Nga Suada Daci
Një javë më parë kur u publikua kënga “Carry on” e Mao Otayek dhe Stevie Wonder, ajo ishte kryefjala e mediave shqiptare. Bëhet fjalë për imazhin e klipit dhe primabalerinës së Tv Klan, Klaudia Pepa. Klaudia tregon në një intervistë pë Opinion.al si u bë pjesë e këngës së Wonder si dhe për karrierën e saj në Mediaset….
Klaudia suksese të njëpasnjëshme në karrierë, si fillim balerine profesioniste e “Amici” dhe tani pjesë e klipit të Mao Otayek dhe Stevie Wonder. Si u bërë pjesë e klipit?
Kam dashur gjithmonë të krijoj eksperienca të ndryshme në karrierën time. Jam në kërkim të punëve që më bëjnë të ndihem mirë dhe atyre që më japin sadisfaksion. Një nga këto është edhe pjesëmarrja ime në këtë klip, që lindi si pasojë e një audicioni që unë bëra dhe më pas produksioni më zgjodhi për të qenë protagoniste e klipit.
Përgjegjësi shumë e madhe besoj…
Padyshim një përgjegjësi e madhe sepse qëndron prapa edhe një emër i madh, një legjendë e muzikës amerikane. Fakti që në video jam protagoniste më bën të kem edhe më shumë përgjegjësi, duke menduar që video është edhe një projekt internacional.
Ku është xhiruar klipi, pra ti ke xhiruar me vete apo bashkë me këngëtarin?
Përsa i përket pjesës time në klip u xhirua në një studio gjigante në Rome sepse koha nuk më premtonte të shkoja në amerike duke qenë se isha dhe jam aktualisht duke punuar në Mediaset. Ndërsa pjesa e këngëtarit është xhiruar në shkretëtirën e Senegalit.
Në fund ai të falenderon shumë për profesionalizmin që ke treguar, si ishte të punoje me këtë ekip njerëzish?
Një eksperiencë e veçantë dhe ndryshe nga të tjerat. Unë mundohem gjithmonë të jem korrekte dhe serioze jam rritur me këtë frymë. Ata e vlerësuan shumë këtë gjë.
Kush u kujdes për veshjet dhe koreografinë mbi të gjitha?
Stafi i tyre kishte çdo gjë nën kontroll. Në video nuk ka ndonjë garderobë të larmishme sepse vet fabula nuk ishte e tillë, por krkonte një figurë të pastër e të thjeshtë. Përsa i përket koregrafisë në video ka momente të shkëputura kur unë improvizoj, pra nuk ka një koreografi fikse.
Hera e fundit në Tiranë (flas si spektakël) ishte në Kënga Magjike. Më thuaj pak mendon se publiku shqiptar të do më shumë tani që ke një famë botërore apo i ke ndjerë njësoj duartrokitjet në Pallatin e Kongreseve?
Kur jam në Shqipëri jam në shtëpi, kur kërcej aty marr tjetër ngrohtësi. Mendoj që ky hap që kam nisur është për ti dhenë publikut shqiptar kënaqësinë që një artist të përfaqësojë një popull të vogël në hapësira më të mëdha dhe të përpiqem të ngre moralin tonë sa më lart, siç kanë bërë edhe shumë artistë të tjerë jashtë vendit. Duke qenë se gjinia e baletit nuk është një gjini teper e vlerësuar dhe në vëmendje, kjo është një arsye me shumë që çdo objektiv unë ta arrij me ambicjen për të nxjerr sadopak në pah çdo aspekt të bukur për këtë gjini të vështirë të artit duke marrë edhe kënaqësinë shpirtërore mbi punën time dhe duke e ndërthurur me dashurinë e publikut. Them që çdo gjë që bëhet me dashuri ka efekt pozitiv. Mbaj mend herët e para të mia kur merrja duartrokitjet e publikut gjatë numrit koreografik, qaja pas çdo performance dhe kuptoja që për mua ishte kënaqësia më e madhe e përjetuar si artiste. Në vazhdimësi, mendoj që duartrokitjet të kthehen në fjalë të mira e të bukura, të kthehen në mirënjohje, të kthehen në dashuri… Këtë synoj nga publiku im.
Menjëherë sa erdhe publikove foto dhe video me Albin të mungon?
Sigurisht që më mungon, kur gjejmë hapësirë kohore mundohemi të jemi afër njëri- tjetrit, sepse për momentin ky është një vit sakrifice për ne, duke qenë se punojmë në vende të ndryshme dhe nuk e shohim njëri- tjetrin kur hapim e mbyllim sytë. Nuk është e lehtë. Por ka edhe një gjë të mirë që Roma është një ore e pak larg Tiranës, kur gjej një fundjave unë vij në Tiranë ose anasjelltas. Ky është realiteti i momentit, por unë them që edhe kjo largësi më ka bërë të dashurohem nga fillimi me Albin, (qesh)…
Sa të mbështet ai në karrierën tënde?
Nuk besoj se ka nevojë për fjalë mbështetja e Albit për mua. Ai shtatë vite punë të karrierës së tij mi kushtoi mua, ndërsa tani po më lë të lirë të eci vet, por gjithmonë duke më ndjekur e duke me dhenë kurajo, gjithmonë duke më orientuar dhe padyshim që çdo vendim e marrim bashkë.
Si është të jesh në “Amici” por tashmë pjesë e trupës profesioniste?
Në Shqipëri isha në televizionin më të madh në vend dhe të njëjtën gjë po ndjek edhe në Itali… Këtu çdo gjë ka përmasa më të mëdha, për vet faktin që Italia është shumë më e madhe dhe vendi ku unë punoj, televizioni ku unë punoj shkon në shtëpinë e milona italianëve. Për një balerinë këtu, objektivi është një punë në teatër ose pjesë e trupës në “Mediaset” në Amici. Të kalosh nga pjesë e programit në profesioniste është një momentet që do ta shënoj në eksperiencat e mia, sepse janë dy gjëra të ndryshme ku provova të kthehem në kohë si nxënëse në konkurim dhe kthim aty ku isha, në një profesioniste. Pa hequr edhe faktin që është programi im, i preferuar qe kur kam qenë fëmijë.
Projektet e radhës ma merr mendja që do të vazhdosh me po të njëjtin intesitet dhe vrull…
Sekreti është dashuria që ve mbi punën time, për sa kohë ekziston kjo atëherë do të ketë gjithmonë rezultat.