Amir Rrahmani është lojtari i vetëm shqiptar që luan për Dinamon e Zagrebit. Mbrojtë- si, që ka qenë pjesë e Kombëtares kuqezi dhe tashmë e Kosovës, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka komentuar shortin që vuri Skënderbeun përballë kroat- ëve. Rrahmani pret një ndeshje që do të vendoset nga detajet, ndërsa mendon se do të ishte dështim i madh për Dinamon nëse eliminohet nga korçarët.
Dinamo Zagreb-Skënderbeu në “play-off” të Ligës së Europës. E mendonit se shorti mund të rezervonte një përballje të tillë?
Në fakt, ditën kur u hodh shorti e kemi pasur pushim dhe nuk e kemi ndjekur të organizuar si ekip. Kemi qenë të angazhuar në ndeshjen e kthimit ndaj Od në Norvegji dhe mbërritëm në Kroaci pas një udhëtimi disi të lodhshëm, kështu që të them të drejtën, pak e kemi pasur mendjen te shorti, duke qenë se të dielën, na pret derbi me Hajdukun e Splitit. Megjithatë, diçka e bukur që do të kemi përballë Skënderbeun.
Nga kush e morët telefonatën e parë për sfidën me korçarët?
Shortin nuk e ndoqa “live”, por më sinjalizuan shumë shokë nga Shqipëria që do të luanim me Skënderbeun. Më erdhën disa mesazhe radhazi në telefon dhe aty nisa të interesohem.
Nga klubi, ju kontaktuan për t’ju pyetur qoftë edhe për kortezi, duke qenë se keni luajtur në kampionatin shqiptar?
Vetëm me disa bashkëlojtarë kam folur, të cilët u interesuan të dinë për Skënderbeun. Trajneri dhe drejtuesit ende nuk më kanë thënë diçka. Megjithatë, nuk është e nevojshme shumë të më pyesin, pas Dinamo e Zagrebit, vetëm dy vite më parë ka luajtur me Skënderbeun.
Gjithsesi, në klub do kenë mbetur të kënaqur nga një short i tillë?
Në grupin e ekipeve të mundshme që mund të luanim, kishte edhe klube të tjera, mes tyre një lituaneze, që ndoshta ishte më e preferuara për ne. Skënderbeu është një klub, i cili vlerësohet mjaft nga Dinamo.
Ju i njihni mirë të dyja skuadrat, të cilat kanë ndryshuar jo pak që nga ndeshja e fundit mes tyre. Çfarë prisni të ndodh më 17 dhe 24 gusht?
Nuk mund të them se jemi superfavoritë në krahasim me Skënderbeun. Gjithsesi, unë kam bindjen se Dinamo është më e avantazhuar për të kaluar më tej, për disa arsye.
Unë mendoj se diferencat mes skuadrave janë të vogla dhe pavarësisht se dy vite më parë Dinamo fitoi bindshëm, gjërat janë zvogëluar ndjeshëm. Nuk mund të themi tani që jemi shumë të favorizuar. E keni parë se çfarë ka ndodhur këtë edicion në Kupat e Europës, ku shumë klube me emër janë eliminuar. Sot çdo skuadër mund të të prishë punë, jo më Skënderbeu.
Te Skënderbeu e kanë pritur mirë, madje mendojnë se Dinamo nuk është aq e frikshme sa dy vite më parë…?
Situatat kanë ndryshuar, pasi Dinamo ka humbur titullin dhe Kupën e Kroacisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Skënderbeun, kështu që pak a shumë skuadrat kanë pësuar ndryshime identike.
Megjithatë, në fund të fundit, Dinamo është skuadër e madhe dhe tradita e saj është që çdo sezon të jetë pjesë e grupeve të Champions-it ose Ligës së Europës.
Do të ishte një dështim shumë i madh për klubin, nëse nuk kalojmë Skënderbeun, pasi për çdo vit Dinamo ka qenë pjesë e fazës së grupeve. Klubi na ka vendosur si objektiv madhor fitimin e kampionatit, të Kupës dhe pa diskutim pjesëmarrjen në grupe.
Prisni të jeni në fushë ndaj Skënderbeut në ndeshjen e parë apo është diçka që nuk e mendoni për momentin?
Të jem i sinqertë, si unë dhe skuadra nuk mendojmë fare për Skënderbeun. Ndeshjet e kampionatit janë shumë të rëndësishme për ne. Me kalimin e ditëve do të fillojmë të interesohemi më shumë për Skënderbeun.
Ndeshja e parë luhet në Zagreb, më mirë apo më keq për Dinamon?
Nuk ka asnjë rëndësi kjo për klubin, unë mendoj se është njësoj si të luanim ndeshjen e parë në Shqipëri apo këtu në “Maksimir”. Rëndësi ka të fitojmë bindshëm dhe të mos pësojmë në fushën tonë. Pastaj, në Shqipëri do ta mbysim në gola Skënderbeun (qesh). Unë, personalisht, pres dy ndeshje shumë të forta dhe mendoj se do të vendosin detajet e vogla se cili do të kualifikohet.
Kush janë miqtë tuaj më të mirë te Skënderbeu?
Latifi, Gavazaj dhe Jashanica. Janë të gjithë futbollistë të mirë, sidomos Latifi. Me Liridonin njihemi që të vegjël, po ashtu edhe me Gavazajn. Gjithsesi, më i rrezikshmi është padyshim Latifi.
Deri më tani keni luajtur vetëm 22 minuta në kampionatin kroat dhe tre minuta në Ligën e Europës. Kaq e vështirë është për të zënë një vend te Dinamo e Zagrebit?
Natyrisht që është e vështirë, por gjithsesi unë do të kem momentin tim. Kur erdha te Dinamo, kam gjetur dyshen e mbrojtjes që ka luajtur rregullisht dhe ata kanë përparësi më shumë se unë. Gjithsesi, kjo nuk më demotivon, sepse unë e di që do të kem minutat e mia dhe jam i sigurt për këtë. Përveç kampionatit dhe Kupës së Kroacisë, jemi edhe në Ligën e Europës, kështu që jam i bindur se do të luaj rregullisht./Panorama Sport