Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Intervista/ Rexhep Qosja: Përçarja Shqipëri-Kosovë? Vetëkënaqësi feudale

2016/10/21 at 9:36 AM
në Aktualitet, Komente, Politikë, Te Fundit
Kohë leximi: 13 min
A A
Kjo është Qeveria e Millosheviçit

“Edhe unë do ta hiqja ndonjë fjali prej atij fjalimi, por në përgjithësi fjalimi i Edi Ramës ju po thoni para kryeministrit Vuçiç e unë do të thosha para opinionit serb, shqiptar e evropian ishte fjalim i menduar shumë mirë, fjalim me rrezatim të gjerë politik. Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike”. Kështu e komenton akademiku Rexhep Qosja fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama në Beograd.


Në një intervistë për “GSH”, akademiku nga Kosova ndalet edhe tek kritikat e Prishtinës ndaj Tiranës zyrtare, pa qenë dakord me to, ndalet te “kombi kosovar” dhe tek ajo që po lexohet si përçarje Shqipëri-Kosovë. Për profesor Rexhep Qosjen, ideja përmbledhëse e kësaj interviste do të mund të ishte “Vetëkënaqësia feudale”.

Profesor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u takua me kryeministrin e Serbisë, në Beograd. Si e perceptuat ju këtë takim?

– Meqenëse e njoh si trabant të dikurshëm të Vojisllav Sheshelit, i cili ishte pamatshëm i ngarkuar me shovinizëm ndaj kroatëve, ndaj myslimanëve dhe ndaj shqiptarëve, që e shprehte shumë egërsisht, unë nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi politik a intelektual për takimet e politikanëve shqiptarë me kryeministrin e sotëm të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Por, populli serb e ka zgjedhur atë dhe shqiptarët si dhe kroatët a myslimanët duhet të hyjnë në bisedime me të! Takimet e kryeministrit Edi Rama me të, deshëm s’deshëm janë, prandaj, të kuptueshme dhe të nevojshme. Më shpesh se Edi Rama me të janë takuar dhe vazhdojnë të takohen (në Bruksel) prandaj edhe gjetiu disa nga zyrtarët më të lartë të Kosovës.

Dhe, këto takime mund të quhen të domosdoshme e të rëndësishme për Kosovën, për Shqipërinë, për Serbinë dhe për rajonin në përgjithësi. Serbinë e kemi fqinje, kurse një numër të serbëve i kemi bashkëqytetarë të Kosovës, të cilëve duhet t’ua sigurojmë të gjitha të drejtat, që u sigurohen dhe siç u sigurohen edhe shqiptarëve në Serbi, në Maqedoni a në Mal të Zi. E kam thënë dhe po e përsëris: ne Serbinë nuk mund ta çojmë në Australi, kurse Serbia Kosovën nuk mund ta çojë në Indonezi a në Zelandë të Re. Me Serbinë do të jemi fqinjë gjithmonë dhe me fqinjët duhet të bëjmë çmos që të krijojmë marrëdhënie sa më të mira – për të mirën tonë dhe për të mirën e tyre.

Arsyeja tjetër pse e kuptoj takimin e kryeministrit Edi Rama dhe të zyrtarëve tanë me zyrtarët më të lartë serbë është edhe kjo: ne e kemi fituar luftën dhe, siç e ka thënë Uinston Çërçilli i mençur, fitimtari, gjithmonë e gjithkund duhet të tregohet shumë zemërgjerë.

Si ju duk fjalimi i Edi Ramës në Serbi para Vuçiçit?

– Studiuesit e veprave të Shekspirit edhe në kryeveprën e tij, në “Hamletin”, mund të gjejnë ndonjë ide, ndonjë fjali, a ndonjë pamje, që do ta hiqnin prej saj. Edhe unë do ta hiqja ndonjë fjali prej atij fjalimi, por në përgjithësi fjalimi i Edi Ramës ju po thoni para kryeministrit Vuçiç e unë do të thosha para opinionit serb, shqiptar e evropian ishte fjalim i menduar shumë mirë, fjalim me rrezatim të gjerë politik. Nuk ngurroj të them se fjalimet e Edi Ramës në Beograd me nivelin e tyre janë leksione politike dhe intelektuale për klasën politike serbe dhe kjo e vërtetë e nderon politikën shqiptare në përgjithësi.

A mendoni se bëri mirë kryeministri Edi Rama që promovoi “Kurbanin” e tij në Beograd, një libër e rrëfim përplasjesh në Tiranë?

– Edi Rama nuk është vetëm kryeministër, nuk është vetëm politikan, por Edi Rama është edhe intelektual e krijues, është piktor e grafist, edhe publicist e eseist i rendit të parë. Mund të keni vërejtur se në Evropë, kudo e kurdo është në vizita zyrtare, tregohet nderim për Edi Ramën kryeministër i Shqipërisë njëkohësisht duke pasur parasysh edhe prestigjin e tij intelektual, të treguar, të shprehur, natyrshëm, në të gjitha paraqitjet e tij.

Le të dihet se botuesi i “Kurbanit” të Edi Ramës ka botuar edhe romanin e Ismail Kadaresë “Pallati i ëndrrave”.

Nuk duhet të befasoheni me përurimin e veprës së Edi Ramës, “Kurbani”, në Beograd.

Serbia ka shumë traditë në përurimet e veprave të politikanëve e të shtetarëve të vdekur e të gjallë të popujve të ndryshëm evropianë e botërorë në përgjithësi në prani a në mungesë të tyre. Po ashtu, mund t’ju përkujtoj se para një kohe, nuk e mbaj mend para një viti a ndonjë muaj më pak, në Beograd u përurua edhe romani i Veton Surroit “Ambasadori i Melkizedekut”.

Përurimi i librit publicistik të Edi Ramës me vlera të theksuara edhe letrare “Kurbani” mua më bëri përshtypje të veçantë, qoftë edhe pse në këtë mënyrë u tregua sipëria e politikanit tonë, e kryeministrit tonë, jo vetëm në krahasim me kryeministrin Vuçiç.

Po deklaratën për Trepçën, kur Rama tha se nuk mund ta nxjerrim nga Kosova, si e lexuat?

– Me atë deklaratë kryeministri Edi Rama, me dhuntinë e tij krijuese, ia tha Serbisë dy të vërteta të mëdha, shumë të mëdha: e para, i tha Serbisë se Trepça është resurs i madh, tepër i madh, natyror, që kurrsesi, me kurrfarë mjetesh, nuk mund të nxirret prej vendit natyror, gjeografik, ku gjendet – prej Kosovës dhe, e dyta, se Kosova është shtet i pavarur dhe më vete, që vendos vetë, pavarur, për të gjithë dhe të gjitha, që janë në hapësirën e saj gjeografike, njerëzore e shtetërore.

Pati reagime nga Prishtina zyrtare, ku në njëfarë mënyre iu kërkua Tiranës të mos ndërhyjë, apo reagimi u perceptua keq?

– Ndaj paraqitjes zyrtare dhe intelektuale të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish, domethënë në Serbi, pati shumë, vërtet shumë reagime të zyrtarëve, të medieve dhe të individëve të ndryshëm në Prishtinë e në Kosovë në përgjithësi dhe pati shumë reagime në Tiranë si ndaj asaj paraqitje të Edi Ramës në Serbi ashtu edhe ndaj atyre reagimeve në Prishtinë. Numër i madh i këtyre reagimeve në Prishtinë e në Tiranë ishte i pushtuar prej idesh, mendimesh, ndjenjash, pasionesh të pakontrolluara, pothuaj iracionale, megjithëse disa ishin paramenduar si shumë “racionale”!

Për shumëkënd këto reagime në Prishtinë e në Tiranë mund të jenë befasi e madhe, e papritur e madhe! Si është e mundur që komunikimi midis Prishtinës e Tiranës, qoftë intelektual qoftë politik, të çoroditet, të degradojë, të fundoset deri në atë shkallë? E nuk do të duhej të befasoheshim aq shumë për shkak të atij kaosi që u tregua në këmbimet e mospajtimeve ndërmjet Prishtinës zyrtare e jozyrtare dhe Tiranës kryesisht jozyrtare për paraqitjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Serbi.

Ide, mendime, ndjenja, që më përshtrirshëm e më vrazhdë u shprehën kësaj radhe, janë shprehur, por në trajtë më të rrudhur e më të zbutur edhe më përpara dhe janë shprehur prej disa individëve e përmes disa individëve edhe prej disa institucioneve kryesisht shkencore, arsimore e kulturore.

Por, të lëmë anash fyerjet, paragjykimet dhe marrëzitë që arrijnë deri në mosdurim, të mos them deri në urrejtje, në disa reagime të disa gazetarëve, publicistëve, pedagogëve universitarë dhe të thuhen pak fjalë për dy çështje: e para, për “përzierjen” e Shqipërisë në punët politike të Kosovës dhe, e dyta, për idenë e krijimit të kombit kosovar.

Në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës u thanë, përpos të tjerash, edhe këto fjalë: “Përsa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, vetëm Kosova është aktor politik dhe Shqipëria besoj historikisht e ka të qartë këtë proces dhe besoj që edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-ja ose BE-ja. Prandaj, ne në raport mes Kosovës dhe Serbisë, natyrisht që kërkojmë mbështetje amerikane dhe natyrisht që kërkojmë mbështetje evropiane, meqë këta kanë instrumente që të ushtrojnë ndikim”.

Mjerisht, njëmijë herë mjerisht, Kosova nuk mund të quhet, ashtu si e quan Ministria jonë e Jashtme, “shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon”. Po të ishte shtet i pavarur, si çdo shtet tjetër në rajon nuk do të ndodhte që në institucionet administrative, arsimore, kulturore e të tjera të komunave serbe në Kosovë të mos ketë simbole shtetërore të shtetit të Kosovës! Po të ishte Kosova shtet i pavarur si çdo shtet tjetër në rajon, nuk do të ngrihej përmendorja madhështore e Car Lazarit në Mitrovicën Veriore me gisht të ngritur në shenjë pushtimi ndaj Kosovës! Po të ishte Kosova shtet i pavarur si çdo shtet tjetër në rajon, nuk do të ndodhte që edhe në disa zyra në Prishtinë a në ndonjë komunë tjetër të mos vihej fotografia e kryetarit të Kosovës po të viheshin fotografi të kryetarit të dikurshëm partiak! E të tjera, e të tjera.

E pse Kosova, megjithatë, s’është shtet si çdo shtet tjetër në rajon por shtet me sovranitet të cenuar prej komunave serbe në Kosovë, që s’i pranojnë simbolet shtetërore të Kosovës, fajtorë janë oligarkët që në krye të Kosovës gjenden që 16 vjetë, që i kanë bërë siç i kanë bërë bisedimet me Serbinë!

Nuk më duket as e arsyeshme, as e mundshme e aq më pak e natyrshme, që të përjashtohet e drejta e Shqipërisë, prandaj as e kryeministrit Edi Rama, për t’u interesuar dhe për të vepruar në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë. Përkundrazi. Kjo është e drejtë natyrore dhe politike e popullit shqiptar të Shqipërisë për t’u interesuar për vëllezërit e vet në Kosovë dhe kudoqofshin ata. Dhe fatmirësisht e përcaktuar edhe me Kushtetutën e Shqipërisë. Dhe, jo vetëm për t’u interesuar, por, edhe për të punuar për ta. Shqipëria ka dhënë pamatshëm shumë shembuj që e dëshmojnë rëndësinë e këtij interesimi të saj për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve të saj.

Nuk më duket e arsyeshme që ne, që Kosova, të pajtohet apriori me çdo qëndrim të SHBA-ve dhe të BE-së ndaj kushteve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Po marr vetëm dy shembuj. Nuk duhet të pajtohemi me trysninë e BE-së për Marrëveshjen mbi krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, që, më në fund, si e tillë u zhvlerësua prej Gjykatës sonë Kushtetuese. Dhe, nuk duhet të pajtohemi me trysninë e BE-së dhe SHBA-së për Demarkacionin me Malin e Zi, sepse, si i tillë, ai Demarkacion nënkupton cenim të rëndë të tërësisë shtetërore, të resurseve natyrore dhe të sigurisë së Kosovës sot dhe në të ardhmen. Dhe, nuk duhet të pajtohemi me përdorimin e çështjes së liberalizimit të vizave nga ana e BE-së si kusht për të nënshkruar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi. Jo, në asnjë mënyrë.
Nuk ka dyshim se Shqipëria nuk do t’ia bënte kurrë Kosovës këto trysni për këto çështje.

Shqipëria për Kosovën dhe Kosova për Shqipërinë duhet të jenë më të shtrenjta se çdo shtet tjetër dhe se çdo bashkësi shtetesh në këtë Botë. Apo jo? Dhe arsyet dihen, i dimë të gjithë. Kosova e Shqipëria me shumë e shumë shekuj ishin Një dhe Një pashmangshëm do të bëhen, përgjithmonë.

Nuk ka dyshim se në deklaratën e Ministrisë sonë të Jashtme dhe në reagimet e një vargu reaguesish ndaj paraqitjes së kryeministrit, Edi Rama, në Beograd e në Nish u ringjall edhe ideja e kombit kosovar. Në këtë deklaratë dhe në këto reagime, deshën s’deshën autorët e tyre, u tregua se kush janë autorët e vërtetë të idesë së “kombit kosovar”. Kam shkruar më shumë herë për këtë ide dhe e kam ditur se pas saj qëndrojnë disa nga feudalët politikë, kurse trumbetuesit e saj janë vetëm zëdhënës të atyre feudalëve. Le të thuhet në këtë mes se ideja e “kombit kosovar” është ide feudale, reaksionare, që e bëjnë të parealizueshme historia, gjuha, qytetërimi, kultura e përbashkët, e njësuar, e Kombit shqiptar, që e bën të palejueshme, prandaj edhe të parealizueshme, vullneti politik i shqiptarëve në disa shtete ballkanike dhe në shtete të tjera ku jetojnë ata sot.

Dhe, jo vetëm kaq. Përpjekja, si e thotë, me këtë rast, gazetari e publicisti Blendi Fevziu, “për të krijuar dy kombe të ndryshme nuk është e dështuar, por tejet e rrezikshme. Dhe, mbi të gjitha ajo s’ka të bëjë fare me shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, por me elitat e korruptuara që e konsiderojnë shtetin e ri të Kosovës një principatë private të tyren dhe jo një republikë demokratike të shqiptarëve të Kosovës. Një republikë ku pushteti është i qytetarëve dhe shpreh vetëm vullnetin e tyre”.
Realizimin (për fat të pamundshëm) të asaj ideje të rrezikshme, të idesë së kombit të dytë, shqiptarëve mund t’ua dëshirojnë vetëm armiqtë e tyre.

Ka pasur raste që është kërkuar nga Prishtina që të reagojë Tirana zyrtare, si duhet bërë balancimi mes mbështetjes e lobimit deri tek ndërhyrja në punët e shtetit të Kosovës?

– U tha edhe në reagimet e disa autorëve nga Prishtina se prej përfundimit të luftës çlirimtare në Kosovë Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë shumë punë për Kosovën, për njohjen e saj shtet i pavarur e më vete, për pranimin e saj në organizata e në institucione të ndryshme ndërkombëtare. E të tjera. E të tjera.

A mos ka filluar një përçarje mes Shqipërisë e Kosovës? Duke nisur nga futbolli, Eposi i kreshnikëve në Unesco e deri tek reagimet e fundit? A po bashkohemi në Evropë apo po përçahemi në Ballkan?

– Reagimet në Prishtinë ndaj paraqitjes së kryeministrit Edi Rama në Serbi dhe një pjesë e reagimeve në Tiranë ndaj këtyre reagimeve në Prishtinë në të vërtetë janë shprehje e një provincializmi në të dy anët e kufirit, që tingëllojnë si përçarje. E provincializmi i bën viktimat e tij të shohin vetëm veten! Dhe, provincializmi i bën viktimat të shohin vetëm sa mund të shohin ata: deri te kthesa e parë.
Fatkeqësisht klasa e sotme politike shqiptare, shumë më tepër se për jetën e popullit po mendon për interesat e veta.

Fatkeqësisht klasa e sotme politike shqiptare ka treguar dhe po tregon se nuk e di dhe nuk do ta dijë se resursi më i madh, më i rëndësishëm i çdo shteti dhe i çdo populli në botën e sotme aq shumë të përbërë është Dija.

E klasa politike që është e vetëdijshme për rëndësinë e resursit e quajtur Dije sheh përtej kthesës së parë dhe e di çka do bërë jo vetëm sot, por edhe pas njëzet vjetëve në politikën shtetërore.

Klasa politike e vetë-dijshme për rëndësinë e Dijes u shmanget polarizimeve në jetën kombëtare, që aq marrëzisht u shprehën në reagimet ndaj paraqitjes së Edi Ramës në Serbi, u shmanget polarizimeve në jetën kombëtare për të cilat fatkeqësisht janë specializuar disa parti në Kosovë dhe në Tiranë.

Më pyetët a mos ka filluar një përçarje mes Shqipërisë dhe Kosovës?

Është e ditur që prej epokës së madhe të Rilindjes Kombëtare se shqiptarët kanë potencial të madh atdhetar. Është e kuptueshme, prandaj, pse edhe në Shqipëri edhe në Kosovë, sidomos në Kosovë, prej shumë autorëve u reagua vendosmërisht ndaj feudalizmit të zyrtarëve dhe të sejmenëve të tyre në medie, në organizata joqeveritare, në portale dhe ku tjetër u paraqitën ata. Vetëdija gjithëkombëtare e numrit më të madh të shqiptarëve kudoqofshin ata i komprometon idetë, mendimet, veprimet, sjelljet përçarësve Shqipëri-Kosovë.

Profesor Qosja, përgjithësisht si e vlerësoni situatën politike në Kosovë. Ka dy vite që më shumë vendi ynë merret me dy tema – me Demarkacionin dhe me Asociacionin për të cilat edhe ju keni dhënë qëndrimin tuaj. Dhe tani, së fundmi: si e vlerësoni nismën e presidentit Thaçi për të zbardhur të gjitha krimet gjatë dhe pas luftës?

– Situatën në Kosovë, sipas mendimit tim, e karakterizon krizë e gjatë politike, në të cilën është përmbjatur një tendosje e brendshme e mbuluar me fjalë e frazeologji më pak a më shumë qetësuese, në të vërtetë mashtruese. Dhe këtë tendosje e përbëjnë:

1. Çështja e pazgjidhur e Bashkësisë së Komunave Serbe;
2. Çështja e pazgjidhur e Demarkacionit me Malin e Zi;
3. Burgosjet politike të një numri të pjesëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje disa prej të cilëve të quajtur terroristë prej zyrtarëve shtetërorë, të quajtur kështu pa u dëshmuar kjo me asnjë të dhënë lëndore, të quajtur kështu, terroristë, pa u menduar se ashtu po përsëritet fjalori politik damkosës i Serbisë në kohën e Millosheviqit ndaj të rinjve shqiptarë, pa u menduar se ashtu po i sillet dëm i madh politik Kosovës në arenën ndërkombëtare;
4. Autokracia, me mjaft përbërës primitivë despotikë, e pushtetarëve në përgjithësi, kurse e kryesorëve në veçanti;
5. Varfëria e një pjese të madhe të popullsisë së Kosovës – varfëria, sipas të dhënave zyrtare, e 30 për qind banorëve, kurse varfëria e skajshme e 12 për qind banorëve të Kosovës;
6. Terrori i korrupsionit dhe i nepotizmit, që maskohen me dofarë këshillash dhe me do fraza politike, se gjoja do të luftohen edhe korrupsioni edhe nepotizmi; dhe, në fund,
7. Qëndrimi i paligjshëm në pushtet i qeverisë që ka nënshkruar dy marrëveshjet e sipërtheksuara e që me to po vazhdon ta torturojë opinionin kosovar qe një kohë të gjatë. Kjo krizë politike do të ishte zgjidhur sikur Opozita Vetëvendosje, AAK dhe

Nisma të mos ishte përçarë kush mund ta dijë nën çfarë trysnish.
Mbetet të presim si do të shtendoset kjo tendosje e brendshme. Dhe, si do të zgjidhet kjo krizë në të cilën Kushtetuta e Kosovës vazhdon të shkelet prej një qeverie të paligjshme!

Më pyetët, më në fund, se si e vlerësoj nismën e kryetarit Hashim Thaçi për zbardhjen e krimeve gjatë dhe pas luftës.

Kërkesa e Hashim Thaçit “për t’u zbardhur, si e thatë ju, të gjitha krimet gjatë dhe pas luftës” është përsëritje e kërkesave me qindra herë të përsëritura gjatë 16 vjetëve të shkuara të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të gazetës së saj ”Bota sot”. Prej se është bërë kryetar i Kosovës, jo vetëm me këtë kërkesë, jo vetëm me ato katër letra, Hashim Thaçi kur e kur po paraqitet njëkohësisht si kryetar e si kryeministër, kurse tani në fund edhe si Prokurori e Gjykatë e Kosovës! Por, a duhet a jo të paraqitet Hashim Thaçi me të gjitha këto kompetenca është e drejtë e çdo intelektuali, prandaj edhe e imja ta them si një intelektual i angazhuar, por është obligim ligjor ta thonë sidomos ata që janë zgjedhur për të gjykuar për zbatimin e drejtë e për shkeljet e Kushtetutës së Kosovës.



Ju sugjerojmë

Diaspora/Balla: Populli foli me votë, ta lexojmë dhe të pranojmë rezultatin
Politikë

Diaspora/Balla: Populli foli me votë, ta lexojmë dhe të pranojmë rezultatin

11 Maj, 2025 9:03 pm
“2 mandate shtesë, beton!”/ Cila parti do dominojë Tiranën sipas analistit
-U tha në Opinion

“2 mandate shtesë, beton!”/ Cila parti do dominojë Tiranën sipas analistit

11 Maj, 2025 8:59 pm
Berisha optimist pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit: Sovrani foli!
Kryesore

Berisha optimist pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit: Sovrani foli!

11 Maj, 2025 8:55 pm
Në Gramsh nuk presin orarin zyrtar, mbyllin qendrat e votimit më herët
-U tha në Opinion

Në Gramsh nuk presin orarin zyrtar, mbyllin qendrat e votimit më herët

11 Maj, 2025 8:35 pm
Vorë/ Ja rezultati i kutisë së parë të votimit, si votuan qytetarët
Kryesore

Vorë/ Ja rezultati i kutisë së parë të votimit, si votuan qytetarët

11 Maj, 2025 8:29 pm
Rezultati i votimit elektronik/Celibashi: Kërkesë e PD, del nesër në mëngjes!
Aktualitet

Rezultati i votimit elektronik/Celibashi: Kërkesë e PD, del nesër në mëngjes!

11 Maj, 2025 8:24 pm
Opinion/ Ja përballjet e liderëve politikë ndër vite
-U tha në Opinion

Opinion/ Ja përballjet e liderëve politikë ndër vite

11 Maj, 2025 8:21 pm
Pjesëmarrja në votim,Celibashi nxjerr shifrat: Kanë votuar afërsisht 41.37%…
Kryesore

Pjesëmarrja në votim,Celibashi nxjerr shifrat: Kanë votuar afërsisht 41.37%…

11 Maj, 2025 8:17 pm
Exit Poll i Albanian Post: Fitore bindëse e PS, Berisha në kuota “të pranueshme”
Kryesore

Exit Poll i Albanian Post: Fitore bindëse e PS, Berisha në kuota “të pranueshme”

11 Maj, 2025 8:14 pm
Shqipëria votoi, Fevziu: Këto ishin zgjedhjet më të qeta e rutinore ndonjëherë
-U tha në Opinion

Shqipëria votoi, Fevziu: Këto ishin zgjedhjet më të qeta e rutinore ndonjëherë

11 Maj, 2025 7:52 pm
Para
Instagram “dyfishon” historitë

Instagram "dyfishon" historitë

Foto/ Ja si dukej Luana Vjollca kur ishte 15 vjeç/ A ka ndryshuar shumë?

Foto/ Ja si dukej Luana Vjollca kur ishte 15 vjeç/ A ka ndryshuar shumë?

Policia italiane sekuestron 1 kuintal drogë, në pranga dy shqiptarë

Tragjedia/ Babai aksidenton për vdekje vajzën 18 muajshe
















TE FUNDIT

Diaspora/Balla: Populli foli me votë, ta lexojmë dhe të pranojmë rezultatin

Diaspora/Balla: Populli foli me votë, ta lexojmë dhe të pranojmë rezultatin
11 Maj, 2025

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për diasporën në këto zgjedhje, Taulant Balla u shpreh se populli foli me votë sot,...

Lexo më shumë

“2 mandate shtesë, beton!”/ Cila parti do dominojë Tiranën sipas analistit

“2 mandate shtesë, beton!”/ Cila parti do dominojë Tiranën sipas analistit
11 Maj, 2025

Republika e Shqipërisë këtë të dielë më 11 Maj, zhvilloi zgjedhjet parlamentare për formimin e qeverisë së re për një...

Lexo më shumë

Berisha optimist pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit: Sovrani foli!

Berisha optimist pas përfundimit të orarit zyrtar të votimit: Sovrani foli!
11 Maj, 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë një deklaratë për mediat pas përfundimit të orarit zyrtar të proçesit të...

Lexo më shumë

Në Gramsh nuk presin orarin zyrtar, mbyllin qendrat e votimit më herët

Në Gramsh nuk presin orarin zyrtar, mbyllin qendrat e votimit më herët
11 Maj, 2025

Disa qendra votimi në Gramsh janë mbyllur me herët se ora 19:00, që ishte edhe orari zyrtar. Sipas raportimit të...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com