail Kadare si shkrimtar, ka shumë të meta ideore në veprat e tij, Kadriu, tepër i inatosur ju kishte bërtitur: “Mos u merrni me thashetheme, ja ku e keni partinë, ja ku e keni shtypin, uluni dhe shkruani”?! Pra me një fjalë, Kadriu ju kishte bërë thirrje fëmijëve të tij, që ta denonconin me shkrim Kadarenë tek partia, nënkupto tek Enveri. Dhe të gjitha këto, dhëndri i Kadriut, ia shkruante Enverit, në një kohë që vjehërri i tij ishte i arrestuar në hetuesi. Pra, në një farë mënyre, ai po i dërgonte tek Enveri një amanet apo një kumt me shumë rëndësi të Kadri Hazbiut. Dhe i gjithë ky makinacion apo intrigë, bëhej në funksion të implikimit të Kadaresë me Ministrin e jashtëm të sapo-arrestuar, Nesti Nasen, që sipas akuzave apo informacioneve zyrtare, ai ishte pjesë e atij “Grupi armiqësor”, të kryesuar nga Mehmet Shehu, me djalin e të cilit, Bashkimin, familja Kadare kishte miqësi të ngushtë.

Publiku do të jetë shumë kurioz për letrën e vitit 1969, në adresë të Enver Hoxhës. Të themi se është shumë herët, kur Kadare sapo nis udhën drejt famës. Po pse letra ka mjaft interes, e kujt është dhe çfarë përmban në të vërtetë?

“Letra e vitit 1969 është e Bilal Xhaferrit, gazetarit dhe shkrimtarit, i cili në vitin 1967, në diskutimin krijues në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në Tiranë, u ngrit dhe kritikoi ashpër Kadarenë. Dhe pas kësaj, Fadil Paçrami, sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, u ngrit menjëherë dhe i kërkoi Bilalit të dilte jashtë, duke i kujtuar se: ‘partia i kishte pushkatuar babanë si armik të popullit’! Kjo histori tashmë është shumë e njohur dhe mjaft e përfolur në shtyp e gjithë median në përgjithësi, ku jo pak e akuzojnë Kadarenë se për shkak të tij, Bilal Xhaferri u persekutua dhe u detyrua të arratisej nga Shqipëria. Por ajo që nuk dihet dhe nuk është folur kurrë më parë për këtë, është letra që Bilal Xhaferri, me shkrimin e vet, ja ka dërguar Enver Hoxhës, ku denoncon rëndë Kadarenë me akuza nga më të ndryshmet. Dhe në këtë dosje, janë edhe tre-katër dokumente të tjera që bëjnë fjalë po për këtë ngjarje, të cilat gjithashtu janë me mjaft interes, pasi mendoj se hedhin dritë mbi gjithë historinë e Bilal Xhaferrit dhe atë që ndodhi me të pas asaj që njihet si “përplasja me Kadarenë”! Por që duhet thënë se në fakt, nuk ka qenë një përplasje, sepse sipas dokumenteve arkivore dhe atyre që kanë qenë në atë sallë, Kadare nuk ka reaguar fare pas kritikave të Bilal Xhaferrit.

*Intervista është botuar nga gazeta “Mapo”

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas