Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch u tha ligjvënësve të premten se Presidenti Donald Trump i ka bërë presion Departamentit të Shtetit për largimin e saj nga detyra.
Në një deklaratë të saj të siguruar nga “Associated Press”, Yovanovitch shkruante se largimi i saj në muajin maj ishte “i papritur” dhe se i ishte thënë se presidenti e kishte humbur besimin tek ajo.
Ish-ambasadorja tha gjithashtu se një zyrtar i kishte thënë se kundër saj “po zhvillohej një fushatë e bashkërenduar” dhe se Trump prej rreth një viti kishte bërë presion ndaj zyrtarëve për ta hequr atë.
“Megjithëse e kuptoj se jam caktuar dhe hiqem nga presidenti, ishte tepër e pabesueshme që qeveria amerikane zgjedh të largojë një ambasador mbi pretendime të pabaza e të rreme nga njerëz me motive qartësisht të dyshimta”, shkruante në deklaratën e saj Yovanovitch.
Yovanovitch u paraqit në Capitol Hill të premten për një seancë dëgjimore në kuadër të hetimit që po kryejnë demokratët me qëllim ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit.
Ajo pranoi ftesën e ligjvënësve për të dëshmuar pavarësisht deklaratës së Trump se askush nga administrata e tij nuk do të bashkëpunojë me hetimin, të cilin e konsideron si antikushtetues./ Opinion.al