Te Fundit

Ish-marinsi evakuohet nga Kabuli me 200 qen dhe mace, le mbrapa stafin


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 15:39 - 31/08/21 |
Opi Nion

Një ish-marins britanik, i cili zhvilloi një fushatë të profilit të lartë për t’u larguar nga Afganistani me gati 200 qen dhe mace, është evakuuar, por pa stafin afgan të cilët u lanë në Kabul.

Sipas Associated Press, një charter i financuar nga donacionet e mbledhura javët e fundit në rrjete sociale, çoi Paul Farthing dhe kafshët e tij në aeroportin Heathroë në Londër.

Iain McGill, një veteriner i përfshirë në këtë çështje, tha se kafshët dukeshin të shëndetshme dhe ishin vendosur në karantinë.

Farthing, i cili  kishte hapur strehën për kafshët në Kabul, ‘Nowzad”, shërbeu për forcat britanike në Afganistan 15 vjet më parë dhe kishte të drejtën për evakuim në transportin ajror ushtarak të Britanisë së bashku me anëtarët afganë të stafit të tij. Por ai nuk pranoi të largohej pa kafshët.

Për ditë të tëra, Farthing përdori mediat sociale dhe intervistat për shtyp për të komunikuar përpjekjet e tij për t’u larguar kafshët e tij në kohën e një eksodi kaotik nga aeroporti i Kabulit. Përkrahësit e tij lobuan tek qeveria britanike për ndihmë.

Farthing fitoi mbështetjen e shumë personazheve të famshëm si dhe pati shumë oferta për të adoptuar kafshët e shpëtuara.

Por shumë persona të tjerë gjithashtu kritikuan fushatën e tij duke thënë se po shpenzon kohë dhe energji nga detyra e shpëtimit të afganëve në rrezik nga sundimtarët talebanë.

Britania thotë se ka evakuuar më shumë se 15,000 qytetarë britanikë dhe afganë të cilëve u rrezikohet jeta, ndërsa operacionet përfunduan të shtunën. Por zyrtarët thonë se deri në 1,100 afganë që kishin të drejtë të vinin në Britani të Madhe janë lënë prapa./Opinion.al

Pas