Jaroslav Strnad, donatori kryesor i presidentit çek Milos Zeman ka blerë në mënyrë sekrete stoqe të mëdha armësh në Ballkan me ndihmën e një serie personazhesh famëkeqe vendase. Pazari ka përfshirë dhjetëra milionë fishekë të vjetër shqiptarë – shitja e të cilëve nga MEICO “shpërtheu” pas tragjedisë së Gërdecit.
Një investigim nga Projekti i Raportimit të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (OCCRP) dhe Partnerët zbulon se kompanitë e lidhura me Jaroslav Strnad, financuesin kryesor të fushatës zgjedhore të Zeman, ka blerë stoqe të mëdha armësh në Ballkan me ndihmën e disa personazheve të diskutueshëm, një prej të cilëve është hetuar për aktivitet kriminal.
Blerjet përfshijnë importimin në Republikën Çeke të dhjetëra miliona fishekë të vjetër kinezë nga stoqet në Shqipëri.
Strnad ka blerë gjithashtu fabrika të vjetra armësh me çmime të ulëta nga kompani të falimentuara në Ballkan, përfshirë një fabrikë armësh maqedonase në telashe financiare dhe së fundmi, një impiant që prodhon pjesë këmbimi ushtarake në Serbi.
Biznesi i Strnad në Ballkan gjithashtu ka përfshirë të paktën dy figura të lidhura me ish-shefin e fuqishëm të spiunazhit maqedona Saso Mijalkov, aktualisht në gjyq për përgjime të paligjshme.
Blerjet e armëve nga çekët shkojnë përtej Strnad. STV Group, një tjetër firmë çeke e drejtuar nga biznesmeni Martin Drda, gjithashtu bleu më shumë se 30 milionë fishekë nga stoqet shqiptare.
Nuk është e qartë përse kompanitë e kontrolluara nga Strnad dhe Drda i blenë municionet.
Por Strnad e krijoi reputacionin dhe pasurinë e tij në Republikën Çeke dhe Sllovaki si tregtar dhe prodhues armësh, çfarë sugjeron se armët që u blenë në Shqipëri janë shitur diku gjetkë.
Pyetja është: kujt ia shiti?
Municionet e vjetra kineze që Strnad bleu në Shqipëri janë shumë të lira dhe besohet të jenë jashtë gjendjes së punës – duke e bërë të vështirë të shiten në tregjet ndërkombëtare të ligjshme. Shtetet anëtare në NATO-s, përfshirë Republikën Çeke nuk përdorin municione të tilla. Shtetet e Bashkuara e kanë ndaluar importin e municioneve kineze që nga masakra e Sheshit Tiananmen në vitin 1989.
Stoqet shqiptare të municioneve kanë fituar një famë të keqe. Filmi hollivudian “Qentë e Luftës” (2016) u bazua në një përpjekje spektakolare të përfunduar keq të dy amerikanëve njëzet e ca vjeçarë, të cilët si trafikantë armësh u përpoqën të ripaketojnë dhe të shesin ilegalisht municione të tilla te qeveria amerikane.
Në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët, një përfaqësues i kompanive të Strnad konfirmoi blerjen e municioneve “të prodhimit kinez dhe rus” nga Shqipëria, por hodhi poshtë idenë se ishin në gjendje të keqe dhe këmbënguli se “shumica e këtyre municioneve u shit te klientë brenda Bashkimit Europian”.
Por ekspertët e armëve të konsultuar nga gazetarët ishin skeptikë.
“Kjo përgjigje nuk më duket e besueshme,” tha Georges Berghezan, një kërkues shkencor për Grupin për Kërkim dhe Informacion mbi Paqen dhe Sigurinë (GRIP).
“Tregu i klientëve [për municione ushtarake] në sektor privat është shumë i kufizuar në BE,” tha ai.
“Dhe nuk mund ta imagjinoj që forca sigurie publike në vendet e BE-së të jenë pajisur me municione të vjetra të stilit sovjetik”.
I pyetur se ku mund të eksportoheshin municione të tilla, Pieter D. Wezeman, kërkues i lartë në Institutin për Kërkime Paqeje në Stokholm, SIPRI, sugjeroi “Afrikën, do të thosha në pjesë të Lindjes së Mesme, vende si Iraku dhe mbase Afganistani”.
Përfaqësues të kompanisë STV Group nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.
Miq të ngushtë
Strnad gëzon një marrëdhënie të ngushtë me presidentin çek Milos Zeman dhe është donatori më i madh i fushatës së tij zgjedhore. 45-vjeçari zotëron disa kompani, shumica pjesë e grupit të tij çekosllovak CSG me interesa në transport, prodhim dhe armë. Strnad është pronar i Tatra Trucks, një nga prodhuesit më të vjetër të automjeteve në botë.
Të dhënat publike tregojnë se një nga firmat e biznesmenit, DAKO-CZ, ka kontribuar me një total prej 2 milionë korunash (US$ 92,160) drejt fushatës aktuale të Zeman për t’u rizgjedhur. Një tjetër firmë e lidhur me Strnad, Composite Components, është donatori i dytë më i madh i Zeman dhe ka dhuruar 1 milion koruna. Së bashku, dy firmat përbëjnë 2/3 e të gjitha kontributeve të fushatës së Zeman.
Zeman, një euroskeptik i cili ka kultivuar marrëdhënie të ngrohta me Moskën dhe Pekinin doli i pari me 39% të votave në raundin e parë të fushatës zgjedhore presidenciale çeke më 12 dhe 13 janar. Ai do të përballet me pro-europianin Jiri Drahos, një ish-profesor i inxhinierisë kimike, në raundin e dytë të votimit më 26-27 janar.
Bujaria e Strnad i ka dhënë atij akses te presidenti kontrovers çek. Zeman publikisht është mburrur me industrinë çeke të mbrojtjes dhe ka vizituar një nga firmat e Strnad, Excalibur Army, marsin e shkuar. Strnad shkoi në Rusi me Zeman si pjesë e një delegacioni biznesi nëntorin e kaluar, duke u kthyer me një kontratë për të ndërtuar dhe operuar një hangar për mirëmbajtjeje avionësh në Ulyanovsk.
Zeman gjithashtu ka kritikuar publikisht rregullat e vendit të tij për kontrollin e shitjes së armëve, duke u ankuar se masat që ndalojnë eksportin e tyre në vende nga ku mund të ri-eksportoheshin në zona konflikti po i marrin frymën biznesit.
Përpjekjet për kontrollin e shitjeve “në një mënyrë krejt të papërshtatshme kufizojnë eksportin tonë në vende pa embargo, me pretekstin se ekziston një rrezik i ri-eksportimi në vende të pasigurta,” tha Zeman majin e shkuar.
Sipas Wezeman, eksperti i armëve nga SIPRI, Republika Çeke eksporton sasi të mëdha armësh në vende si Iraku, Arabia Saudite dhe Nigeria.
Gazetarët nuk kanë gjetur prova se këto vende – ose destinacione të tjera të ndjeshme – janë përfituesit e municioneve që biznesmeni çek bleu në Shqipëri. Destinacioni i tyre përfundimtar është – deri më tani – i panjohur.
Por fakti se këto shit-blerje u realizuan në mënyrë sekrete, tregon natyrën e tregtisë së armëve që po ndodh në zemër të Europës.
Prodhuar në Kinë: Si i blenë kompanitë çeke stoqet e fishekëve shqiptarë
Në vitin 2008, një përpjekje e qeverisë shqiptare për të demontuar rezerva të vjetra të municioneve vdekjeprurëse të periudhës së regjimit komunist shkoi tmerrësisht keq.
Në mesditën e 15 marsit 2008, një seri shpërthimesh në një fabrikë demontimi në fshatin Gërdec ngriti një shtëllungë zjarri në qiell, qëlloi gëzhoja artilerish nëpër shtëpi dhe vala goditëse u ndjeh dhe në kryeqytet. Tragjedia vrau të paktën 26 persona.
Por tragjedia shqiptare rezultoi të ishte një mundësi për biznes për dy kompani rivale çeke.
Intervistat dhe dokumentet që OCCRP disponon tregojnë se shpërthimi i Gërdecit e nxiti qeverinë shqiptare që t’i shkatërrojë municionet e rrezikshme të periudhës komuniste dhe i hapi rrugën kompanive çeke, Real Trade Praha dhe STV Group, të kontrolluar nga manjatët e armëve Jaroslav Strnad dhe Martin Drda, t’i blejnë ato me çmime të lira.
Sipas dokumenteve të brendshme të Kompanisë shtetërore shqiptare të Import-Eksportit Ushtarak, MEICO, nga 2010 deri në 2015 Real Trade Praha – firma e lidhur me Strnad – dhe STV Group e kontrolluar nga Drda, blenë dhjetëra milionë fishekë kinezë në Shqipëri.
Dokumentet tregojnë gjithashtu se mbi 100 tonë eksploziv RDX u shit nga stoqet shqiptare te blerësit në Republikën Çeke, megjithë alarmin e ngitur nga diplomatët amerikanë në Tiranë mbi rrezikshmërinë e e materialit shpërthyes.
Blerjet e municioneve ngrejnë pikëpyetje se çfarë bënë kompanitë çeke më fishekët. Municioni kinez i stoqeve shqiptare shitet me vështirësi në tregun ndërkombëtar për shkak se është i vjetër dhe i pasigurt. Ky municion nuk përdoret nga ushtritë e shteteve anëtare në NATO, përfshirë atë të Republikës Çeke. Por bashkë me fishekët e vjetër çekë, municioni i vjetër kinez shpesh gjen rrugën drejt fushëbetejave në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
“Nuk ka interes nga ushtria apo policia [në Europë],” tha Pieter D. Wezeman, kërkues i lartë në Institutin e Kërkimit të Paqes Ndërkombëtare në Stokholm (SIPRI). “Nuk mund ta imagjinoj këtë”.
Sipas tij, blerësit tipikë të municioneve të tilla mund të jenë “vendet [që] kanë relativisht pak para për të shpenzuar, që janë në nevojë urgjente sepse kanë një konflikt në vazhdimësi dhe kanë një sistem prokurimi që nuk funksionon mirë”.
Georges Berghezan, një kërkues nga Grupi për Kërkim dhe Informim mbi Paqen dhe Sigurinë (GRIP), tha se kishte gjasa që “firmat çeke ta kishin ri-eksportuar municionin kinez-shqiptar te palët e treta dhe se municionet mund të kishin përfunduar në duart e rebelëve sirianë, kurdëve në Irak apo forcave qeveritare ose të sigurisë afgane”.
“Jemeni ose një vend tjetër afrikan i varfër dhe në konflikt si Sudani Jugor,” mund të jetë gjithashtu një destinacion i mundshëm.
Një grup i ndarë emailesh hedhin më shumë dritë mbi biznesin e kompanisë Real Trade Praha. Ato tregojnë se për të siguruar transportin e një dërgese municionesh, kompania kërkoi ndihmë nga Petar Crnogorac, një biznesmen serb i hetuar më parë për shitjen e armëve te luftëtarët islamikë në Libi.
“Isha i lumtur të nënshkruaja”
Dokumentet e MEICO-s zbulojnë detaje specifike rreth nëntë marrëveshjeve që kompania shqiptare e armëve bëri me kompanitë çeke.
Ato tregojnë se nga viti 2010 deri në 2015, MEICO shiti një total mbi 81 milionë fishekësh te Republika Çeke – shumica kinezë dhe kryesisht tipe të përdorura nga pushkë dhe mitralozë të stilit sovjetik . Gjithashtu shiti 358 predha mortaje dhe rreth 110 ton eksploziv RDX.
Nga 81 milionë fishekë, Real Trade Praha, një firmë nga portofoli i Strnad, importoi rreth 34 milionë fishekë të kalibrave të ndryshëm (si dhe 358 predha mortaje). STV Group i rivalit Drda importoi rreth 31 milionë fishekë të tjerë të kalibrit 7.62×39 mm, lloji i përdorur nga kallashnikovët AK-47 dhe armë të tjera të stilit sovjetik. Këto municione i shitën për një kosto totale prej 920,160 dollarë – rreth tre cent për plumb.
Pjesa tjetër e fishekëve – rreth 17 milionë – gjithashtu u shitën nga MEICO te Republika Çeke, por nuk është e qartë se cila kompani i bleu.
Sipas një kabllogrami të Departamentit të Shtetit të publikuar nga WikiLeaks, shitja e mundshme e eksplozivit RDX u vëzhgua me kujdes nga diplomatët amerikanë në Shqipëri në vitin 2009.
Sipas kabllogramit, pas tragjedisë së Gërdecit zyrtarët amerikanë u kishin kërkuar autoriteteve shqiptare që ta shkatërronin dhe jo ta eksportonin stokun prej 150 ton RDX. (RDX ishte ruajtur në një vend të veçantë.) Megjithatë, kabllogrami thekson se diplomatët amerikanë kishin dëgjuar zëra se një kompani çeke kishte tentuar ta blinte eksplozivin.
Dokumentet e MEICO-s tregojnë se në vitin 2010 janë shitur rreth 110 ton RDX. Ato nuk tregojnë se cila kompani e bleu eksplozivin, por nënvizojnë se Republika Çeke ishte destinacioni përfundimtar.
Pas shpërthimit vdekjeprurës në Gërdec, drejtori i ri i MEICO, Granit Leka deklaroi se donte t’i shiste stoqet e rrezikshme të municioneve të Shqipërisë.
Leka konfirmoi për OCCRP se MEICO i kishte shitur municion kompanisë Real Trade Praha.
“Isha i lumtur të nënshkruaja një kontratë me një kompani nga një vend i BE, me një çertifikatë me përdorues përfundimtar,” tha Leka. “E nënshkruam kontratën menjëherë sepse na bënë një ofertë të mirë”.
“Sipas kontratës, ishte kompania çeke që menaxhonte transportin [e municioneve nga Shqipëria”], shtoi ai.
“Kush do ta blinte diçka të tillë?”
Është e paqartë se çfarë bënë kompanitë çeke me municionin që blenë.
Një gjë është e qartë: kompanitë nuk ia shitën ushtrisë çeke. Në përgjigje të pyetjeve, një zëdhënës i ushtrisë çeke tha se forcat ushtarake të vendit ishin të përkushtuara ndaj standardeve të NATO-s dhe nuk përdorin armatime kineze.
Një përfaqësues nga kompanitë e Strnad konfirmoi se “kompanitë nga Grupi Çekosllovak blejnë teprica municionesh, armësh, pajisjesh ushtarake dhe pjesë rezervë në vende të ndryshme europiane, përfshirë Shqipërinë” dhe këmbënguli se shumica e blerjeve shiteshin te klientë të BE-së.
Përfaqësues të STV Group refuzuan t’i përgjigjeshin pyetjeve të gazetarëve.
Ekspertët e armëve të konsultuar nga gazetarët shprehën skepticizëm se municionet mund të gjendeshin te blerësit europianë, duke cituar vjetërsinë, llojin dhe gjendjen e keqe.
“Jam i sigurt se [shumica] e sasisë është e papërdorshme, gjë që shpjegon çmimin shumë të ulët,” tha Berghezan.
Një burim me dijeni të marrëveshjes fillestare të Real Trade Praha të vitit 2010, i cili refuzoi të identifikohej nga frika e hakmarrjes, tha se municioni me gjasa do të shitej sërish në zona konflikti, veçanërisht në Afrikë. Ai nuk ofroi dokumente shtesë për të mbështetur këtë pretendim të tijin.
“Municionet që ju po flisni, mendojeni pak… kush do t’i blinte? Jo një ushtri, jo amerikanët, as rusët,” tha burimi.
“Nga një kuti me 100 plumba, mbase 30 ose 10 fishekë nuk do të punojnë fare, kush i merr këto municione koti. Por civilët e armatosur dhe gangsterët në Afrikë nuk e kanë haberin”.
Wezeman, kërkuesi i armëve nga SIPRI, tha se eksportuesit çekë nuk do të përballeshin me pengesa ligjore për eksportimin e municioneve në shumicën e vendeve apo grupeve të armatosura për sa kohë merrnin leje nga qeveria çeke.
“Shanset që të marrin leje për eksport, do të thosha, janë të mëdha, pasi ka pak vende te të cilët nuk eksportojnë dot,” tha ai.
Një përjashtim i mundshëm, sipas tij janë vendet nën embargo nga BE dhe OKB, si Sudani Jugor, Sudani dhe Irani.
Një përfaqësues i Real Trade Praha tha se “kompanitë e CSG Group i binden të gjitha rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare për tregtinë e pajisjeve ushtarake. Të gjitha eksportet kryhen me certifikata të vlefshme për përdoruesin përfundimtar”.
“SHUMË KONFIDENCIALE!!!”
Një grup emailesh të rrjedhura nga punonjësit e Strnad, të cilat janë siguruar nga OCCRP dhe partnerët, hedhin më shumë dritë mbi marrëveshjet e tij në Ballkan.
Emailet, dërguar partnerëve të mundshëm të biznesit në vendet e tjera të Ballkanit lënë të kuptohet se kompanitë e tij po kërkonin të blinin më shumë municione, por jo të prodhimit kinez. Ato konfirmojnë se Strnad ishte personalisht i përfshirë në biznes dhe zbulojnë se një nga drejtuesit e tij ishte në kontakt me një tregtar famëkeq serb armësh, të akuzuar për krime të ndryshme.
Një email i marsit 2010 nga kreu i Real Trade, Petr Rusek, te një partner biznesi maqedonas, ku dallohet paralajmërimi “SHUMË KONFIDENCIALE”, Rusek zbuloi kontratën e tij të parë për të blerë municionet kineze nga MEICO. Pastaj ai shpjegon se po kërkon municione shtesë, të kalibrave të ndryshëm, me specifikimin se shumica duhet të jetë prodhuar diku tjetër (“jo në Kinë”).
Emaili iu dërgua gjithashtu për dijeni Strnad dhe drejtuesve të tjerë të tij.
Në një email tjetër, Rusek i kërkon një serbi që i adresohet si “Z. Trninic” ta ndihmojë për të siguruar një transit të sigurt të një kamioni me municione në Serbi. Emaili thekson se planet ishin bërë tashmë për tranzit nga Maqedonia dhe Hungaria, duke konfirmuar itinerarin e rrugës që shfaqet në dokumentet e MEICO-s.
Kamioni, që do ta bënte udhëtimin në fund të janarit, do të ishte me gjasa i pari nga shumë të tjerë, shkroi Rusek.
Rusek gjithashtu i tha Trninic se ishte referuar tek ai nga Petar Crnogorac, pronari i firmës serbe të armëve CPR Impex.
Crnogorac u përball me akuza të ndryshme për shkelje të ligjit. Një investigim i mëparshëm nga OCCRP dhe partnerët zbuloi se CPR Impex kishte vepruar si ndërmjetës për të shitur armë europiane te Arabia Saudite që me gjasa përfunduan në duart e rebelëve sirianë.
Në 2014, Crnogorac u arrestua në Serbi, i akuzuar se kishte marrë informacione konfidenciale të tenderave ushatarakë; por akuzat më vonë u hodhën poshtë.
Një panel i OKB në 2015 investigoi një partner të CPR Impex mbi akuzat se i kishte shitur armë islamikëve në Libi. Crnogorac ka konfirmuar se diskutimet u mbajtën për të eksportuar armë në Libi, por tha se marrëveshja nuk u realizua.
Paneli i OKB raportoi në 2016 se qeveritë malazeze dhe serbe i kishin informuar se nuk kishin marrë kërkesa për eksporte armësh në Libi.
Crnogorac refuzoi të jepte koment.
/BIRN