FIFA dha më në fund shpjegime mbi golin e dytë të Japonisë, në fitoren 2-1 ndaj Spanjës, që i kualifikoi në raundin tjetër të Botërorit.
Nga pamjet e para dukej se topi kishte dalë jashtë tërësisht, por organizmi drejtues i futbollit botëror doli me qëndrim zyrtar se topi nuk doli jashtë.
“VAR-i pa nëse topi kishte dalë apo jo. Disa kamera ofrojnë pamje mashtruese, por sipas provave të disponueshme, topi nuk ka dalë plotësisht jashtë fushës”, lexohet në postimin e FIFA-s në rrjetet sociale, të shoqëruar me dy video, një të golit dhe një të demonstrimit se topi nuk kishte dalë plotësisht.
Ditën e djeshme, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, qindra foto qarkulluan në rrjetet sociale, ku topi dukej plotësisht jashtë.