Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pranuar sot kërkesën e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë për shkarkimin e prokurores së Dibrës.
Mësohet se është shkarkuar nga detyra Belina Zeneli, prokurore pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
Nga hetimi i saj rezultoi se ajo kishte zvarritur disa akte procedural përgjatë periudhës 2013-2021. Në njoftim thuhet se veprimet e saj kanë cenuar imazhin e organit të akuzës duke ulur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për dhënien e masës disiplinore “shkarkim nga detyra” për prokuroren B.Z. e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
Hetimi ndaj magjistrates nisi pas ankesës së depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm.
Nga hetimi disiplinor që përfshiu punën e magjistrates në periudhën 2013-2021, u konkludua se veprimet dhe mosveprimet e prokurores përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.
Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013- 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese.
Veprimet e magjistrates B.Z. kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe kanë cënuar imazhin e organit të akuzës duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.
Ato përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, masë që u pranua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”,-thuhet në njoftim./Opinion.al