Në tre ditët e fundit Turqia është bërë një nga vendet me rritjen më të madhe të rasteve të reja me COVID-19. Për këtë arsye 31 provinca të vendit përfshi Stambollin dhe Ankaranë u mbyllën plotësisht gjatë fundjavës.
Por njoftimi për këtë vendim erdhi të premten në mbrëmje dhe kjo shkaktoi një kaos në dyqanet dhe rrugët e qyteteve. Për shkak të keqmenaxhimit të kësaj situate ministri i Brendshëm Sulejman Soylu dha dorëheqjen mbrëmjen e së dielës.
Qeveria tha të premten rreth orës 10:30 të mbrëmjes se një bllokim i përgjithshëm prej 48 orësh do të hynte në fuqi në mesnatë, duke shkaktuar panik në të gjithë vendin ndërsa njerëzit nxituan në dyqane dhe furra buke për të blerë ushqime para shtetrrethimit. Stambolli, me popullësi rreth 16 milion banorë, pati një rritje të veçantë të blerjeve të panikut dhe trafikut teksa njerëzit bënin udhëtime natën vonë për të kontrolluar të afërmit e tyre.
Dorëheqja e Soylu, megjithatë, nuk u pranua nga presidenti, Erdogan, duke ngritur dyshime nëse presidenti e dinte paraprakisht vendimin e ministrit të tij të brendshëm apo u befasua duke patur frikë se kjo mund të ishte pjesë e një plani intrigash për ta rrëzuar atë nga pushteti.
Soylu shikohet nga disa si një pasardhës i mundshëm i Erdoganit dhe një rival i dhëndrit të presidentit, ministri i financave Berat Albayrak.
Dorëheqjet politike janë të rralla në Turqi, ku partia qeverisëse Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) rrallë përanon kritikat ose gabimet. Hera e fundit që një ministër u tërhoq ishte në vitin 2013.
Numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në Turqi ka arritur në 56,956. /Opinion.al