Që nga ora 07:00 e deri në 23:00 të mbrëmjes do të bllokohet lëvizja e automjeteve në doganën e Kakavijës.
Mësohet se shkak është bërë greva e paralajmëruar e doganierëve grekë.
Bëhet me dije se në të dyja anët e kufirit, nuk do të ketë lëvizje të mjeteve.
Në këtë fashë orari do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, mjetet e transportit të produkteve që prishen dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore.
“Departamenti i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Policinë e Shtetit është njoftuar nga Qendra e Bashkëpunimit Policor në Kakavijë se më datë 28.02.2025, nga ora 07:00 deri në orën 23:00, punonjësit e doganës greke në PKK Kakavijë, PKK Qafë Bot – Sarandë dhe PKK Tre Urat – Përmet do të zhvillojnë grevë, dhe për këtë arsye do të pezullohet lëvizja e lirë e automjeteve.
Policia Kufitare e Janinës ka sqaruar se gjatë kësaj periudhe do të lejohen vetëm këmbësorët pa bagazhe dhe rastet emergjente shëndetësore (ambulancat)”, njofton policia.
Nisur nga kjo situatë, Policia Kufitare apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt Greqisë, të gjejnë alternativa të tjera për të udhëtuar dhe të shmangin grumbullimin në pikat kufitare të sipërpërmendura deri në një njoftim të dytë.