Aktualitet

Ja kush është biznesmeni që korruptoi gjyqtarin: Iu bë atentat në 2014



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:06 - 03/05/16 |
b.f

Biznesmeni 48-vjeçar, Dritan Jazexhiu, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia, pasi i dha 6 milionë lekë (të reja) gjyqtarit Ibrahim Hoxha, për një çështje pronësie nuk është një emër i panjohur për drejtësinë.

Në shtator të viti 2014 atij i është bërë atentat.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15 të 11 Shtatorit, në rrugën “5 Maji”, ku ka mbetur i plagosur biznesmeni. Ai është qëlluar pranë dyqanit të tij, ku janë gjetur 16 gëzhoja kallashnikovi. Nga hetimet e asaj kohe rezultoi se në drejtim të tij është qëlluar nga dritarja e një automjeti.

Jazexhiu u plagos me 1 plumb nga 16 që u shkrepën, ndërsa shkak për plagosjen mësohet të jetë një konflikt pronësie. Biznesmeni ka një konflikt të hershëm pronësie me familjarët e tij, të cilat kanë qenë të dokumentuara.

*Foto: Dritan Jazexhi në spital në 2014

 

Ja çfarë tha Dritan Jazexhi pas atentatit në 2014: Kam konflikt pronësie me motrën

Dritan Jazexhiu, 45-vjeçari që mbeti i plagosur mëngjesin e 11 shtatorit 2014, në zonën e tregut të Medresesë, Tiranë. “Në vitet ‘90, unë ika nga Shqipëria si emigrant. Atje fitova para dhe i investova në blerjen e 4 dyqaneve dhe të një banese, te Medreseja. Qëndrova për disa kohë këtu dhe më pas vendosa që të shkoja në Turqi. Përpara se të largohesha, pronat i kalova në emër të babait. Prindërit atë kohë mbetën vetëm dhe motra shkoi që të jetonte me ata. Gjatë kësaj kohë, motra u ka dhënë prindërve disa shkresa për të firmosur. Ata nuk e kanë ditur arsyen e hedhjes së firmës në dokumente. Me anë të abuzimit, ajo ka kaluar dyqanet e mia në emrin e saj. Lajmin e mora vesh nga një miku im. Ai më tha se pronat kishin kaluar në emër të sime motre”, – rrëfehet 45-vjeçari.

Në vitin 2011, ai kthehet në atdhe, për të kuptuar atë që kishte ndodhur me pasurinë e tij. Bën disa hulumtime dhe vëren që pasuria ishte kaluar nga ana e prindërve, në emër të së motrës. Shkon që të takohet me të, për të rimarrë dyqanet që pretendon se i përkasin, por has në rezistencë.

Gjatë kësaj kohe, familjet kanë pasur debate të shpeshta. Ata nuk e kanë gjetur gjuhën e përbashkët, për çështjen e pronësisë. “Dyqanet i kam blerë në zonën e tregut të Medresesë. Ato vlejnë shumë para dhe motra nuk e pranon idenë që ato më përkasin mua.

Në tetor të 2011-s, mua më vunë tritol në banesë. Fatmirësisht atë kohë shpëtova për mrekulli. Unë dhashë dëshmi në polici, për autorin e dyshuar të ngjarjes. Thashë se personi që më vuri tritolin ishte burri i mbesës sime, Klajdi Hoxholli. Ndonëse policia e arrestoi, organet e tjera e lanë të lirë. Ai ka paguar para që të mos dënohet për aktin që ka bërë. Grupi hetimor më tha se nuk kishte prova të mundshme, që ta mbante të arrestuar Hoxhollin”, vijon të thotë i dëmtuari.

Konflikti i mbartur i pronësisë ka vijuar më tej. I dëmtuari thotë se nuk heq dorë nga pasuria e tij, pasi thotë se ka punuar për ta vënë atë. Gjithashtu, në vitin 2013, jeta e Jazexhiut është vënë sërish në rrezik. “Njerëzit e motrës sime më kanë nxjerrë disa persona në rrugë, për të më vrarë. As atëherë nuk ia dolën. Unë shpëtova nga atentati.

Dhëndri i motrës, është njeri frikacak. Më 11 shtator 2014, ai mund të më kishte ekzekutuar pasi ishte në një distancë shumë të afërt me mua. Ai është frikacak dhe në momentet që ka qëlluar, i është dridhur dora. Unë nuk kam frikë prej tij, por kërkoj që policia të marrë masat për arrestimin e Klajdi Hoxhollit.

“Nëse nuk është e aftë që ta bëjë një gjë të tillë, le të më thotë në mënyrë që unë t’i zgjidh gjërat ashtu siç duhet”, – flet Dritan Jazexhiu për atentatet që i janë bërë.  Si autor i dyshuar i atentatit, policia thotë se është Klajdi Hoxholli, bashkëshorti i mbesës së tij. Grupi hetimor është duke hetuar në pistën e konflikteve të pronësisë.

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

    Pas