Josephine Dedet ka shkruar një libër mjaft interesant mbi Mbretëreshën Geraldinë dhe është libri i parë i shkruar nga një e huaj. Në një rrëfim ekskluziv për emisionin Opinion, shkrimtarja franceze ka treguar të pathëna interesante nga fëmijëria e Mbretëreshës, njohja me mbretin Zog, 60 vitet në ekzil, deri tek pasionet e veçanta sportive.
Për Dedet, qysh në fëmijërinë e hershme, figura e Mbretëreshës Geraldinë përbënte një ngasje, njëherësh edhe kuriozitet të ngjashëm me ato marrosjet e vegjelisë pas përrallave me princër e princesha.
Ndërsa vite më vonë, miqësia dhe njohja e afërt me familjen mbretërore të Geraldina Apponyi-s i shërben për të krijuar kontaktet e para. Këto dhe të tjera detaje, do keni rastin të lexoni përgjatë kësaj interviste të dhënë për gazetarin Blendi Fevziu…
Blendi Fevziu/ Znj.Josephine Dedet, mirë se vini në Shqipëri. Kjo është hera e parë për ju?
Josephine Dedet/ Mirëdita, po, është hera e parë që vij në Shqipëri dhe jam shumë e lumtur.
B.F/ Ju keni shkruar një libër mjaft interesant mbi mbretëreshën Geraldinë dhe është libri i parë i shkruar nga një e huaj. Sipas informacioneve që kemi, është botuar në Shqipëri në fillim të viteve 2000 dhe është tepër interasant. Përse i keni munguar Shqipërisë për një kohë kaq të gjatë?
J.D/ Kam patur fatin t’a njoh nga afër mbretëreshën Geraldinë dhe prita që ajo të më jepte miratimin e saj në fund të viteve 1990 për të dëshmuar mbi jetën e saj dhe të hapte arkivat e familjes së saj.
B.F/ Si e gjetët mbretëreshën Geraldinë?
J.D/ E kam takuar në Afrikën e Jugut në 1996.
B.F/ Rastësisht?
J.D/ Aspak, e njihja që kur isha fëmijë. Njihja motrën e saj konteshën Virxhinia Aponi hungareze, vëllain e saj Guy Zhiro, vëllain e saj francez, që ka një pjesë të familjes në Francë. Që kur isha fëmijë dëgjoja shpesh të flitej për këtë histori dhe më ngjante me një përrallë. Më vonë, pasi kisha bërë disa studime historike dhe shkenca politike, kuptova që ishte diçka më tepër sesa një përrallë me zana dhe Shqipëria ishte një vend pasionant. Historia e Geraldinës, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Evropën e shkullit të 20 ishte një temë për të cilën nuk ishte shkruar kurrë më parë.
B.F/ Ishte Geraldina interesante si personazh?
J.D/ Po. Ishte një personazh i jashtëzakonshëm për mendimin tim, një grua që vinte nga një familje e madhe fisnike evropiane që fliste të gjitha gjuhët evropiane, por në të njëjtën kohë një grua shumë e thjeshtë.
B.F/ Gjithashtu edhe modeste.
J.D/ Po, shumë modeste, e cila e donte shumë këtë vend, Shqipërinë, shqiptarët, bashkëshortin e saj.
Dashuria për këtë vend dhe për bashkëshortin e saj u ndërthurën më njëra-tjetrën. Ajo donte të vinte në Shqipëri dhe të vdiste si një shqiptare, siç e ka thënë ajo, madje në tokën shqiptare. E quante mjaft të rëndësishme këtë.
B.F/ Ju folët për Geraldinën si personazh, por roli i saj historik në historinë e Shqipërisë cili ishte?
J.D/ Mendoj se Geraldina ka patur një rol të rëndësishëm. Në fillim kur ka mbërritur në këtë vend për herë të parë.
B.F/ Ajo ka qenë vetëm për 11 muaj mbretëresha e Shqipërisë.
J.D/ Kjo është e vërtetë, por sikurse e dini edhe ju, ka patur mjaft kritika për Mbretin Zog, kritika përsa i përket politikës së viteve ’30.
Nga ana tjetër, të gjithë, edhe në epokën komuniste kanë menduar se Mbretëresha Geraldinë ka qenë jashtë çdo kritike. Ajo i kishte dhënë një shembull të bukur popullit shqiptar me dashurinë që kishte për Shqipërinë, me devotshmërinë që kishte ndaj këtij populli, me atë që përfaqësonte edhe gjatë internimit të saj. Ajo e ka përfaqësuar mjaft denjësisht Shqipërinë.
B.F/ Libri juaj ka nxjerrë në pah për shqiptarët një anë të panjohur të jetës së familjes mbretërore. Jeta e tyre në exil, a ka qenë e vështirë jeta e familjes mbretërore në exil dhe sidomos ajo e Mbretëresha Geraldinë?
J.D/ Po, ata kanë vuajtur shumë gjatë kohës që ishin në Internim. Geraldina dhe mbreti Zog e vuanin shumë këtë exil të detyruar dhe kanë jetuar në kushte mjaft të vështira. Në njëfarë mënyre patën fatin të shohin nga afër gjithë jetën e evropianëve, pra, pasi ikën nga Shqipëria në 1939, u gjendën në Francë. Në fillim përshkuan të gjithë Evropën që ishte në luftë dhe mbërritën në Francë në 1940, në kohën e eksodit. Si të gjithë francezët morën rrugët e Francës jugore, nën bombardimet gjermane.
B.F/ Ata kanë qenë në anijen e fundit që u largua nga Franca.
J.D/ E saktë. Ata hipën në anijen e fundit që u largua nga Franca për të shkuar në Angli, ku i priti mbreti Xhorxh. Pasi mbërritën në Angli, u gjendën si të gjithë londinezët nën bombardimet gjermane. Kanë përjetuar edhe këto ditë të vëshira për anglezët.
Shkuan tek mbreti Faruk në Egjipt pas luftës, dhe janë treguar të gjitha episodet mbi luftën e fohtë apo historinë e agjentit sekret amerikan.
B.F/ Historia e njohur e Zenel Shehut dhe të dërguarve të tjerë të mbretit Zog në Shqipëri.
J.D/ Pastaj erdhi internimi në Madrid dhe kjo ka qenë një periudhë e gëzuar në jetën e Geraldinës.
B.F/ Pse?
J.D/ Ajo takoi atje shumë familje mbretërore dhe ka qenë shoqe e ngushtë me mbretëreshën e Bullgarisë, mbretëreshën Xhovana.
B.F/ Që ka qenë e bija e Viktor Emanuelit të Italisë,
që kishte marrë kurorën e mbretit të Shqipërisë?
J.D/ Pikërisht. U pajtuan në Egjipt falë mbretit Faruk, sovrani italian i kërkoi falje zyrtarisht mbretit shqiptar që i mori këtë kurorë dhe për atë që kishte ndodhur.
Më në fund Mbretëresha Geraldinë dhe Mbretëresha e Bullgarisë Xhovana që ishte vajza e mbretit të Italisë u bënë mike të ngushta. Jeta në Madrid ishte mbase periudha më e këndshme e jetës së saj, para se të vendosej në Afrikën e Jugut dhe atje patën shumë vështirësi. Unë e kam njohur kur ishte në Afrikën e Jugut. Në Johanesburg.
B.F/ Marrëdhënia e Mbretëresha Geraldinë dhe Mbretit Zog a ishte dashuri e vërtetë apo thjesht një martesë zyrtare siç ndodh ndonjëherë në lidhje të tilla?
J.D/ Në fillimet e saj duhet të ketë qenë një martesë zyrtare, por nuk duhet të ketë vazhduar kështu. Mbreti Zog kërkonte një nuse, e cila nuk duhet të ishte italiane, por as jugosllave. Ai donte një austriake…
B.F/ Që të ruante ekuilibrat.
J.D/ Ai kishte frikë prej fqinjëve të tij që lakmonin Shqipërinë.
Pra, ai nuk donte kurrsesi të martohej me një italiane apo një jugosllave për të mbrojtur Shqipërinë.
Donte të martohej me një austriake, sepse Austria ishte një vend neutral dhe ai e fliste shumë rrjedhshëm gjermanishten. Kishte jetuar në Vjenë rininë e tij.
B.F/ Madje edhe gjatë luftës së parë botërore?
J.D/ Atij i kishin prezantuar shumë austriake dhe austro-hungareze dhe kur kishte pare foton e Geraldinës kishte rënë menjëherë në dashuri me të. Ajo ishte shumë e bukur në atë kohë dhe ai e kishte pëlqyer shumë pamjen e saj në të njëjtën kohë inteligjente, por edhe të menduar. Atij i qe dukur e mrekullueshme dhe e kishte ftuar në ballon e Vitit të Ri në Tiranë.
B.F/ Ky ka qenë takimi i parë, pasi e kishte parë vetëm në fotografi.
J.D/ Ajo nuk dinte asgjë për Shqipërinë kur mori ftesën. Familja e saj mori ftesën dhe ishte mosbesuese. Shqipëria ishte vend i panjohur. Mbretëria ishte e re. Geraldina i përkiste një familjeje fisnike mjaft të rëndësishme hungareze. Në fillim donin të siguroheshin që gjithçka do të shkonte mirë dhe që ajo nuk do të ishte e detyruar të pranonte, që do të ikte me dëshirën e saj dhe mund të kthehej pranë familjes kur të donte. Dhe gjithçka shkoi shumë mirë, sepse kur mbërriti në Shqipëri, në Durrës, ajo ra në dashuri me shikim të parë me Shqipërinë dhe kur pa mbretin Zog në mbrëmje, qe dashuri me shikim të parë. Historia e tyre e dashurisë qe vërtet e paparashikuar.
B.F/ Dhe e tillë ka qenë për 22 vitet që ata jetuan bashkë?
J.D/ Po, për 22 vjet dhe në Afrikën e Jugut, kur e kam takuar kishte fotografitë e Mbretit Zog dhe nuk pranonte as të m’i jepte që t’i kopjoja, pasi ajo i mbante gjithnjë pranë vetes, i shoqi ishte gjithçka në jetën e saj. Shqipëria dhe bashkëshorti i saj ishin vetë jeta për të.
B.F/ Eshtë një histori e pabesueshme. Geraldinë ka qenë vetëm 11 muaj Mbretërsha e Shqipërisë, por ishte mjaft e njohur nga media ndërkombëtare. Dua të them se ka libra që flasin për të, shumë artikuj nëpër revista, dokumentarë televizivë. Përse ajo u bë kaq e famshme?
J.D/ Mendoj se ajo ishte shumë e bukur, kjo e ndihmoi për anën mediatike, por përveç bukurisë ajo përcillte diçka tjetër që shqiptarët e kuptuan menjëherë dhe e nuhatën që ajo e përvetësoi menjëherë kulturën e tyre. Ajo mësoi të fliste shqip shumë shpejt. Ajo ka inauguruar radion e parë në gjuhën shqipe. Shqiptarët e ndjenë që ajo u përshtat menjëherë dhe që i kuptonte pa i gjykuar, por duke i pranuar.
B.F/ Thuhet se ishte një nga Mbretëreshat më të bukura të Evropës. Ishte e vërtetë kjo?
J.D/ Po, mendoj se po, edhe nga fotot që kam parë.
B.F/ Ishte ende e bukur kur e keni takuar?
J.D/ Po. Ishte një zonjë e moshuar shumë e bukur, ndonëse kishte kaluar vështirësi në jetën e saj, ajo sërish rrezatonte. Kishte diçka rrëzëllitëse tek ajo, që i jepte shkëlqim. Përcillte qetësi dhe thjeshtësi. Ka qenë e bukur deri në fund të jetës së saJosephine.
B.F/ Ju e keni shkruar librin në vitet 1980 dhe në fillimet e 1990.
J.D/ Më saktë në 1996-1997.
B.F/ Atëherë është botuar dhe e keni botuar në gjuhën frënge, hungareze dhe në shqip. Ky është versioni i përpunuar?
J.D/ Po, ky është botimi i tretë i librit tim dhe çdo botim kam shtuar informacione. E kam rishikuar, pasuruar me anekdota të reja, me dëshmi të reja. Pas botimit të parë, shumë persona që kanë qenë dëshmitarë të asaj epoke, më kanë kontaktuar dhe me dëshminë e tyre më kanë dhënë informacione të reja.
B.F/ A ka patur sukses libri juaj?
J.D/ Po, në Francë ka patur sukses, pasi kemi nxjerrë një botim të ri në të njëjtën kohë me martesën e princit Leka. Tani do të vijë edhe në Shqipëri. Në Hungari ka dalë para një vit dhe është një Best Seller. Hungaria sikurse edhe e dini është vendlindja e Mbretëresha Geraldinë.
B.F/ Po dhe ështe mjaft e njohur atje. Ju keni ardhur për dasmën e princit Leka. Cila është përshtypja juaj për këtë dasmë dhe për të ftuarit e kësaj martese?
J.D/ Mendoj se dasma shkoi shumë mirë. Ishte në të njëjtën kohë zyrtare, por edhe e thjeshtë dhe mallëngjyese. Princi ishte i rrethuar nga afeksioni i familjeve mbretërore evropiane. Ishte edhe Mbretëresha Sofi, e Spanjës, Mbreti i Marokut,
B.F/ Ish-perandoresha e Iranit?
J.D/ Kishte shumë personalitete.
B.F/ Po, ishin edhe nga familja mbretërore e Anglisë.
J.D/ Po, kishte përfaqësues nga të gjitha familjet evropiane mbretërore.
B.F/ Kam një pyetje. Eshtë mjaft interesante.
Në martesën e mbretit Zog me Geraldinën në 1938 ishte e pranishme vetëm familja mbretërore italiane, përse në dasmën e Princit Leka kishte të ftuar nga të gjitha familjet mbretërore?
J.D/ Në dasmën e Mbretit Zog ishte dëshmitar princi i Turqisë.
B.F/ Po, djali i Sulltanit Abdul Hamit.
J.D/ E saktë, që ishte martuar me motrën e Mbretit Zog. Në dasmën e Princit Leka kishte të ftuar nga shumë familje mbretërore, sepse janë të gjithë kushërinj dhe të afërm të Geraldinës. Ngaqë kur ishte në exil, Geraldina i kishte takuar shpesh familjet mbretërore. Kishte miqësi me Romanovët e Rusisë, Mbretërit e Spanjës, Egjiptit, Italisë. Ka kushërinj në të gjitha familjet mbretërore. Në libër gjendet pema gjenealogjike.
B.F/ Kishte lidhje edhe në Shtetet e Bashkuara?
J.D/ Po, nëna e Geraldinës ka qenë amerikane. Ajo ka lindur në Bruklin, në Nju Jork. Nuk ka jetuar asjëherë në Amerikë, por ndihej amerikane dhe gjuha e saj ishte anglishtja.
B.F/ Dhe pyetja e fundit. Ju e vizitoni per here te pare shqiperine pasi keni shkruar shume per te, mbi jeten e Geraldines e te tjera. Si ju duket Tirana?
J.D/ Me duket sikur po zbuloj gjera dhe njekohesisht e njohur. Sepse kur shkruan dhe pershkruan vendet, udheton me imagjinate dhe pastaj mbreteresha Geraldine me kishte treguar aq shume gjera per Shqiperine e saj, qe ishte shqiperia e viteve 30, pastaj Shqiperia e viteve 2000 kur ajo ishte rikthyer. Me kishte folur aq shume, ma kishte pershkruar ne detaje aftmosferen, ambientin, njerezit, vendet, karakterin e shqiptareve, gjithcka qe ajo donte nga Shqiperia dhe me ka transmetuar kete terheqje per vendin e saj. keshtu qe ketu u gjenda perballe zbulimit te gjerave, por njekohesisht edhe po thoja: po une i njoh keto, njoh gjithcka. dhe eshte nje ndjesi shume e bukur.
B.F/ Do te ktheheni ne Shqiperi?
J.D/ Shpresoj. Martesa ishte nje rast i mire per ta vizituar si per here te pare dhe shpresoj qe shqiptaret qe me kane mirepritur gjithmonë, që e kanë mirëpritur librin tim…
B.F/… po, libri është shumë popullor në Shqipëri.
J.D/ Jam mirëpritur gjithnjë nga shqiptarët që janë kaq të hapur dhe kaq kureshtarë për historinë dhe të shkuarën e tyre dhe e vlerësoj shumë këtë lidhje me shqiptarët.
B.F/ Ju falenderoj shumë për intervistën.
J.D/ Ju faleminderit juve.
B.F/ Jeni e mirëpritur cdo herë në Shqipëri