Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Joe Biden dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi

2020/11/09 at 7:24 PM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 6 min
A A
Joe Biden dhe marrëdhëniet SHBA-Rusi

Presidentët amerikanë George W. Bush dhe Barack Obama, kur u zgjodhën për herë të parë, të dy menduan se mund të krijonin marrëdhënie pune me udhëheqësin rus Vladimir Putin dhe të përmirësonin në mënyrë dramatike marrëdhëniet SHBA-Rusi.


Por vlerësimi i tyre për Presidentin Putin ndryshoi shpejt.

Kur u pyet mbi përshtypjen e tij për Presidentin Putin pas takimit të parë me të, Presidenti George W. Bush tha, “E pashë në sy dhe më la përshtypjen si një njeri i drejtpërdrejtë dhe i besueshëm. Arrita të lexoja në një farë mënyre shpirtin e tij.”

Presidenti Obama, tetë vjet më vonë, kërkoi hapur “një rifillim të ri” të marrëdhënieve mes dy vendeve, por shpresat e tij u shuan pas aneksimit nga Rusia të gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Joe Biden, si nënpresident në administratën e Presidentit Obama, mbështeti strategjinë “e rifillimit të ri”, por nuk ka gjasa të ndjekë shembullin e paraardhësve të tij, thonë ish-diplomatët dhe analistët. Zoti Biden dha sinjale për qasjen e tij ndaj Rusisë gjatë fushatës presidenciale, duke thënë në një diskutim në rrjetin CNN muajin e kaluar se “Unë besoj se Rusia është një kundërshtare.”

Ndërsa, Kinën e quajti “një konkurrente serioze”.

Gjatë fushatës presidenciale, Biden u përpoq të distancohej nga qasja e Presidentit Donald Trump ndaj Rusisë, duke akuzuar rivalin e tij republikan se ishte i butë me Putinin.

Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij u janë kundërpërgjigjur kritikave të zotit Biden. Presidenti Trump tha në gusht se “Personi i fundit që Rusia dëshiron të shohë në detyrë është Donald Trumpi, sepse askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë sesa unë”.

Në fillim të muajit të kaluar, Biden kritikoi Presidentin Trump për heshtjen ndaj helmimit të udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny, për të cilin ai fajësoi haptazi qeverinë e Moskës.

“Edhe një herë, Kremlini ka përdorur një armë të preferuar, një agjent kimik të llojit Noviçok, në një përpjekje për t’i mbyllur gojën një kundërshtari politik”, tha ai. “Kjo është shenja e një regjimi rus që vuan nga paranoja dhe nuk është i gatshëm të tolerojë kritikët dhe disidentët.”

Por kandidatët mund të thonë një gjë gjatë garës presidenciale dhe të bëjnë diçka tjetër, pasi të fillojnë detyrën; nganjëherë ata kanë pak zgjedhje për shkak të rrethanave ose rrjedhës së ngjarjeve. A do të ndjekëJoe Biden si president një qasje të fortë ndaj Rusisë, siç ka sugjeruar?

‘Nuk do të ketë fillim të ri’

“Unë nuk mendoj se Biden do të ketë prirje për të lavdëruar Putinin”, tha David Kramer, ish ndihmës sekretar shteti në administratën e Presidentit George W. Bush. “Moska ka vazhduar me një fushatë dezinformimi kundër tij, kështu që unë nuk mendoj se ai do të zgjasë dorën dhe të thotë, ‘Le të pajtohemi’ “, shtoi zoti Kramer, i cili punon në Institutin McCain, një organizatë me bazë në Uashington që merret me politikën e jashtme.

“Nuk do të ketë përpjekje për fillim të ri. Unë nuk mendoj se ai do të provojë diçka të ngjashme me përpjekjen e vitit 2009”, tha zoti Kramer duke iu referuar politikës së dështuar të Obamës për “një rifillim të ri” të marrëdhënieve me Rusinë. Zoti Kramer mendon se Joe Biden do të duhet të përqendrohet kryesisht në çështjet e brendshme, për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe ndikimit të saj ekonomik.

“Sa i përket përqendrimit të tij në politikën e jashtme, Rusia nuk duhet të jetë lartë në listën e përparësive”, i tha ai Zërit të Amerikës. Edhe pse shtoi, “Nuk mund ta injoroni (Rusinë). Dhe (Rusia) është faktor në një numër problemesh me të cilat përballemi. Unë mendoj se ai do të duhet të shpenzojë kohën e tij të kufizuar kur bëhet fjalë për politikën e jashtme për të punuar me vendet që janë të gatshme për të zgjidhur problemet.” Me këtë ai nënkupton forcimin e aleancës transatlantike të Amerikës.

Biden dhe Putin kanë patur një takim të ftohtë me njëri-tjetrin. Në një intervistë të vitit 2011 me revistën “New Yorker”, zoti Biden tha, se gjatë një takimi, ai i kishte thënë udhëheqësit rus, “Unë po të shikoj në sy dhe nuk mendoj se ju keni shpirt.”

Biden shtoi: “Ai më pa, buzëqeshi dhe shtoi: ‘Ne e kuptojmë njëri-tjetrin.’”

Përveç mungesës së raportit personal, analistët thonë se çdo përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet do të komplikohej nga sanksionet ekonomike ndaj Rusisë, të vendosura nga administratat Obama dhe Trump. Sanksionet do t’i lënë zotin Biden me pak hapësirë për të manovruar dhe nuk ka gjasa që ato të hiqen, ndërsa fuqitë perëndimore besojnë se Rusia po ndërmerr sulme kibernetike kundër tyre.

‘Zona gri’

Ish diplomatët perëndimorë thonë se antagonizmi ka të ngjarë të vazhdojë mes Uashingtonit dhe Moskës për sa kohë që Kremlini kërkon të minojë institucionet demokratike Perëndimore.

Javën e kaluar, një ish këshilltar i lartë i sigurisë i kryeministrit britanik Boris Johnson, Mark Sedwill, tha se Britania ka filluar një seri sulmesh të fshehta kibernetike ndaj udhëheqësve rusë dhe interesave të tyre “që të paguajnë një çmim më të lartë, (pasoja më të mëdha) se ato që mund të kishin pritur” për ofensivën e tyre kibernetike kundër Perëndimit.

Fuqitë e tjera aleate, përfshirë Shtetet e Bashkuara po bëjnë të njëjtën gjë, thonë zyrtarët perëndimorë të zbulimit në atë që po shndërrohet në një konflikt kibernetik me Kremlinin në të ashtuquajturën “zonë gri”, hapësira midis marrëdhënieve shtetërore normale dhe konflikteve të armatosura.

Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore janë në konflikt me Rusinë për një sërë çështjesh, përfshirë aneksimin e Krimesë në vitin 2014, nxitjen e grupeve pro-Moskës në Ukrainën Lindore, mbështetja e Rusisë për Presidentin e Sirisë Bashar al-Asad dhe atentati i vitit 2018 në Salisburi të Anglisë ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal.

Heather Williams nga organizata “Chatham House” me bazë në Britani pret që administrata e zotit Biden të përqendrohet në dy fusha kryesore: marrëveshjet mbi kontrollin e armëve dhe forcimin e NATO-s për të kontrolluar aventurizmin rus.

“Në njërën anë, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin masa të forta frenuese dhe të rikthejnë besueshmërinë e aleatëve të tyre. Në të njëjtën kohë, Uashingtoni duhet të kërkojë nënshkrimin e marrëveshjeve për kontrollin e armëve dhe mundësi të tjera të zvogëlimit të rrezikut,” tha ajo.

Në ditët e fundit të fushatës presidenciale Kremlini dukej se po përpiqej të mbronte bastet e tij se kush mund të fitonte.

Aktivistët republikanë dhe Presidenti Trump akuzuan për korrupsion djalin e zotit Biden, Hunter, për rolin e tij në bordin e një kompanie energjetike në Ukrainë dhe marrëdhëniet e biznesit me Kinën.

Por Presidenti Putin shmangu një mundësi për të shtuar akuzat kundër Hunter Biden-it, duke thënë, “Po, në Ukrainë ai kishte ose mbase ka ende një biznes. Kjo nuk na intereson. Ka të bëjë me amerikanët dhe ukrainasit. Unë nuk shoh asgjë kriminale për këtë”.

Udhëheqësi rus gjithashtu ka kërkuar të nxjerrë në pah pikat e mundshme të përbashkëta me zotin Biden, veçanërisht ato mbi kontrollin e armëve bërthamore.

Kontrolli i armëve bërthamore

Presidenti Putin bëri thirrje këtë muaj për shpëtimin e paktit të fundit ekzistues të kontrollit të armëve bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke propozuar zgjatjen e traktatit “NEW START”që skadon në shkurt. “Do të ishte jashtëzakonisht e trishtueshme nëse traktati pushon së ekzistuari,” tha ai.

Traktati u nënshkrua më 2010 nga Barack Obama dhe presidenti i atëhershëm rus Dmitry Medvedev. Traktati kufizon secilin vend në dislokimin e jo më shumë se 1,550 mbushjeve bërthamore, dhe 700 raketave dhe bombarduesve bërthamorë.

Gjatë karrierës së tij të gjatë në Senat, zoti Biden ishte një mbështetës i fortë i çështjes së kontrollit të armëve bërthamore dhe ai ka premtuar se do të kërkojë të zgjasë Traktatin , duke thënë se ai ka të ngjarë të pranojë një ofertë ruse për ta zgjatur atë për pesë vjet./ VOA



Ju sugjerojmë

Kur do të zbulohen oraret e ndeshjeve të Botërorit 2026
Sport

Kur do të zbulohen oraret e ndeshjeve të Botërorit 2026

5 Dhjetor, 2025 10:51 pm
Tiranë/ Humb jetën 64-vjeçari në Petrelë, familjarët: U tërhoq nga një kafshë
Kronikë

Aksident i trefishtë në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

5 Dhjetor, 2025 10:09 pm
FIFA i jep Donald Trump Çmimin e Paqes
Sport

FIFA i jep Donald Trump Çmimin e Paqes

5 Dhjetor, 2025 9:36 pm
Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët e mundshëm të Botërorit amerikan
Kryesore

Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët e mundshëm të Botërorit amerikan

5 Dhjetor, 2025 8:28 pm
Pse Belgjika është kundër përdorimit të aseteve ruse për të mbështetur Ukrainën?
Bota

Pse Belgjika është kundër përdorimit të aseteve ruse për të mbështetur Ukrainën?

5 Dhjetor, 2025 7:56 pm
Rusia po dërgon fëmijët ukrainas në kampet e Koresë së Veriut
Bota

Rusia po dërgon fëmijët ukrainas në kampet e Koresë së Veriut

5 Dhjetor, 2025 7:00 pm
Në prag të zgjedhjeve, Dumani:Gati strategjia për hetimin e krimeve zgjedhore
Aktualitet

Krimi i organizuar, SPAK nënshkruan 5 memorandume me vendet e Amerikës Latine

5 Dhjetor, 2025 6:22 pm
Putin: Rusia nuk i kundërshton bisedimet për paqe
Bota

Hetimi britanik/ Putin autorizoi helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal

5 Dhjetor, 2025 6:16 pm
Gjermania aprovon planin për rekrutë ushtarakë
Bota

Gjermania aprovon planin për rekrutë ushtarakë

5 Dhjetor, 2025 5:14 pm
Abuzimi me paraburgimin /Meta: Shqipëria ia kalon edhe vendeve diktatoriale afrikane
Aktualitet

“Po më shkelen të drejtat”, Gjykata urdhëron SPAK t’i japë Metës fashikujt e dosjes

5 Dhjetor, 2025 4:57 pm
Para
Trump shkarkon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes

Trump shkarkon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes

Emri/ Vrasja e babë e bir në Elbasan, arrestohet një person

Emri/ Vrasja e babë e bir në Elbasan, arrestohet një person

Shënohet viktima e pestë me koronavirus, një 49-vjeçar nga Tirana

Emri/ Humb jetën nga COVID-19 infermieri i kirurgjisë në QSUT
















TE FUNDIT

Kur do të zbulohen oraret e ndeshjeve të Botërorit 2026

Kur do të zbulohen oraret e ndeshjeve të Botërorit 2026
5 Dhjetor, 2025

Në një ceremoni madhështore në Qendrën “John F. Kennedy për Artet Performuese” në Uashington DC, është finalizuar shorti i grupeve...

Lexo më shumë

Aksident i trefishtë në Tiranë, humb jetën 38-vjeçari

Tiranë/ Humb jetën 64-vjeçari në Petrelë, familjarët: U tërhoq nga një kafshë
5 Dhjetor, 2025

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Tiranë. Policia bën me dije se rreth orës 21:00, në...

Lexo më shumë

FIFA i jep Donald Trump Çmimin e Paqes

FIFA i jep Donald Trump Çmimin e Paqes
5 Dhjetor, 2025

Presidentit Donald Trump i është dhënë çmimi i ri i paqes nga FIFA në shortin e Kupës së Botës. Sipas...

Lexo më shumë

Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët e mundshëm të Botërorit amerikan

Shqipëria dhe Kosova njohin rivalët e mundshëm të Botërorit amerikan
5 Dhjetor, 2025

Në grup me Holandën, Japoninë dhe Tunisinë nëse kombëtarja shqiptare do të bëjë realitet ëndrrën për marr një biletë historike...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com