Akuzat se një imam karizmatik dhe ndjekësit e tij kanë qenë duke shpërndarë materiale propagandistike të ISIS dhe duke ndihmuar militantët islamikë, zbulojnë një histori më të thellë mbi një bashkësi të margjinalizuar.
Në një mëngjes të ftohtë më 25 nëntor 2014, lagjja e romëve në qytezën Pazardjik në jug të Bullgarisë u zgjua në mënyrë të pazakontë. Rreth orës 6 të mëngjesit, forcat speciale të policisë me mjete të blinduara hynë në rrugët me baltë, ndërsa agjentë me maska dhe të armatosur rëndë bastisën disa ndërtesa, përfshirë edhe xhaminë Ebu Bekër.
Një imam vendas, Ahmed Moussa, qe i pari që u ndalua nga policia. Në fund të ditës, 26 vetë u arrestuan në një operacion të përbashkët të Agjencisë Shtetërore për Siguri Kombëtare (SANS) dhe prokurorët që po hetonin shpërndarjen e propagandës të militantëve islamikë. Policia kërkoi më shumë se 40 shtëpi në lagjen Iztok dhe në vendndodhje të tjera për materjale që mbështesnin ISIS, grupin e dhunshëm islamist që kontrollon një pjesë të madhe të Sirisë dhe Irakut.
Një grup burrash me mjekër në oborrin e xhamisë shprehu zemërim ndaj gazetarëve. “Ne nuk kemi fare të bëjmë me ISIS. Unë i njoh ata aq shumë sa ju njoh edhe ju,” tha një burrë i gjatë. Një copë letër qe ngjitur në festen e tij ku shkruhej në arabisht: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” – një frazë që përdoret edhe në flamujt e zinj të militantëve të ISIS, por që është gjithashtu një nga shtyllat e besimit islam.
Shtatë muaj më vonë, në korrik 2015, prokurorët ngritën akuza kundër 14 myslimanëve, – përfshirë Moussa – nga Pazardjik dhe nga zona përreth, përfshirë Plovdiv, Asenovgrad dhe Startsevo, duke i akuzuar ata për nxitjen e urrejtjes fetare përmes predikimeve dhe për nxitje lufte përmes shpërndarjes së propagandës së ISIS.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN siguroi aktakuzat dhe mundi të zbulojë detaje të reja mbi akuzat kundër grupit, përfshirë pretendimin se Moussa dhe dy të tjerë kanë ofruar mbështetje për xhihadistët e huaj që kanë udhëtuar drejt Sirisë.
Tre nga të akuzuarit i kanë pranuar akuzat. Njëri nuk ka bërë deklaratë. Të tjerët, përfshirë Moussa dhe të dyshuarit e përmendur në këtë artikull, janë deklaruar të pafajshëm.
Gjyqi, i cili është vonuar për arsye procedurale, do të përcaktojë nëse Moussa dhe të akuzuarit e tjerë kanë shkelur ndonjë ligj. Por historia e Moussa dhe shokëve të tij është më e gjerë se kaq – për atë se si Salafizmi, një degë fondamentaliste e Islamit që aderon në mënyrë të rreptë te traditat dhe praktikat e kohës së Profetit Muhamed, ka ngulur rrënjë në bashkësinë e tyre në Iztok, një vend ku kjo rrymë nuk kishte fare ndikim.
Dekada të tëra neglizhence nga shoqëria bullgare dhe institucionet i ka lënë shumë romë të ndjehen të margjinalizuar dhe ka krijuar një terren pjellor për fondamendalistët fetarë, sipas banorëve vendas dhe ekspertëve, në bashkësitë rome dhe në radikalizëm.
Për dy vjet, Bullgaria i ka përkushtuar vëmendje dhe burime të konsiderueshme ndërtimit të një gardhi përgjatë kufirit për të mbajtur jashtë refugjatët dhe migrantët nga Lindja e Mesme. Por për një kohë shumë më të gjatë, ajo ka qenë duke ndërtuar mure mes vetë bashkësive të saj.
Të akuzuarit, ndërkohë, janë ende duke pritur të dalin në gjykatë. Një gjykatës vendosi më 2 dhjetor 2015 se gjyqi nuk do të vijojë për shkak se aktpadia fillestare qe e paqartë dhe se përmbante shkelje procedurale. Prokurori dorëzoi menjëherë një aktpadi të ndryshuar në përshtatje me shqetësimet e gjykatës, gjë që do të thotë se tani gjyqi mund të fillojë rreth vitit 2016.
Tri nga të akuzuarit kanë pranuar akuzat. Njëri nuk ka bërë deklaratë fajësie apo pafajësie. Të tjerët, përfshirë Moussa dhe të dyshuarit e tjerë të përmendur në këtë shkrim, janë deklaruar të pafajshëm.
Predikuesi dhe ndjekësit e tij
Moussa, 40 vjeç, është predikues karizmatik salafist me dy dënime të mëparshme për përhapjen e urrejtjes fetare.
Të 13 njerëzit e tjerë të akuzuar nga prokurorët pas bastisjeve të vitit 2014 dyshohen se janë anëtarë të rrethit të ngushtë të Moussa. Shumica, si edhe vetë Moussa, nuk kanë punësim të rregullt, kanë vetëm arsimin bazë dhe organizojnë aktivitete fetare në bashkësitë e tyre.
“Ai nuk ka racionalitet, por paradoksalisht kjo është çfarë e bën atë udhëheqës.” – avokati Harry Haralampiev për Ahmed Moussa
Lagjja e Moussa, Iztok, gjendet në zemër të Pazardjik por megjithatë ndjehet e ndarë nga pjesa tjetër e qytezës. Infrastruktura është e varfër dhe transporti publik nuk kalon aty. Shumica e 20 mijë banorëve të saj flet turqisht si gjuhë e nënës. Shoqëria bullgare në përgjithësi i konsideron ata si romë, megjithëse ata shpesh e identifikojnë veten si turq, ose thjeshtë si myslimanë. Në të shkuarën ata nuk qenë besimtarë të zellshëm, pjesërisht për shkak se religjoni u shtyp gjatë kohës së komunizmit. Ata praktikonin një formë idiosinkratike të Islamit që gërsheton edhe elementë të kristianizmit dhe paganizmit.
“Kur ne dëgjonim kukuvajkën të qajë, besonim se dikush do të vdiste. Këto qenë llojet e besimeve që ne kishim,” thotë një burrë nga kjo bashkësi. “Kjo nuk është islamike”.
Siç e thotë Abdullah Salih, kryemyftiu i rajonit Pazardjik: “Ata patën lindur si myslimanë. Ata thonin se janë myslimanë por nuk vepronin si myslimanë në jetët e tyre të përditshme. Ata kanë filluar të mësojnë që nga ajo kohë.”
Pasi ra komunizmi më 1989, grupime të ndryshme fetare gjetën audiencë të interesuar mes romëve. Disa myslimanë bullgarë udhëtuan në Turqi dhe në Lindje të Mesme për të thelluar diturinë e tyre fetare.
Ata sollën pas zakone dhe rituale të panjohura, të cilat shkaktuan një konflikt mes imamëve të rinj dhe atyre të vjetër.
Moussa qe kristian deri në moshën 20 vjeçare, kur merrte pjesë në kishën evangjelike të zonës, por më pas u bë përfaqësues i Islamit të ri në Iztok. Dokumentet gjyqësore nga dënimet e tij të mëparshëm paraqesin shkurtimisht transformimin e tij. Gjatë një vizite në Austri në mes të viteve ’90, ai u konvertua në Islam dhe më pas ndoqi një kurs njëvjeçar për imamë në fshatin bullgar të Surnitsa. Ai u njoh me idetë Salafiste nga mësuesi i tij atje, i cili kishte një diplomë fetare nga Arabia Saudite.
I diagnostikuar me një kombinim të depresionit dhe skizofrenisë në rininë e tij, Moussa nuk ka licencë për të qenë imam nga autoriteti zyrtar i myslimanëve në Bullgari. Pavarësisht kësaj, ai e ktheu shtëpinë e tij në vend faljeje dhe filloi të predikojë.
Ai më vonë u bashkua me xhaminë Ebu Bekër, e cila qe ndërtuar në vitin 2002, pjesërisht me financime nga një fondacion saudit. Ai predikonte më herët gjetkë – në kafene dhe në rrugë, në dasma dhe funerale. Idetë e tij udhëtuan përmes Skype dhe YouTube në qytezat fqinje dhe në bashkësitë e emigrantëve në Europën Perëndimore.
Moussa u bë shpesh autoritet për disa njerëz në lagje, të cilët thanë se ai është një njeri i mirë. Një grua thotë se ai mund ta “copëtojë zemrën e tij dhe t’ia japë atë të varfërve”. Nën udhëheqësinë e tij përgjatë dekadës së fundit, ndjekësit e tij gradualisht ndryshuan pamje, zakone dhe sjellje. Ata braktisën emrat bullgarë për emra arabë. (Vetë Moussa e ka pasur emrin më herët Angel Stoyanov.) Ata filluan të festojnë festa myslimane, jo festat kombëtare – madje as ditëlindjet. Burrat mbajtën mjekra të gjata dhe filluan t’i presin flokët e tyre shkurt e të veshin rroba të gjata. Gratë filluan të mbulojnë fytyrat e tyre pas ferexheve.
Përhapja e propagandës dhe mbështetja e xhihadistëve?
Tashmë Moussa është i akuzuar për nxitjen e luftës përmes predikimeve të tij, si në internet ashtu edhe jashtë internetit, me një flamur të ISIS pas krahëve. Ai në mënyrë të përsëritur i ka thënë ndjekësve të tij se është detyrë e myslimanëve t’i bashkoheshin kalifatit të shpallur nga ISIS në Siri dhe Irak, përfshirë ushtrinë e ISIS, sipas dëshmisë së një dëshmitari të cituar në akuzë.
Një dëshmitar anonim i cituar në dokument pretendon se Moussa i kërkoi ndjekësve të tij të mblidhnin para për luftëtarët e ISIS gjatë Ramazanit. Ai akuzohet gjithashtu për përhapjen e urrejtjes fetare përmes një libri që mbart koncepte nga tradita Vahabi, e cila gjerësisht shihet si degë e islamit të vijës së ashpër dhe jotolerante.
Prokuroria ka akuzuar të gjithë të tjerët për përhapjen e urrejtjes fetare përmes përdorimit të medias sociale për të ndarë foto dhe video të luftëtarëve të ISIS, video të ekzekutimeve të ISIS dhe të këngëve fetare që bëjnë thirrje për xhihad ushtarak. Hetuesit gjetën foto të të akuzuarve që pozonin me flamuj dhe simbolika të tjera si feste, bluze dhe varëse celësash të lidhura me grupin militant. Akuza thotë se profilet e tyre në Facebook i paraqisnin ata duke treguar me gisht qiellin, një shenjë e përdorur gjerësisht nga mbështetësit e ISIS.
Moussa dhe dy ndjekësit e tij më të afërt nga Pazardjik, Stefan Alexandrov (i njohur si Suleiman) dhe Angel Simov (i njohur si Airi), janë akuzuar gjithashtu se kanë dhënë mbështetje logjistike për udhëtimin e tri xhihadistëve, të cilët shkuan për të luftuar në Siri.
Emrat e tyre janë: Said Husejinovic, një nënshtetas francez me origjinë boshnjake 33 vjeç, Murat Ayyildiz, një 38 vjeçar nënshtetas turk me leje qëndrimi në Gjermani dhe Izudin Crnovrsanin, një nënshtetas serb 26 vjeçar. Të gjithë thuhet se kanë marrë pjesë në veprime ushtarake në Siri.
Husejinovic dhe Ayyildiz janë ende duke luftuar për ISIS ndërsa Crnovrsanin u arrestua në Serbi në mars 2014 me akuzat për pjesëmarrje në luftën e Sirisë, sipas një deklarate të SANS të lëshuar në përgjigje të pyetjeve të BIRN.
Akuza thotë se dy nga këto burra vizituan Pazardjik në rrugën e tyre drejt Sirisë në nëntor 2013. Si Husejinovic ashtu edhe Crnovrsanin qëndruan në shtëpinë e Moussa dhe vizitat e tyre përkuan me njëra-tjetrën. Ayyildiz vizitoi shtëpinë e Alexandrov në verën e vitit 2014.
Së paku 332 luftëtarë të huaj nga Europa perëndimore dhe Ballkani perëndimor kanë kaluar përmes Bullgarisë në rrugën e tyre drejt Sirisë dhe Irakut mes fillimit të vitit 2013 dhe qershorit të këtij viti, megjithëse jo të gjithë arritën në fushëbetejë, tha SANS në deklaratën e saj.
Prokurori përgjegjës për çështjen refuzoi kërkesën e BIRN për të intervistuar Moussa, i cili mbetet në arrest në pritje të gjyqit.
Nuk është ende e qartë se cili do të jetë avokati i Moussa, nëse gjyqi zhvillohet, por Harry Haralampiev, një avokat i cili e mbrojti atë në dy gjyqet e mëparshme, shprehu dyshime mbi pretendimet se predikuesi strehoi xhihadistë.
“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë unë bëj një pyetje retorike: pse nuk i arrestuan autoritetet këta njerëz që po udhëtonin përmes Bullgarisë? Pse nuk i arrestuan dhe i ekstraduan ata menjëherë?” thotë ai.
Haralampiev e përshkruan Moussa si një njeri kompleks. “Ai ka një ndikim manjetik mbi bashkësinë e tij,” thotë ai. “Ai nuk ka racionalitet, por paradoksalisht kjo është ajo që e bën atë udhëheqës.”
Qëndrojnë mënjanë
Njerëzit në Iztok thonë se ndjekësit e Moussa, të vlerësuar diku mes 300 dhe 500 vetëve, e mbajnë veten të mënjanuar nga të tjerët në lagje.
Zoya Simeonova, e cila menaxhon një qendër komunitare të drejtuar nga këshilli i zonës, rikujton një grup fëmijësh që u shfaqën në derën e saj një ditë. “Ata më thanë se nuk mund të vinin më në qendrën komunitare për shkak se ata qenë myslimanë”, thotë ajo. “Kjo është koha kur kuptova se fëmijët po mbaheshin larg institucioneve publike.”
Sasho, një 50 vjeçar, ofron një shembull tjetër ndërsa është ulur një ditë të nxehtë jashtë një dyqani kebapësh dhe kafeneje që ai ka nën pronësi në qendër të Iztok. “Ju e shihni,” thotë ai duke treguar me gisht ndaj klientëve të një kafeneje fqinje. “Ata me mjekër nuk vijnë të ulen këtu.” Ai thotë se njërëzit nga bashkësia e Moussa shkojnë të vizitojnë vetëm konkurrentin e tij, për shkak se ai është një mysliman: “Ata nuk komunikojnë më me të tjerët.”
Myslimanë të tjerë në Iztok ndajnë opinionin e tij dhe hedhin poshtë interpretimin e Islamit sipas Moussa. “Unë nuk mund të jetoj siç jetonin ata një mijë vjet më parë. Unë parapëlqej atë rrymë islami që korrespondon me jetën bashkëkohore”, thotë Yashar Angelov, një zyrtar 55 vjeçar që punon në bashki në Pazardjik.
Ai thotë se Moussa ka pasur edhe ndikim pozitiv – disa njerëz kanë hequr dorë nga alkooli dhe nga droga, për shembull – por Angelov ka humbur shumë miq të cilët e shkëputën veten nga pjesa tjetër e bashkësisë.
“Po, bashkëshortja ime mban ferexhe por a e bën kjo atë terroriste?” – Rujdi Zakir, anëtar i grupit të Moussa.
Marrëdhëniet mes një grupi të vogël kristianësh në Iztok dhe ndjekësve të Moussa janë edhe më të tensionuara. Në një fast food të mbushur me biseda të zhurmshme punëtorësh ndërtimi në drekë, Yanko Angelov, djali i një pastori evangjelist të zonës, ngre bluzën e tij për të treguar një pistoletë në brez. Ai thotë se e ka mbajtur armën me vete për mbrojtje që kur babai i tij u sulmua në vitin 2005. Katër vjet më parë, pretendon ai, një grup burrash myslimanë nga Iztoku rrahën rëndë me shkopinj dhe shifra hekuri një pastor tjetër dhe shokët e tij.
Angelov është i bindur se këto sulme kishin motive fetare, megjithëse ato shfaqen në regjistrat e policisë thjesht si “krime kundër rendit publik dhe paqes.” Ai thotë se konfliktet mes evangjelistëve dhe “Talebanëve”, siç i quan ai ata, janë të zakonshme në Iztok.
“Gjenocid ekonomik”
Disa njerëz sugjerojnë se arsyeja se pse ndjekësit e Moussa kanë përqafuar Salafizmin janë kryesisht jofetare.
“Problemet kryesore në këtë lagje janë shoqërore dhe ekonomike,” thotë Yashar Sali, fytyra e ‘Islamit Zyrtar; në Pazardjik si imami i xhamisë qendrore të qytetit. “Nëse ata kanë një jetë normale, nuk do t’ua ndjejë shumë për rrymat e ndryshme,” thotë ai, duke pretenduar se njerëzit nga Iztok janë braktisur nga shteti dhe i janë nënshtruar “gjenocidit ekonomik”.
Stolipinovo, lagjja më e madhe rome në qytetin Plovdiv. Foto: Zornitsa Stoilova. Stolipinovo, lagjja më e madhe rome në qytetin Plovdiv. Foto: Zornitsa Stoilova.
Ndërsa Bullgaria kaloi në ekonominë tregut në vitet 1990, romët qenë mes atyre që u goditën më rëndë. Shumë qenë të punësuar në fabrikat shtetërore që u mbyllën dhe kooperativat bujqësore që u shkatëruan. Shkurtimet e shpenzimeve në shëndetësi dhe arsim patën efekte veçanërisht negative për bashkësitë rurale dhe të izoluara në të cilat jetojnë shumë prej romëve. Ata u lanë me shumë pak akses në spitale, shkolla, kopështe, shërbime sociale dhe transport publik. Sipas censusit të vitit 2011, 60 për qind e romëve mbi 15 vjeç janë ekonomikisht inaktivë. Së paku dy gjenerata romësh janë rritur praktikisht analfabetë dhe në varfëri të thellë.
Antonina Jeliazkova, një antropologe dhe drejtuese e një organizate jofitimprurëse në Sofie që punon me minoritetet, thotë se nuk është habi që njerëzit në Iztok kërkojnë një identitet të ri. “Ata duan të ndjehen pjesë e diçkaje më të madhe, diçkaje që thyen muret e getoizimit të tyre,” thotë ajo.
Yanko Mishev, drejtuesi i vakëfeve të xhamisë Ebu Bekër në Iztok, thotë se punëdhënësit kanë paragjykime ndaj njerëzve të bashkësisë së tyre dhe nuk i japin punë. “Pazardjik është qyteti më racist i mundshëm,” thotë ai ndërsa pi një kafe turke pas faljes së të premtes.
Mishev është duke folur pak ditë para fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe Iztoku po pret për Gastarbeiter — ata që punojnë në Gjermani dhe vende të tjera europiane – që të kthehen për pushime.
Ai vlerëson se më shumë se gjysma e banorëve të lagjes punojnë jashtë vendit. “Nëse ju takoni ndonjë të ri në rrugë, ai do të ketë ikur brenda muajit,” thotë ai.
Lidhja gjermane
Puna në Gjermani i ofron romëve një mundësi ekonomike por hetimi zyrtar mbi Moussa dhe grupin e tij sugjeron se kjo mund të krijojë gjithashtu edhe lidhje të rrezikshme. Një dëshmitar i tha prokurorëve se një nga të akuzuarit, Angel Simov, u njoh me turkun që dyshohet se e ndihmoi të udhëtojë drejt Sirisë, ndërsa ata po punonin sëbashku në Gjermani.
Në Këln, në vitin 2011, vetë Moussa hyri në kontakt me organizatën radikale islamike turke me bazë në Gjermani Kalifatsstaat (‘Shteti Kalifat’) dhe ra dakord për të shpërndarë idetë e tyre, sipas dokumenteve gjyqësore. Autoritetet gjermane e ndaluan grupin në dhjetor të atij viti.
Një përfaqësues i një agjencie sigurie të Gjermanisë i tha BIRN se qe i informuar për Moussa, grupin e tij dhe lidhjet e tyre me Gjermaninë por nuk qe në gjendje të ofronte më shumë informacion.
Punëtorë bullgarë nga Pazardjik mblidhen në rrugën Hansemann në lagjen Ehrenfeld në Këln. Foto: Zornitsa Stoilova. Punëtorë bullgarë nga Pazardjik mblidhen në rrugën Hansemann në lagjen Ehrenfeld në Këln. Foto: Zornitsa Stoilova.
Këlni ka më shumë se 5 mijë banorë bullgarë, përfshirë shumë migrantë punëtorë nga Pazardjik. Grupet e tyre sorollaten në cepin mes rrugës Hansemann dhe rrugës me pemë Venloer, në lagjen Ehrenfeld. Ata janë atje qw rreth orës 6 të mëngjesit kur kamionët mbledhin punëtorët e ndërtimit dhe sërish në mbrëmje, kur pinë cigare ndërsa dita e lodhshme e punës i ka dhënë hije fytyrës.
Duke qëndruar në këtë cep është Rujdi Zakir, një njeri i imët dhe që flet lirshëm nga Pazardjik, i cili punon në një minierë qymyri në Këln. Anëtar i grupit të Ahmed Moussa, ai me zemërim denoncon politikanët dhe median në Bullgari, duke i akuzuar se po nxisin konflikte duke demonizuar imamin dhe ndjekësit e tij. “Ata thonë se ne jemi nga Shteti Islamik. Po, bashkëshortja ime mban ferexhe, por a e bën kjo atë terroriste?” pyet ai.
Ai krahason Bullgarinë me Gjermaninë, ku ai thotë se askush nuk po përpiqet të ndajë njerëzit sipas etnisë apo religjonit.
Eliza Aleksandrova, një bullgare e cila drejton qendrën për gra myslimane në Këln, ka mendime të ngjashme. Aleksandrova ndihmon familjet nga bashkësia e Pazardjik të gjejnë punë dhe të fillojnë kurse të gjuhës gjermane. “Shoqëria gjermane është e hapur për grupimet e ndryshme dhe kjo është arsyeja se pse ata kanë mundësi të fillojnë një jetë normale këtu,” thotë ajo. Ajo ka qenë duke ndjekur lajmet mbi hetimet mbi Moussa dhe ndjekësit e tij dhe është shqetësuar për këtë. Ajo është e bindur se autoritetet në Bullgari po e mbivlerësojnë problemin për shkak se ata dinë ose kuptojnë shumë pak nga religjoni, veçanërisht nga islami.
Parandalimi, më i mirë se sa dënimi
Pas në Bullgari, Ivelina Karabashlieva, një eksperte në parandalimin e radikalizimit, ka shqetësime mbi komplikimet e krijuara nga vendosja e Moussa dhe mbështetësve të tij në ndjekje penale. Ajo ka punuar në të njëjtën fushë në Hollandë dhe mendon se Bullgaria nuk ka përqasjen e duhur tërësore.
“Bullgaria duhet të investojë në parandalim. Nuk mund të ndryshosh mendësitë me dënime,” thotë Karabashlieva.
Shteti duhet të ofrojë një alternativë ndaj propagandës së ISIS, thotë ajo. Kjo do të thotë se mësuesit duhet të jenë të përgatitur për të diskutuar këtë çështje me nxënësit dhe të dinë se si të dallojnë shenjat e radikalizimin. Punonjësit socialë dhe zyrtarët e këshillave vendore duhet të trajnohen në bazat e Islamit dhe Salafizmit për të kuptuar se çfarë është e rrezikshme dhe çfarë jo, thotë Karabashlieva.
Ndërmjetësuesi shëndetësor Asen Kolev, djathtas, flet me njerëzit në lagjen Stolipinovo të Plovdiv më 9 qershor 2015. Foto: Zornitsa Stoilova.
Ndërmjetësuesi shëndetësor Asen Kolev, djathtas, flet me njerëzit në lagjen Stolipinovo të Plovdiv më 9 qershor 2015. Foto: Zornitsa Stoilova.
Duke bredhur nëpër rrugët e pista të lagjes së romëve në Pazardjik dhe Plovdiv, Asen Kolev ndalon shpesh për të biseduar. Si ndërmjetës shëndetësor, puna e tij është të lidhë banorët vendas me shërbimet mjekësore shtetërore. Kjo i jep atij mundësinë të kuptojë ndjenjat e komunitetit.
Që nga koha e arrestimit të Moussa dhe ndjekësve të tij, thotë ai, është dëshpërimisht i nevojshëm ndonjë veprim nga autoritetet për të ulur zemërimin në këtë bashkësi. Ndoshta pak llamba ndriçimi në rrugë. Ose ndonjë festë e vogël për fëmijët. Një shenjë që dikujt prej udhëheqësve vendorë ia ndjen për këta njerëz. Por nuk ka pasur asgjë.
Cilët janë romët?
Romët janë një grup etnik i larmishëm me origjinë nga veriperëndimi i nënkontinentit indian, të cilët kanë bërë tradicionalisht një jetë nomade. Nëngrupet e romëve mund të dallojnë në kulturë, religjon dhe gjuhë.
Sipas Komisionit Europian, romët janë minoriteti etnik më i madh i Europës. Nga 10-12 milionë romët që jetojnë në të gjithë Europën, rreth 6 milionë jetojnë në Bashkimin Europian, shumica e të cilëve janë nënshtetas të BE-së. Bullgaria është mes tri vendeve të BE-së me popullsinë më të madhe rome, thotë Këshilli i Europës.
Akademikët thonë se shumë njerëz që i përkasin një grupi rom zgjedhin të mos e identifikojnë veten në këtë mënyrë për shkak se romët janë përballur vazhdimisht me diskriminim dhe margjinalizim. Në Bullgari, romët shpesh e quajnë veten bullgarë, turq apo vlleh. Vlerësimet për numrin e tyre variojnë nga 400 mijë në 800 mijë. (Popullsia totale e Bullgarisë u vlerësua 7.36 milionë në censusin e vitit 2011.)
Romët janë grupi etnik më i ri në Bullgari. Gati 57 për qind e popullatës rome është nën 30 vjeç, në krahasim me vetëm 28 për qind të bullgarëve etnikë. Vetëm 9 për qind e romëve ka përfunduar arsimin e mesëm dhe vetëm 0.5 për qind e romëve janë ekonomikisht aktivë.