Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ka kërcënuar me burg dhe ndëshkuar me gjoba grumbulluesit individualë – shumica anëtarë të komunitetit rom – të cilët mbledhin materiale të riciklueshme nga kazanët e plehrave në Tiranë, duke i akuzuar ata si hajdutë dhe shkaktarë sëmundjesh; megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë që pas kësaj fushate, në dukje për të mirën publike, fshihen interesat të një kompanie private.
Ilir Heshta pati emigruar në Greqi në fillim të viteve 90’ ku punoi në ndërtim, përpara se të ndalohej nga policia që i dha një urdhër dëbimi. Që prej një viti, 51-vjeçari anëtar i komunitetit rom është kthyer në Tiranë dhe jeton në kampin e barakave në Shkozë, pranë bllokut të banesave sociale.
Babai i tre fëmijëve, Heshta e siguron mbijetesën në Tiranë duke mbledhur shishe plastike të riciklueshme nga kazanët e plehrave; megjithatë, kthimi në atdhe nuk i ka sosur problemet e tij me policinë.
“Një javë më parë policia bashkiake më ndaloi ndërsa po zbrisja te Fresku, më morën thesin me plastikë, duhej të ishin rreth 12 mijë -13 mijë lekë plastikë aty. I kisha mbledhur duke punuar gjatë të gjithë ditës,” tregon Heshta.
“Thesin ma morën, për karrocën iu luta dhe nuk ma morën,” kujton ai, duke shtuar se pyetjes se si mund ta siguronte ndryshe jetesën policët i qenë përgjigjur me të qeshura dhe kërcënimin “mos dil më me mbledh bidonë.”
Historia e Heshtës nuk është e pazakontë. Pasi kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi në qershor se administrata që ai drejton do ta ndalonte rreptësisht riciklimin e mbetjeve urbane nga kazanët e plehrave, rastet e gjobitjes nga Policia Bashkiake të grumbulluesve individualë si Heshta janë shtuar.
Përveç masave administrative të ndërmarra, Bashkia ka bërë dhe një kallëzim penal në prokurori kundrejt atyre që i konsideron si hajdutë të mbeturinave, duke kërkuar burgosjen e tyre për vjedhje.
Megjithatë, ndërkohë që bashkia i gjobit dhe i kërcënon me burg grumbulluesit individualë, dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se nga muaji shkurt një kompani private e quajtur “3 R” Sh.p.k, ka instaluar një impiant për seleksionimin dhe menaxhimin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Vendimi i bashkisë për ndalimin e riciklimit të mbetjeve nga kontenierët ka shqetësuar anëtarët e komuniteti rom të cilët përbëjnë dhe pjesën më të madhe të të vetëpunësuarve si kolektorë individualë.
Aktivistët e këtij komunitetit i thanë BIRN që vetëm në rajonin e Tiranës vendimi rrezikon të mbyllë mijëra vende pune.
Të shqetësuar janë dhe kompanitë ricikulese vendase, të cilat e sigurojnë lëndën e parë nga grumbulluesit individual. Anëtarë të Shoqatës së Ricikluesve Shqiptarë i thanë BIRN se ndarja e mbetjeve në landfill është e gabuar, për shkak se pasi mbetjet përzihen në kamionë, bëhen pis dhe të rrezikshme për t’u rifutur në treg.
E pyetur nga BIRN se kush po e bënte menaxhimin e mbetjeve në landfill, Bashkia e Tiranës mohoi se aty kishte kompani private.
“Bashkia e Tiranës në vendimmarrjen e saj për përmirësimin e shërbimit të pastrimit, sjelljen e tij në standarde bashkëkohore dhe plotësimin me elemente të tjerë që shoqërojnë këtë proces, është konsultuar me të gjithë aktorët e disponueshëm në këtë aspekt,” tha në përgjigje të shkruar Bashkia.
“Është detyrim i Bashkisë së Tiranës që të sigurojë dhe të garantojë standardet e nevojshme të një shërbimi sa më cilësor në këtë fushë, duke aktivizuar për këtë qëllim të gjitha të drejtat apo detyrimet në funksion edhe të bazës ligjore që rregullon këtë proces,” shtoi ajo.
Sipas një raporti mbi grumbulluesit individual të përgatitur nga qendra mjedisore EPER, në Shqipëri gjenerohen çdo vit 386 mijë ton mbetje të ngurta, ose mesatarisht 126 kilogram për person. Nga këto mbetje, vetëm 17 % vlerësohet se riciklohen për një vlerë që shkon në më shumë se 30 milionë euro në vit.
Në janar 2016, kryebashkiaku Erion Veliaj nënshkroi një marrëveshje me një kompani publike të bashkisë së Veronës të quajtur AGSM, për menaxhimin e mbetjeve në qytetin e Tiranës.
Pas një vendimi të marrë nga Këshilli Bashkiak me 18 maj, bashkia Tiranë dhe Holding AGSM Albania Sh.a krijuan një kompani aksionere të përbashkët të quajtur Eco Tirana Sh.a.
Kompania e re, ku shteti zotëron 51% të aksioneve, do të marrë nën menaxhim shërbimin e pastrimit të mbetjeve urbane në Tiranë. Sipas planit të biznesit të paraqitur në Këshillin Bashkiak, në fillim “Eco Tirana” do ta shtrijë aktivitetin e saj në zonën e qendrës së qytetit dhe më pas do të zgjerohet dhe në zonat më periferike.
Vlera e kontratës për pastrimin mbetjeve në zonë e qendrës, ose e ashtuquajtura zona e kuqe, do të jetë 2.5 milionë euro, e cila shtohet me një vlerë 10% në momentin që fillon mbledhja e diferencuar e mbetjeve nga kompania.
Pas 18 muajve nga fillimi menaxhimit të zonës së kuqe, “Eco Tirana” do ta zgjerojë aktivitetin në të gjithë territorin e bashkisë Tiranë siç ishte përpara reformës territoriale. Nga 1 qershori 2017, zona zgjerohet me 50% dhe nga 1 qershori 2018, do të mbulojë të gjithë territorin e bashkisë.
Sipas kryetarit të bashkisë Erjon Veliaj, me futjen e kompanisë së re të pastrimit të qytetit në shtator, riciklimi nga kazanët e mbetjeve do të ndalohet.
“Në Tiranë do të jetë e ndaluar hyrja në çdo kosh mbeturinash dhe nxjerrja e të gjitha mbetjeve jashtë tij për të kapur një kanoçe ose një shishe plastike,” tha Veliaj gjatë një takimi me drejtuesit e ndërmarrjeve të pastrimit në qershor.
“Çdo nxjerrje nga koshi, nxjerr qindra, mijëra, miliona mikrobe. Kjo i ka të gjitha premisat ta kthejë qytetin e Tiranës në një zonë epidemike nëse vijon kështu,” shtoi ai.
Veliaj u ofrojë atyre që do të humbisnin të ardhurat nga grumbullimi i plehrave në kazanë të punësoheshin në impiantin e riciklimit në Sharrë.
“Ata që punojnë sot duke zbrazur koshat, bashkia e Tiranës është gati që sot t’u ofrojë një vend pune me pagesë me sigurime shoqërore, jo në të zezë në impiantin e riciklimit në Sharrë,” shtoi ai.
Riciklimi në duar private
Sipas planit të biznesit të Eco Albania, mbledhja e diferencuar e mbetjeve do të fillojë me zbatimin e kontratës por pritet që zbatimi i saj do të kërkojë kohë, deri sa qytetarët të mësohen me metodën e re të shërbimit.
Procesi i riciklimit do të shërbejë si burim të ardhurash për kompaninë, në mënyrë që të përballojë kostot e larta të trajtimit të mbetjeve organike. Depozitimi i mbetjeve në landifllin e Sharrës do të kryhet pa tarifë dhe kompania pritet të mbështetet nga Bashkia në zbatimin e “ligjit kundër mbledhjes së paligjshme të plastikës.”
Eco Albania në fillim të punës pritet të ndërrojë kazanët ekzistues të mbetjeve për modernizimin e shërbimit, duke instaluar sistemin me tre kosha, të cilat përcaktojnë ngjyrat si dhe sinjalistikën për kontenierët për grumbullimin e diferencuar.
Sipas Bashkisë, në të gjitha studimet e kryera paraprakisht në qytetin e Tiranës rezulton se nga 32% deri në 44% mund dhe duhet të rikuperohen për riciklim, çfarë përbën një vlerë monetare të konsiderueshme.
Megjithatë, Eco Albania nuk pritet ta kryejë menjëherë procesin e riciklimit të mbetjeve të depozituara në landfill.
“Fillimisht shoqëria do të përdorë impiante të të tretëve për seleksionimin dhe do të synojë që sa më shpejtë të jetë e mundur të krijojë impiant seleksionimi me partnerë lokalë,” shkruhet në vendimin e Këshillit Bashkiak Tiranë për themelimin e kompanisë.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë që partneri lokal, i cili tashmë ka instaluar një impiant seleksionimi të mbetjeve në landfillin e Sharrës, është një kompani me qendër në Peqin e quajtur “ 3 R” Sh.p.k, nën pronësinë e biznesmenit Edurim Teqja.
Sipas ekstraktit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania “3R” sh.p.k, e cila prodhon arka dhe tuba me plastikë të ricikluar, ka hapur me 22 shkurt 2016 një adresë sekondare në landfillin e Sharrës.
Pas një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, BIRN ka mësuar se me 5 maj 2016 “3 R” sh.p.k ka marrë dhe lejen mjedisore të tipit C, për një stacion transferimi për mbetjet jo të rrezikshme me kapacitet 840 ton në muaj në landfillin e Sharrës.
Anëtarë të shoqatës së Ricikluesve të cilët folën në kushtet e anonimatit i thanë BIRN që riciklimi i mbetjeve plastike në landfill është i jashtëligjshëm dhe i rrezikshëm.
“Në momentin që mbetjet nga kazani përfundojnë në kamion, kemi në çdo çast një shkelje të ligjit të shtetit referuar trajtimit të mbetjeve urbane, i cili ndalon përzierjen e tyre, sepse sjell papërdorshmërinë e tyre nga ana e industrive serioze,” i tha BIRN një anëtar i shoqatës.
“Në rastin më të mirë do të kemi varrosjen e tyre (me pasojë avancimin e landfillit me ritme gjigande) dhe në rastin më të keq rihedhjen e mbetjeve në treg, në formën e lëndës së parë për industritë, atë të arkave plastike apo qeseve plastike (në të dyja rastet në kontakt me ushqimet), pavarësisht se në kamion ato janë përzierë me akumulatorë, mbetje spitalore, e të tjera mbetje të rrezikshme,” shtoi ai.
Anëtarët e shoqatës ngritën pikëpyetje se si kompania kishte arritur të merrte leje mjedisore për menaxhim të mbetjeve në landfill – që sipas tyre do ishte jashtë kushteve mjedisore.
“Ne kemi një eksperiencë të konsiderueshme në sektor, si dhe nisur nga informacionet, mendimi ynë është se qëllimi i Veliaj&Co është “të pastrojë fytyrën”, pra fasadën e dukshme të Tiranës nga grumbulluesit, të menaxhojë abuzivisht vlerat e përftuara nga shitja e mbetjeve duke qenë se i gjithë procesi, si ai i magazinimit ashtu edhe i evidentimit nuk është i kontabilizuar,” tha një nga anëtarët e shoqatës së Ricikluesve.
“Si Veliaj ashtu edhe subjekti privat bëjnë levë në faktin që kjo lëndë e parë është jetike për industritë tona, për rrjedhojë ata mendojnë se do vijë një moment që ne do thyhemi,” shtoi ai.
Bashkia nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN për procedurën e prokurimit që ishte ndjekur për përzgjedhjen e kompanisë që riciklon mbetjet në landfillin e Sharrës. Bashkia gjithashtu nuk komentoi mbi shqetësimet e shoqatës së Ricikluesve në lidhje me rrezikshmërinë e trajtimit të mbetjeve në landfill.
Gjatë muajve të fundit, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj e ka vizituar të paktën dy herë impiantin e menaxhimit të mbetjeve të landfillin e Sharrës. Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill të transmetuar me datë 16 qershor, duket qartë që punëtorët në impiant mbajnë veshje pune me logon e kompanisë “3 R”.
Gjatë vizitës së tij në impiantin e kompanisë “3 R”, Veliaj i kërcënoi kompanitë e tjera të riciklimit së do të kenë pasoja ligjore nëqoftësë do të pranojnë përsëri mbetje të mbledhura nga grumbulluesit individualë.
“Ne do të përdorim çdo mjet të ligjit për të ndaluar këtë shfrytëzim të njeriut nga njeriu, ndaj dhe i bëj thirrje dhe atyre që i mbledhin që janë grosistë, nëse merrni një sasi të mbetjeve që vijnë nga bashkia e Tiranës do të keni pasoja ligjore dhe sigurisht do të keni gjoba financiare,” tha Veliaj. “Zgjidhja është kjo që shikoni prapa shpatullave të mia,” shtoi ai, duke treguar impiantin e kompanisë “3R.”
Mijëra vende pune në rrezik
IFC – krahu komercial i Bankës Botërore, vlerëson në një raport të vitit 2006 se në Shqipëri ekzistonin mbi 12,520 grumbullues romë që angazhohen në mënyrë informale me mbledhjen e materialeve të riciklueshme.
Sipas shoqatës së ricikluesve vetëm në rajonin e Tiranës rreth 1,200 familje, shumica e tyre nga komuniteti rom, janë të vetëpunësuara si kolektorë individualë.
Aktivistët e këtij komuniteti thonë se me vendimin e fundit të bashkisë Tiranë, këto familje rrezikojnë të humbasin të ardhurat e tyre të pakta.
“Pasi jemi njohur me këtë situatë kemi bërë përpjekje të shumta për të marrë një informacion zyrtar nga institucionet përgjegjëse por akoma dhe pas 3 muajsh nuk kemi një vendim zyrtar apo informacion i cili tregon vendin, kohën, si dhe fazën ku do implementohet projekti i riciklimit,” i tha BIRN Romina Sefa, një aktiviste për të drejtat e komunitetit rom.
“Kjo gjë do të bëhet në të gjithë territorin e Tiranës dhe rrezikohen të ngelen pa punë rreth 3 mijë grumbullues të cilët merren me mbetjet e riciklueshme,” shtoi ajo.
Përveç gjobave ndaj grumbulluesve individualë që mbledhin materiale të riciklueshme nga kontenierët, bashkia ka ndaluar dhe një pjesë të komunitetit rom që mblidhte mbetje direkt në landfill.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se të paktën dy familje rome, të cilët ishin të stacionuara pranë landfillit të Sharrës, janë dëbuar nga qyteti nga punonjës së Bashkisë së Tiranës.
Në një letër dërguar Avokatit të Popullit, Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit, IMT, pranon që dëbimet janë bërë në favor të një kompanie private që po kryen punime në landfillin e Sharrës.
“Në përgjigje të shkresës suaj…ju bëjmë me dije se ankesa e qytetarëve Mustafa Behari dhe Nertil Dhijemani të dërguara me anë të shkresës suaj, u shqyrtuan nga inspektorët e IMT-së bashkia Tiranë dhe u veprua duke bërë njoftimin paraprak për largimin e familjeve të komunitetit rom që banojnë në zonën e Sharrës, sepse përbënin pengesë për firmën e cila ka marrë përsipër punimet në të,” shkruan kryeinspektori i IMT Skerdi Drenova.
Në një letër publike të shtunën, anëtarë të komuniteti rom të Shkozës, u ankuan për pengesat e ngritura nga Bashkia për riciklimin e mbetjeve nga kontenitorët në Tiranë.
“Ne nuk po lejohemi më ta ushtrojmë këtë aktivitet si mëparë, i cili përbën të vetmin burim të ardhurash për komunitetin që banon në zonën e Shkozës,” thuhej në letrën e drejtuar kryetarit të bashkisë Erjon Veliaj.
“Bashkia po na ushtron presion duke konfiskuar mjetet e transportit dhe në shumë raste duke na konfiskuar edhe materialet e mbledhura pas ditëve të gjata pune,” shtohej në letër.
Një nga anëtaret e këtij komuniteti, e cila rrezikohet nga fushata e bashkisë, është dhe 38-vjeçarja Zana Sula, nënë e shtatë fëmijëve.
“Policia më ndaloi një karrocë fëmijësh me të cilën mbledh kanaçe. ‘Nuk lejohet’, tha polici. Thesin ma morën, karrocën ma kthyen,” tregon ajo duke kujtuar përballjen me policinë bashkiake.
Që kur erdhi nga Devolli në Tiranë përpara 18 vjetëve, Zana e ka siguruar mbijetesën për familjen e saj duke mbledhur materiale të riciklueshme, duke ecur në këmbë nga Shkoza drejt lagjes Ali Dem çdo ditë.
“Kam 18 vjet që bëj këtë punë,” tha ajo teksa rrinte në derën e barakës së saj të zbukuruar me lule. “Ka nga ata që i nxjerrin fëmijët për të lypur. Unë nuk e bëj, më mirë me plehra,” përfundoi Zana.
Përgatiti: Besar Likmeta, Gjergj Erebara/ BIRN
Ben Andoni gjithashtu kontribuoi raportim për këtë shkrim