Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj është thirrur këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gazetarja Glidona Daci raporton se Lleshaj është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për një çështje nën hetim nga SPAK.
Po sipas gazetares, Prokuroria e Posaçme po kryen hetime pas dyshimeve për abuzime me tenderat në kohën kur Lleshaj drejtonte Ministrinë e Brendshme. Ish-ministri mësohet se është pyetur mbi një orë.
Sandër Lleshaj qëndroi në postin e ministrit të Brendshëm nga Nëntori i vitit 2018, deri në Dhjetor të 2020-s. Ai dha dorëheqjen nga ky post pas protestave që shkaktoi vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.