Në qytetin japonez të Osakës është regjistruar një ngjarje e rëndë, ku një burrë është arrestuar pasi ka përplasur me makinën e tij disa nxënës shkolle.
Sipas autoriteteve japoneze 7 prej nxënësve mbetën të plagosur, ndërkohë që e kanë cilësuar incidentin si një sulm të qëllimshëm.
“Fëmijët, të cilët po ktheheshin në shtëpi në momentin e ngjarjes, janë plagosur dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Fatmirësisht, ata kanë qenë të vetëdijshëm gjatë gjithë kohës dhe nuk raportohen në rrezik për jetën”, raportojnë mediat vendase.
Autori i sulmit, identiteti i të cilit nuk është bërë ende publik, ka rrëfyer gjatë marrjes në pyetje se e ka kryer qëllimisht aktin. Ai është arrestuar nga policia me akuzën e tentativës për vrasje.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur motivet e këtij sulmi tronditës.