Kanë kaluar 48 orë që prej zhdukjes misterioze të dy vajzave 13-vjeçare, njëra me origjinë shqiptare dhe tjetra rumune, në Itali.
Ato janë Roxana dhe Selma dhe prej të shtunës në mëngjes, prej tyre nuk gjendet asnjë gjurmë.
Vajzat janë në klasën e tetë të shkollës 8-vjeçare dhe kanë dalë nga shtëpia ditën e shtunë për të shkuar në shkollë. Por sipas hetimeve paraprake ka rezultuar se kanë marrë një autobus për në Castelfranco, në provincën e Venetos.
Prindërit të shqetësuar që nuk janë kthyer në shtëpi për drekë, kanë dalë t’i kërkojnë dhe më pas kanë shkuar në polici për denoncim.
Karabinierët e Castelfrancos, kanë vijuar me kërkime gjatë gjithë ditës të shtunë dhe të dielës, por nga vajzat nuk ka ende asnjë gjurmë.
Një arratisje e vullnetshme, është pista kryesore që mendojnë karabinierët dhe që i ka hedhur në dëshpërim familjet.
Shkak për largimin e vullnetshëm të vajzave, mund të kenë qenë qortimet e prindërve për mbarëvajtjen e tyre në shkollë.
Këta të fundit i kanë bërë apel të bijave për t’u kthyer në shtëpi, ndërkohë që u është kërkuar kujdo që mund të ketë informacion të lajmërojë policinë./Klan