Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për manipulimin e zgjedhjeve të fundit, të cilat ajo i quajti “një farsë elektorale”.
Vokshi në Parlament theksoi se për herë të parë propaganda e qeverisë nuk arriti të mbulojë realitetin. “Qëndrimi i Partisë Popullore Evropiane (EPP) ishte i qartë: nuk ishin zgjedhje, por farsë,” deklaroi ajo.
Sipas saj gjetjet e misionit të vëzhguesve të Parlamentit Evropian, përmendin abuzimin me burimet shtetërore, intimidimin e votuesve, përdorimin e postit publik për përfitime elektorale dhe lidhjet me krimin e organizuar. “Michael Gahler, drejtuesi i misionit të PE, i ka parë vetë nga afër këto fenomene. Ai ka folur me qytetarët, ka ndjerë frikën në fjalën e tyre — frikë që nuk është parë më parë në një proces zgjedhor në Shqipëri,” tha Vokshi.
Ajo përmendi situatën në Vorë, ku sipas saj, përjetoi personalisht dhe së bashku me familjen intimidim të drejtpërdrejt.