Ish-zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, është përfolur se do të jetë kandidat për President në zgjedhjet e vitit 2020, por ende nuk ka konfirmuar asgjë.
Megjithatë, duket se fjala i ka shpëtuar gjatë një takimi me 1,000 demokratë në Delaware.
Gjatë fjalimit të tij, Biden tha se ka rezultatet më pozitive “se çdokush që po konkurron për President”. Në këtë moment, njerëzit janë ngritur në këmbë duke brohoritur sepse menduan se ai sapo shpalli kandidaturën. Për disa sekonda, Biden nuk e ka kuptuar situatën, deri sa korrigjoi veten duke thënë “çdokush që do të kandidojë për President. Nuk doja të thosha atë”.
Ndërkohë nga salla vinin thirrje “Kandido Joe, kandido!”. Deri më tani, kandidatët më potencialë të Partisë Demokratike janë Bernie Sanders, Kamala Harris dhe Elizabeth Warren. Së fundmi, shpalli kandidaturën edhe ish-kongresmeni i Teksasit, Beto O’Rouke./Opinion.al