Ajo u shndërrua për disa vite me radhë, ndër personazhet më të dashur televizive. Prezantuesja e një prej formateve më të suksesshëm në historinë e televizionit italian “Non e la Rai” Ambra Angiolini, në vitet ’90 u kthye në frymëzim edhe për shqiptarët.
Vajzat adoleshente të asokohe në Shqipëri kopjuan flokët, stilin e gjithçka mundën nga Ambra dhe adoleshentet italianen që shfaqeshin në spektaklin e famshëm. Por ajo periudhë u regjistrua si kulmi i vetëm i prezantueses simpatike me kaçurrela.
Pas mbylljes së “Non e la Rai” Ambra vazhdoi angazhimin e saj në televizion, nuk u shfaq më si këngëtare por përqafoi kinemanë duke bërë disa role në seriale e prodhime italiane të filmit. Sot ajo jeton në Brescia, qytet ku u vendos pas lidhjes dhe martesës me kantautorin Francesco Renga, me të cilin u nda pas 10 vitesh. Ambra është nënë e dy fëmijëve. /Revistawho