11 dhjetor 1990, ora 18.00. Kronikë
Ramiz Alia: Desha t’ju njoftoj përpara se sot kishte një mbledhje të Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë dhe prandaj desha t’ju njoftoj se çfarë ka vendosur Plenumi i Komitetit Qendror.
Plenumi i Komitetit Qendror shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj. Lidhur me sa më sipër u vendos:
E para: Në qershor të vitit 1991 të mblidhet Kongresi i 10-të i zakonshëm i Partisë..
E dyta: Më 26 dhjetor të këtij viti, d.m.th. pas dy javësh, të mblidhet në Tiranë Aktivi Kombëtar i Partisë për të përcaktuar platformën elektorale të partisë dhe për të aprovuar listën e kandidatëve të saj për deputetë në Kuvendin Popullor.
E treta: Plenumi liroi nga funksioni anëtarët e Byrosë Politike, shokët Muho Asllani, Simon Stefani, Lenka Çuko, Foto Çami dhe Hajredin Çeliku, si dhe shokët Qirjako Mihali dhe Pirro Kondi, nga detyra e kandidatit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë.
E katërta: Ju rekomandua kryetarit të Këshillit të Ministrave që në përputhje me situatën e tanishme t’i propozojë Presidiumit të Kuvendit Popullor ndryshimet e nevojshme në qeveri.
E pesta: Plenumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe pluralizmit, krijimi i organizatave politike të pavarura në përputhje me ligjet në fuqi
…………………
Arben Imami: Pika e fundit, vendimi i fundit, ajo që ka lidhje me pluralizmin politik. A mund të shpjegoni diçka më qartë dhe më gjatë, d.m.th ç’kupton partia me këtë?
Ramiz Alia: Tashti, pluralizmin politik ne e kuptojmë në bazë të këtij vendimi që përveç subjekteve të emërtuara në ligjin për zgjedhjet, mundet të paraqiten edhe subjekte të tjera, të cilat natyrisht duhet të respektojnë normat ligjore që ekzistojnë. Subjekte të tjera mund të jeni, juve kërkoni të jeni një subjekt i pavarur për shembull, edhe rinia studentore mund të jetë një subjekt i pavarur, kupton, ti, në qoftë se dëshiron brenda Organizatës së Bashkimit të Rinisë, ose në qoftë se nuk dëshiron, jashtë Organizatës së Bashkimit të Rinisë. Pra, si një subjekt i pavarur politik. Kjo është.
Arben Imami: Çfarë e pengon aktualisht partinë tonë që t’i propozojë Kuvendit Popullor formimin e partive të reja?
Ramiz Alia: Nuk e pengon kjo.
Skënder Gjinushi: Kushtetuta e lejon.
Arben Imami: Kushtetuta nuk e lejon në një pikëpamje, që thuhet se ai ligj kushtetues që ju vetë propozuat për t’u abroguar në të ardhmen.
Ramiz Alia: Cili ligj?
Arben Imami: Ligji për udhëheqjen dhe rolin e vetëm udhëheqës të partisë. Përderisa ne nuk kemi rol të vetëm udhëheqës të partisë, ose shpresojmë së afërmi të mos kemi. Përderisa ne nuk kemi një ligj, mesa di unë, se njohuritë tona janë të kufizuara.
Ramiz Alia: Edhe ajo është, mungojnë edhe njohuritë tuaja.
Arben Imami: Përgjithësisht na mungon informacioni. Pra ne nuk kemi një ligj ku shprehimisht të thotë ndalohet…
Ramiz Alia: S’ka asnjë ligj ku shprehimisht të thuhet ndalohet një parti politike.
Arben Imami: Atëherë për ç’arsye pengohet, nuk e kam fjalën pengohet, por nuk është e mendimit Partia e Punës, që krahas saj mund të jepnin kontributin e tyre edhe parti të tjera, që do të punonin dhe do të luftonin me pikëpamjet e tyre për atdhe, për Shqipëri.
Ramiz Alia: Shiko, lidhur me këtë çështje, pikëpamja e partisë tonë në radhë të parë është nisur dhe niset nga tradita e vendit tonë, në kuptimin që mbi të tëra, ne shikojmë çështjen e unitetit të popullit. Nuk duhet të harrojmë, kupton, që ne jemi një vend i vogël. Nuk duhet të harrojmë, kupton, që juve jeni të tërë të rinj, kupton, por populli ynë ka luftuar, ka luftuar ashpër. (Ndërhyrje nga salla: ka luftuar ashpër).
Ndërhyrje nga salla: Vazhdon të luftojë.
Ramiz Alia: Po po, po ka luftuar ashpër. Ka derdhur gjak të madh. Unë që jam një çikë më plak dhe jo një çikë, por shumë më shumë se juve, se jam babai juaj, më kupton, por 28 mijë dëshmorë është 3 për qind e popullsisë së Shqipërisë. Të mos ta harrojmë se 1 milion ishte Shqipëria. Në ndërtimin e vendit, kupton, vendi u rrafshua, përtokë ka qenë, moçalet e Shqipërisë vinin deri në Lushnjë. 38 vjet jetonte shqiptari, jo larg por në vitin 1945, kaq ishte mosha mesatare, tani është 72 vjet mosha mesatare. Pra në tërë këto rrethana, kupton, populli ynë fitoi pikërisht sepse ishte i bashkuar. Kundër vendit tonë dërgoheshin banda diversantësh. Ju s’i keni jetuar këto.
Arben Imami: Këtë e dimë ne.
Ramiz Alia: Edhe ajo është. Mungojnë edhe njohuritë tuaja.
Arben Imami: Përgjithësisht, na mungon informacioni. Pra, ne nuk kemi një ligj, ku shprehimisht të thotë ndalohet…
Ramiz Alia: S’ka asnjë ligj, ku shprehimisht t’i thuhet ndalohet një partie politike.
Arben Imami: Atëherë, për ç’arsye pengohet? Nuk e kam fjalën pengohet, por nuk është e mendimit Partia e Punës, që krahas saj mund të jepnin kontributin e tyre edhe parti të tjera, të cilat do të punonin dhe do të luftonin me pikëpamjet e tyre për atdhe, për Shqipëri.
…………………
Ramiz Alia: Mirë, mirë, unë jam i bindur që pa dyshim, por kini kujdes, se ka edhe më dyshim. Ka mendime të tjera, është logjike që të ketë edhe mendime të tjera. Në vendimin e Plenumit të Komitetit Qendror sot, natyrisht partia nuk jep urdhra për këtë punë, shprehu mendimin që në këto kushte mundet të ndihmojë në demokratizimin e mëtejshëm të vendit edhe paraqitja e organizatave të veçanta, kupton, pluraliste në sistemin tonë.
Blendi Gonxhe: D.m.th nuk ka kufij?
Ramiz Alia: Unë nuk them dot, unë nuk them asnjë kufi, them, derisa flitet organizim pluralist, ai nënkupton çdo gjë, çdo gjë nënkupton. Tashi, në këtë çështje, natyrisht ka ligje, sepse nëse një parti kërkon të paraqitet me një program fashist, në bazë të ligjit nuk lejohet. Në ligj ka disa pika.
Tefalin Malshyti: Ne kemi ardhur këtu t’ju takojmë si President dhe jo si sekretar i Partisë, sepse në letrën tonë kërkojmë takim me presidentin Ramiz Alia dhe si president flasim me ju. Këto janë vendimet e partisë, vendimet e Plenumit. Janë shumë të sakta, shumë të drejta dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Megjithatë, siç e thatë edhe ju vetë, ky është një vendim dhe nuk dihet se kur do të shpallet një ligj. Këtë e ka në dorë Kuvendi Popullor dhe jo partia. Prandaj ne duhet të diskutojmë në këtë plan dhe jo në planin e partive. Pra, duhet të diskutojmë në planin presidencial si të thuash, shtetëror dhe që këto të bëhen vendim këto pika, këtë gjë duhet të sqarojmë.
…………………
Shinasi Rama: Shiko, pluralizmi nuk fillon tek partia. Pluralizmi fillon tek e drejta me mendu ndryshe.
Ramiz Alia: Shumë e drejtë.
…………………
Shinasi Rama: Kërkesa jonë është kjo, që të formulohet qartë pluralizmi politik.
Ramiz Alia: Kjo ide që keni ju është formuluar shumë qartë në këtë vendim.
Shinasi Rama: Më duket se është një frazë…
Ramiz Alia: Nuk ka rëndësi hiç kjo. E ke gabim ti, e ke gabim dhe po ta shpjegoj se pse. Ky fakt që shprehu ky mendim, se është në dobi të demokratizimit të jetës së vendit dhe pluralizmit, krijimi… (ndërhyrje nga salla). Si the ti? Ne sot po bisedojmë, ti thua s’ është në rregull. Me këtë mbaron ky muhabet. Kuptoni, është e qartë kjo. A është e qartë kjo?
Zef Brozi: Po është e qartë. Po që ju jeni dakord me pluralizmin.
Ramiz Alia: Po, jam dakord, edhe Komiteti Qendror i Partisë shprehu këtë mendim.
…………………
Azem Hajdari: Desha t’ju sqaroj për një çështje këtu. Një herë, në radhë të parë, dua t’ju flas në emër të Organizatës të Intelektualeve të Rinj, që është krijuar këto ditë. Dua t’ju siguroj që kjo lëvizje…
Ramiz Alia: Duhet të shkoni atje njëherë, në Ministrinë e Drejtësisë, e keni parasysh këtë (qesh)
Azem Hajdari: Kjo lëvizje ka qëllime demokratike, në mbështetje të reformave të ndërmarra nga vetë ju si president. Nuk është një lëvizje e imponuar, as e blerë, as e shitur dhe as ashtu si mund të jetë interpretuar.
…………………
Azem Hajdari: Kjo lëvizje demokratike, këtu siç e sheh jemi përfaqësues nga çdo fakultet, duke përfshirë edhe Institutin Bujqësor, Institutin e Lartë të Arteve edhe Institutin “Vojo Kushi”. Gjithashtu, kemi edhe disa pedagogë, të cilët përfaqësojnë pedagogët e rinj, që bëjnë pjesë në këtë lëvizje intelektualësh. Prandaj, ne kemi ardh t’i shprehim këto kërkesa nëpërmjet kësaj përfaqësie dhe ju sigurojmë për bindjen tonë për këto kërkesa. Kërkesa e parë, siç dihet është mbështetja juaj në reformat demokratike, besoj që kjo do t’ju dihet. Ndërsa për kërkesa të tjera, ti programin e njeh, tani mund të flasë ky shoku që ka programin. Jo programin, kërkesat. Shokët studentë më kanë thënë që t’ju kërkoj, sipas mundësive të juaja, që ky dialog, duke pasur parasysh të incizohet dhe ta transmetojmë dhe ta ndigjojnë studentët.
Ramiz Alia: Është incizuar dhe do transmetohet. Të gjitha.……….
Arben Imami: Lëvizja Studentore nuk kërkon organizata, të cilat shpallen subjekte elektorale etj, etj. Përse Partia ose Kuvendi ynë ka frikë, ose Kuvendi jonë ta përcaktojë qartë dhe saktë parti politike? Atëherë interpretimet do të ishin të pamundura dhe për këtë juve si president do na ndihmonit dhe do të ndihmonit gjithë forcat demokratike.
Ramiz Alia: Tashti…
Arben Imami: Një minutë, ju lutem. Sepse përsa kohë është organizatë, apo është shoqatë apo parti politike, atëherë forcat e djathta, që aktualisht kanë potencial në shtetin tonë….
Arben Imami: Unë jam i mendimit se kjo kërkesa nuk plotëson atë që shtrojnë studentët.
Ramiz Alia: Ajo e plotëson plotësisht.
Tefalin Malshyti: Nuk e plotëson plotësisht.
Ramiz Alia: Pse?
Tefalin Malshyti: E para është, sepse ne në këto kushte, në qoftë se mund t’i lexoj, për shembull një pikë e kësaj kërkese është ne jemi përkrahës të reformave demokratike (ndërhyn Alia: lere këtë, vazhdo më poshtë). Kalojmë tek pika tjetër.
Ramiz Alia: Kalo tek ajo organizata që thua ti.
Tefalin Malshyti: Prit se janë kështu. Kërkojmë pluralizëm politik, si shkalla më e lartë e demokracisë së sotme.
Ramiz Alia: Po bukuri, mirë.
Tefalin Malshyti: Si pasojë të lejohet krijimi i organizatës së pavarur politike të studentëve dhe intelektualëve të rinj.
Ramiz Alia: Po, e krijojmë.
Tefalin Malshyti: Statutin e së cilës ne do e paraqesim në Ministrinë e Drejtësisë.
Ramiz Alia: Shumë bukur. Paraqiteni përpara Ministrisë e Drejtësisë statutin tuaj, si organizatë siç thoni ju. S’ka asgjë këtu, paraqiteni dhe pikë.
Tefalin Malshyti: A është e vërtetë që mund të na lejohet që nesër?
Ramiz Alia: Po, që nesër. Paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë.
Tefalin Malshyti: Që nesër, se në bazë të këtij legjislacioni nuk ka një pikë e tillë që e pranon këtë, që e pranon këtë.
Ramiz Alia: Paraqitemi në bazë të asaj.
Zef Brozi: Ju shokë studentë do ta konsideroni një organizatë shoqërore, padyshim kërkon miratimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Ramiz Alia: A është politike edhe kjo?
Zef Brozi: Problemi është, nëse është organizatë politike.
Ramiz Alia: Atëherë paraqiteni para Ministrisë së Drejtësisë programin dhe Ministria e Drejtësisë do të japë mendimin për…
Zef Brozi: Kam një mëdyshje, nëse do të konsiderohet vërtetë me atë emërtesën organizatë politike, edhe politike?
Ramiz Alia: Quhet politike, parashikohet organizatë politike.
…………………
Arben Imami: Prit se nuk është e qartë shoku Ramiz, se këtu thuhet kërkojmë pluralizëm politik (reagime nga salla).
Arben Meçe: Në qoftë se ne nesër duam të fillojë aktivitetin kjo organizatë?
Ramiz Alia: Organet e drejtësisë do ju japin përgjigje.
Arben Meçe: A na pengojnë organet e drejtësisë për këtë gjë?
Ramiz Alia: Medoemos duhet të presësh vendimin për krijimin e kësaj organizate.
Arben Meçe: Pra, duhet të presim? Gjendja është shumë e elektrizuar atje dhe ne duhet të vemi sot t’u japim përgjigje, përgjigjen tuaj.
Ramiz Alia: Juve do veni. Shiko shokë studentë, unë po ju drejtohem ju që të paraqitni programin e organizatës suaj përpara Ministrisë së Drejtësisë, e cila sipas rregullave dhe normave do t’ju japë menjëherë përgjigje për këtë çështje. Urdhëro, ja ua transmetova studentëve.
Arben Meçe: E dyta, shumë familje nëpër rrethe janë të dizinformuara për çështjen këtu. Rrugës nuk i dihet. Televizioni ynë e ka dhënë ashtu si e mendoi, organ kompetent për atë punë. Nuk e ka dhënë ai, dezinformimin e ka dhënë tjetërkush. E kanë dhënë elementët armiq, me qëllim që të shqetësohen edhe shokët tanë, edhe prindërit tanë, edhe gjithçka që kemi ne, miqtë tanë. Dhe kjo pasqyrohet në telefonatat që bënë ata, ku insistojnë veçanërisht për shëndetin. A nuk do të ishte e mirë nga ana e shtypit tonë që sot të njoftonte për këtë organizim dhe kjo do të ishte…
…………………
Arben Demeti: Po sikur nesër ne si Organizatë rinore e Rinisë ta quajnë, meqë është edhe shoku Lisen Bashkurti këtu, Partia e Rinisë Shqiptare? Mund ta quajmë Partia?
Lisien Bashkurti: Atë do e vendosë rinia
Ramiz Alia: Dëgjo, dëgjo. Po mirë krijojeni.
Arben Demeti: Do e krijojnë studentët?
Ramiz Alia: Pse nuk do marrësh pjesë ti aty?
Arben Demeti: Jam në Organizatën e Rinisë. Mund ta quajmë dot partia?
Ramiz Alia: E kanë quajtur këta, e kanë quajtur këta.
Arben Demeti: Juve jeni para mikrofonit pohojeni?
Ramiz Alia: Mund ta quajnë si të duan, parti mund ta quajnë, shoqatë mund ta quajnë, kupton. Vetëm duhet të respektojë ligjet.
Arben Mece: Po ndesh me interesat e Partisë mund të shkojë?
Ramiz Alia: Mund të shkojë varet, se deri ku janë interesat e Partisë dhe deri ku i kap ligji këto interesa. Ligji nuk është i Partisë.
…………………
Azem Hajdari: Këto pika që kemi bërë ne, studentet kërkojnë që t’u japim sqarime për çdo pikë. Unë kam vetëm një pyetje.
Ramiz Alia: Bëjeni pyetjen.
Azem Hajdari: Neve flasim për subjekte elektorale dhe kur flasim për subjekte elektorale, partia si do të shkojë në këto subjekte elektorale, e barabartë?
Ramiz Alia: E barabartë me të gjithë, është thënë në ligj. S’e keni lexuar ligjin?
Azem Hajdari: Kur?
Ramiz Alia: Në ligj thuhet se janë elemente të barabarta elektorale të gjithë pjesëmarrësit në zgjedhje.
Arben Imami: Shoku Ramiz, ne do të shkojmë atje.
Ramiz Alia: Shkoni.
Arben Imami: Të mos zgjatemi, se nuk ia vlen të zgjatemi. Përfundimisht, jeni dakord me këto pika, sepse neve na ka ardhur fjala që mbrëmë, se ju jeni dakord me këto pika. P.sh., fjala vjen për problemin e lirisë së shtypit, për problemin e dhunës, që këta që janë këtu dhe një pjesë e atyre që janë atje, të mos preken? (ndërhyrje nga salla: të mos preken).
…………………
Azem Hajdari: Nga këto kërkesa që ju parashtruam, ka ndonjë gjë që s’pranohet aty? Cilat kërkesa nuk pranohen?
Ramiz Alia: Cilat kërkesa, se unë s’kam kërkesa këtu.
Arben Demeti: A do të sqarohet opinioni publik mbi të vërtetën e kësaj lëvizjeje?
Ramiz Alia: Ja ku e ke atë redaktorin e “Rinisë”, nesër do të dalë gazeta “Rinia”, tërë këtë bisedë që bëmë ne ose përmbledhjen e saj do ta bëjë. (reagime nga salla)
Tefalin Malshyti: Ne kërkojmë lirinë e shtypit dhe të fjalës pa censurë.
Ramiz Alia: S’ka censurë për këtë punë.
Shinasi Rama: Ka censure, ka.
Ramiz Alia: Ma thuaj ku është? Ku, ku, ku është? (debate në sallë). Dëgjo, djalë i mbarë këtu.
Edmond Budina: Kur themi për lirinë e shtypit, flasim për gazetën tonë.
Ramiz Alia: Juve kur flisni për gazetën tuaj unë ju thashë shkoni, zbatoni ligjet. Pa ligje nuk del gazetë, të jeni të bindur.
Azem Hajdari: Po derisa të rregullohen ligjet?
…………………
Arben Demeti: Shoku Ramiz, a ka mundësi të më dëgjoni?
Ramiz Alia: Jo, nuk ju dëgjoj më.
Arben Demeti: Nuk më dëgjoni. Atëherë po ju them një gjë që nuk lejohet të rrahësh bijtë e popullit, t’i terrorizosh ata me njerëz që vishen me uniforma nga më të ndryshmet. Kush janë këta njerëz pa uniforma, njerëz të veshur me lloj-lloj veshjesh? Po këta që rrahin nuk janë bijtë e popullit? Çfarëdolloj gjëje që mund të kenë bërë këta, çdo veprim duhet të frenohet. (ndërhyrje nga Ramiz Alia: Ti e the mendimin tënd tashi, duro, duro). Ju na thatë se keni shkarkuar, keni larguar nga byroja politike ata, keni bërë shumë mirë, megjithëse ne nuk ua kërkuam këtë. Kjo gjë duhej bërë më përpara. Ndërkohë, ne kemi ardhur këtu me një vendim të saktë: të shkarkohet nga detyra Hekuran Isai (duartrokitje). Ju kërkojmë si president, që t’i kërkoni Këshillit të Ministrave që të shkarkojë në vend, urgjentisht Hekuran Isain dhe të premten kur të bëni takimin me ne, na raportoni mbi këtë kërkesë. Ky është vendimi, është mendimi i studentëve.