Një 22-vjeçar shqiptar ka mbetur i plagosur në punë pas shpërthimit të një granate dore.
Sipas mediave italiane ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes në rrugën Nizza 31 në Torino.
Nga një rikonstruksion i parë dhe përmbledhës i fakteve, punëtori kishte patur si qëllim të zhvendoste disa rrënoja me një lopatë në oborrin e ndërtesës. Mirëpo, në këto mallra shtëpiake ishte edhe pajisja, me gjasë e Luftës së Dytë Botërore, e cila u aktivizua, duke shpërthyer.
Zjarrfikësit, personeli shëndetësor i ambulancës, karabinierët e stacionit të San Salvario, dhe prokurorja e qytetit Rossella Salvati, e cila koordinon hetimet ishin në vendngjarje.
Punëtori u dërgua në spital dhe ka marrë dëmtime në këmbë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.