Presidenti iranian, Hassan Rohani deklaroi se Irani nuk do të dialogojë me Shtetet e Bashkuara nëse ato nuk heqin të gjitha sanksionet kundër Republikës Islamike.
Deklarata vjen pak pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se është i hapur për takim me Rohanin por në një moment të dytë dhe në rrethana të duhura.
Në një fjalim të transmetuar në televizionin shtetëror iranian, Rohan tha se Irani është i gatshëm për bisedime, mirëpo “fillimisht, SHBA-ja duhet të heqë të gjitha sanksionet e paligjshme dhe të padrejta, të vendosura kundër Iranit”.
Rohani përsëriti se vendi i tij nuk ka dashur kurrë armë bërthamore dhe shtoi se Teherani do të vazhdojë të tërhiqet nga angazhimet që i parasheh marrëveshja bërthamore e vitit 2015, nëse interesat e Iranit nuk janë të garantuara.
Tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur qëkur Uashingtoni, është tërhequr nga marrëveshja bërthamore midis Teheranit dhe fuqive botërore dhe ka vendosur sanksione të ashpra mbi ekonominë iraniane.
Pesë vendet e tjera, përfshirë Francën, Britaninë dhe Gjermaninë, mbeten të përkushtuara ndaj marrëveshjes, me të cilën Teherani ka rënë dakord të zvogëlojë aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve./Opinion.al