2 humbjet me Brightonin dhe Tottenhamin kanë lëkundur akoma më shumë pozitën e Jose Mourinhos si tranjer i Manchester United. Portugezi nuk e fshehu nervozizmin e tij pas ndeshjes me ekipin e Pochettinos, duke ikur edhe nga konferenca për shtyp. Mediat angleze shkruajnë se aventura e tij te “Djajtë e Kuq” është drejt fundit. Në rast se United do të humbë edhe 1 ndeshje në Premier League, do të vijë menjëherë shkarkimi për “Special One”. Klubi nga Manchesteri nuk e kishte nisur ndonjëherë kaq keq kampionatin, që nga riformatimi i Premier League-s.
Ndërkohë, pavarësisht se Mourinho deri diku mbrojti paraqitjen e lojtarëve të tij kundër Tottenhamit, asnjë nga futbollistët nuk duket i gatshëm për të vënë dorën në zjarr për tranjerin e tyre. Portugezi nuk i ka të mira marrëdhëniet as me drejtuesit e klubit, sidomos me Ed Woodward. Ky i fundit, nëse vendos të shkarkojë ish-trajnerin e Chelsea-t dhe Interit, do të detyrohet t’i paguajë një shumë prej 45 milionë paundësh për prishjen e kontratës.
Vetë Woodward nuk dëshiron largimin e Mourinhos, por do të jetë i detyruar ta heqë trajnerin në rast të një tjetër humbjeje. Emri më i lakuar për stolin e United vazhdon të jetë Zinedine Zidane, i cili flitet se do të ishte shumë i lumtur në rast se do të niste këtë aventurë të re.