Tre muaj më parë, me urdhër të kryebashkiakut të Peshkopisë, Shukri Xhelili, tashmë i shkarkuar, është larguar nga puna nëna e 20vjeçares që realizoi videoskandalin.
Kjo dyshohet se mund të jetë një nga arsyet pse vajza ka filmuar të gjithë veprimet e Xhelilit, teksa i kërkonte favore seksuale në këmbim të punës. “ABC news” bën të ditur se e ëma e 20 vjecares punonte si sanitare tek zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe me pas është dërguar tek ndërmarrja e llixhave që administrohet nga bashkia e Dibrës. Aty është dhënë urdhri nga ishkryebashkiaku për ta larguar nga puna. Sipas burimeve të besueshme mësohet se vendin e saj të punës e ka zëvendësuar një njeri shumë i afërt me Shukri Xhelilin.
20vjeçarja pasi u mor në pyetje nga policia është lënë e lire. Nuk dihet ende nëse familja e vajzës vazhdon të qëndrojë me në Dibër, apo është larguar në një qytet tjetër. Ndërsa dosja penale ndaj Shukri Xhelilit pritet t’i dërgohet prokurorisë për Krime të Rënda për akuzën e “korrupsionit pasiv të personave të zgjedhur” dhe “Marrëdhënie seksuale duke shpërdoruar detyrën”, mbetur në tentativë. Në videoskandalin e publikuar në media shfaqet ishkryetari i Dibrës Shukri Xhelili teksa i kërkon favore seksuale 20vjeçares në këmbim të një vendi pune tek Pallati i Kulturës në Peshkopi.