Mbi 90 mijë persona vuajnë nga problemet kardiovaskulare në vendin tonë sipas Institutit të Shëndetit Publik. Në Ditën Botërore të Zemrës në pedonalen e Tiranës u kryen konsulta falas me mjek specialistë për të gjithë kalimtarët e interesuar.
Sa i përket vdekshmërisë, gjatë vitit 2022 kanë humbur jetën rreth 13 mijë persona për shkak të problemeve shëndetësore që lidhen me sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut.
“Vdekjet nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve në vend dhe këto përbëjnë rreth 54.5% të gjithë vdekjeve në mbarë vendin. Në grupin e vdekjeve të sëmundjeve të aparatit të qarkullimit të gjakut peshën kryesore e zënë vdekjet nga sëmundjet kronike të zemrës me 42% dhe më pas vijojnë vdekjet nga sëmundjet e enëve të trurit me 22.5% dhe vdekjet nga sëmundjet ishemike të zemrës me rreth 22%.”
Ekspertët e shëndetësisë tregojnë se sëmundjet kardiovaskulare kanë prekur vitet e fundit edhe moshat e reja, ndaj parandalimi i tyre mbetet i rëndësishëm.
“Ne vërtet nuk mund të ndryshojmë gjenet tona, por mund të ndryshojmë mënyrën e jetesës. Mund të mjekojmë hipertensionin arterial që ka një numër të madh, një përqindje rreth 40 e ca % të popullsisë me hipertension që është një faktor i rëndësishëm për sëmundjet e zemrës.”
Në Ditën Botërore të Zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, specialistët këshillojnë qytetarët të kryejnë vizita të shpeshta, aktivitet fizik dhe të konsumojnë një dietë sa më të shëndetshme./ Klan News