Kryesore

Ish-Komandanti i UÇK Agim Çeku shkon në Hagë si i dyshuar


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:54 - 27/09/20 |
Opi Nion

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjitshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku, i cili më vonë u bë kryeministër i vendit, nesër (28 shtator) do të intervistohet në Hagë. Lajmin e ka konfirmuar Klan Kosova përmes avokatit të tij, Artan Çerkini i cili është shprehur: “Po, z. Çeku e ka bërë të ditur edhe vet më 3 shtator, se do të intervistohet në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit”. Intervistimi pritet të mbahet në orën 9:30.

Si një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Çeku u gjykua në mungesë nga Serbia për pasjen e përgjegjësisë komanduese për vdekjen e 669 serbëve dhe 18 jo-shqiptarëve të tjerë.

Më pas gjykata serbe e dënoi atë me 20 vjet burg në mungesë dhe Beogradi i kërkoi Interpolit të lëshonte një “njoftim të kuq” ndërkombëtar për arrestimin e tij, gjë e cila bëri që zyrtarët bullgarë ta ndalonin dhe ta mbanin atë për dy ditë në qershor 2009.

Çeku ka qenë gjithashtu Ministër i Forcës të Sigurisë së Kosovës nga shkurti 2011 deri në dhjetor 2014, kur ai u bë zv/kryeministër në qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa, kreu i partisë kryesore aktuale qeverisëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK.

Gjatë kohës që Çeku ishte ministër, ai u emërua kryetari i komisionit i ngarkuar për të verifikuar statusin e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mënyrë që t’u mundësonte atyre marrjen e pagesave të ndihmës sociale.

Kujtojmë se në Korrik, zyra e Prokuroit të Specializuar në Hagë, intervistoi edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Nga janari 2019 janë intervistuar më shumë se 200 persona, përfshirë ish-eprorë të UÇK-së, ish-deputetë, kryetarë komunash e qytetarë të thjeshtë.

Pak ditë më parë në media është publikuar edhe një dosje e cilësuar si e  Prokurorisë Speciale, sipas të cilës drejtuesit e UÇK akuzohen për të paktën 87 vrasje gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Eulexi ka arrestuar gjatë këtyre ditëve Salih Mustafën, ish-shef i inteligjencës së FSK-së dhe ish-eprori i UÇK-së në zonën Operative të Llapit si dhe nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj./Opinion.al

Pas