Kalaja e Fushës, ajo në Bashtovë, pjesë e bashkisë Rrogozhinë, është nga më të vizituarat në hartën turistike shqiptare.
Për shkak të lehtësisë për të arritur aty pas rregullimit të infrastrukturës rrugore, turistë të shumtë këtu kanë një ndalesë të sigurt.
Së fundmi kjo kalë ka përfunduar rikonstruksionin dhe së shpejti do të çelet me një tjetër risi, ndërtimin e një stacioni informimi për çdo turist.
“Kalaja e Vilbashtovës pas dy vjet e gjysmë ka përfunduar tërësisht rikonstruksionin e saj, pavarësisht punimeve të kryera ndër vite, turistë të shumtë e kanë vizituar këtë kalë fushore për veçantinë e saj. Ajo që ndërtohet për herë të parë, veç restaurimit, është dhe një objekt ku turistët kanë mundësi të marrin informacion historik rreth kalasë së Vilbashtovës, por edhe të qëndrojnë për të marrë një kafe”, raporton gazetarja Anila Sefa.
Çifti gjerman Christian Lorson dhe Jessica Lorson kanë ardhur familjarisht me dy djemtë e vegjël për të parë Shqipërinë.
Kur u nisën kishin lexuar për vendin tonë, por kurrë nuk e kishin menduar se do të gjenin një popull kaq mikpritës dhe vend kaq të bukur. Në kalanë e Vilbashtovës do të qëndrojnë disa orë e më pas do të zbresin më në jug.
“Do të qëndrojmë dy javë në Shqipëri. Kemi disa ditë që kemi ardhur, deri tani na pëlqen shumë ajo që kemi parë, ishim në Tiranë ku qëndruam një ditë të tërë, edhe nata ishte shumë e bukur, tani po shohim kalanë dhe më pas do të zbresim në jug. Njerëzit kanë qenë shumë miqësorë me ne,” tha Christian Lorson.
“Për fatin tonë të mirë, ne e kemi kthyer këtë në një atraksion turistik. Ka shumë vizitorë të huaj, pothuajse nga të gjithë vendet e Europës dhe më larg që vijnë çdo ditë dhe e vizitojnë kalanë e Bashtovës.”
Ndërtimi i qëndrës së vizitorëve përballë kalasë do të shërbej për informimin mbi historinë e zonës, si edhe një ndalesë për shplodhjen e turistëve. Sipas specialistit të punimeve, salla e pritjes, ndërtimi i trotuarëve dhe ndriçimi kanë përfunduar, pritet vetëm hapja zyrtare e saj.
“Tani jemi në fazat e fundit për trotuaret, godinën dhe shpresoj që shumë shpejt të jetë e hapur për vizitorët vendas dhe të huaj.”
“Problemi i vetëm ka ndodhur te rruga, duhet zgjeruar sepse është një kalimsh dhe ka shumë vizitorë që vijnë.”
Kalaja e Bashtovës është ndërtuar në shekullin e pesëmbëdhjetë dhe është e vetmja në Ballkan e ndërtuar në fushë.
Ajo është një kalë mesjetare e vendosur pranë derdhjes së lumit Shkumbin në pjesën qendrore të Shqipërisë. Kalaja është pjesë e tentativave për t’u përfshirë në listën e vendeve të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Klan News