Policia e kryeqytetit njoftoi këtë të enjte sekuestrimin e mbi 2 milionë € prona në Tiranë e Durrës, që i përkisnin dy vëllezërve Armando dhe Alket Gorezi, 44 dhe 47 vjeç.
Emri i njërit prej vëllezërve, Armando Gorezit nuk është i panjohur për publikun e sidomos për policinë.
Armando Gorezi nga Berati u ekstradua drejt Italisë më 29 Korrik 2015. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ishte dënuar në mungesë me 12 vite burgim. Më 6 Maj 2014, Gjykata e Torinos në Itali kishte lëshuar urdhër arresti ndaj Gorezit për veprën penale të vrasjes.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 6 Gusht 2011 në Torino, kur u vra Indrit Kuçi. Armando Gorezi ishte i dyshuar si autor i vrasjes, sepse disa ditë para krimit, viktima kishte rrahur Armando Gorezin, sipas raportimeve të shtypit italian në atë kohë.
Por në Janar të vitit 2017, edhe pse ishte dënuar në mungesë me 12 vite burgim për vrasjen e shqiptarit Kuçi, një gjykatë e apelit në Itali e shpalli të pafajshëm Armando Gorezin dhe e liroi nga të gjitha akuzat pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur fajtor.
Sipas autoriteteve shqiptare, dyshohet se pasuria prej 2.2 milionë Euro e vëllezërve Gorezi është përfituar nga paratë e pista./ Opinion.al