Një 43-vjeçar shqiptar ka humbur jetën gjatë një aksidenti të ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes më 19 maj në Castelnuovo di Bergonovo në Itali.
43 vjeçari ka humbur jetën pasi u përplas me një pemë. Mediat italiane shkruajnë se viktima është Dritan Mera.
Sipas të njëjtave burime, 43-vjeçari shqiptar e ka kaluar mbrëmjen në shoqërinë e miqve të tij në një lokal në zonë. Por teksa po shkonte drejt La Pernice, ka humbur kontrollin e makinës së tij, një Peugeot 308, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një pemë. Në vendin e ngjarjes shkoi menjëherë urgjenca.
Mera u gjet pa ndjenja në timon mes llamarinave të shkatërruara. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për ta nxjerrë nga aty. Fatkeqësisht lëndimet e marra ishin të rënda dhe mjekët konfirmuan vdekjen e shqiptarit.
Për këtë ngjarje kanë nisur hetimet. Trupi i pajetë është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Siç duket nga këto pamje, përplasja ka qenë shumë e rëndë. Për pasojë është dëmtuar pjesa e përparme e makinës.