Lajm i bujshëm nga Italia. Juventusi është vënë në gjurmët e mbrojtësit Mario Mitaj. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta “Tuttosport”, e cila është pranë klubit bardhezi. Drejtori teknik Giuntoli ka bërë listën e blerjeve të reja, ku figuron edhe ylli kuqezi.
Mitaj do të jetë në vëzhgim nga klubi i Juventusit në miqësoren kundër Kilit në Parma. Ai ka qenë padyshim një prej zbulimeve më të mëdha të Kombëtares shqiptare.
Vetëm 20 vjeç, por me një personalitet mbresëlënës në fushë, njësoj si një lojtar me eksperiencë. Për më tepër ka një teknikë të jashtëzakonshme dhe aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, rol që mbetet gjithmonë i kërkuar në treg.
Mitaj luan te Lokomotiva e Moskës prej vitit 2022, me klubin rus që e bleu për 3 milionë euro nga AEK-u i Athinës. Momentalisht vlera e tij në treg përllogaritet në 6 milionë euro.