Ishte fundi i vitit 2013, kur Mërgim Mavraj lëshonte një deklaratë të fortë, duke shkruar në faqen e tij zyrtare në “Facebook” në lidhje me një lojtar shumë të talentuar, por të panjohur për shqiptarët brenda Shqipërisë në atë kohë, 18-vjeçarin Enis Bardhi, i cili aktivizohej në Danimarkë te Brondbi dhe kaloi në Suedi. “Nuk e kuptoj FSHF-n se përse nuk bën trysni për të marrë talentet shqiptare që jetojnë në Maqedoni, janë shumë ata që sot po shkëlqejnë dhe të gjithë të gjeneratave të reja. Njëri prej tyre është Enis Bardhi, talenti që ka më se të sigurt të ardhmen. Sot po kalon ditë e përditë nëpër shumë klube me traditë dhe me emër. Në intervistën qe pata me te e pyeta se përse nuk vinte të luante me Kombëtaren tonë, ai u përgjigj se nuk e ka thirrur askush, ai luan tashme për U-19 të Maqedonisë dhe ka ëndërr që të luaj për Kombëtaren e tij dhe të të gjithë shqiptarëve”, shkruante Mërgim Mavraj, i cili më pas ka shtuar duke ju drejtuar edhe menaxherëve: “Menaxherë të nderuar të Kombëtares, ju lutem mos i lini të ikin lojtarët tanë, ju lutem përvishuni punës për ta vesh Enisin Kuq&Zi, e jo ta humbim edhe atë, siç kemi humbur shumë të tjerë”, ka thënë Mavraj.
Bardhi, asnjë ftesë nga Shqipëria – Shpesh, duke mos e pasur fare idenë si është e vërteta, edhe për shkak të territ informativ nga Federata Shqiptare e Futbollit, futbollistët shqiptarë me origjinë nga Maqedonia a Kosova janë paragjykuar keqas. Një rast i tillë është edhe mesfushori 21-vjeçar Enis Bardhi, prej disa sezonesh pjesë e Ujpeshtit në Hungari, si dhe pjesëtar i rregullt i Maqedonisë U21 dhe prej pak kohësh edhe i kombëtares A. Është shkruar shumë në rrjetet sociale, sikur Enis Bardhi ka refuzuar FSHF-në, por ndërkohë “Sport Ekspres” ka biseduar me lojtarin, si dhe menaxherin Meriton Berisha. Të dy janë treguar të prerë: Shqipëria nuk e ka ftuar kurrë djaloshin e talentuar, edhe pse ka pasur interesim pikërisht nga menaxheri i tij, që ai të provohej te Shqipëria U21, të paktën për pak ditë.
DEKLARATA E VITIT 2013 – Para 3 vitesh Enis Bardhi filloi të evidentohej si talent, por ndërkohë Maqedonia e kishte pikasur dhe po e grumbullonte rregullisht nga U15 deri tek U19. Megjithatë, në atë kohë Bardhi deklaronte: “Unë jam anëtar i rregullt i moshave të Maqedonisë, por nëse do të më vinte një ftesë nga Shqipëria, do ta braktisja Maqedoninë”. (Marrë nga gazeta “Sport Eskpres”)