Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë krejt ndryshe nga ccfarë jeni mësuar ta shihni në “Opinion”. Ai ka rrëfyer momente dhe episode jo vetëm nga jeta në politike por dhe në familje e shoqëri.
Fevziu: Zoti Rama, mirëmbrëma. Faleminderit që e pranuat intervistën.
Kryeministri: Faleminderit që erdhët.
Fevziu: Është një intervistë pak ndryshe në fakt. Unë kam regjistruar krerë kryesor të shtetit dhe të opozitës, për të folur mbi një qasje ndryshe për festat. Nuk do të jetë ai stili i zakonshëm i batutave, i debateve, nuk shtë një intervistë investigative, tenton kryesisht të sjelli një imazh tuajin jashtë politikës, por natyrisht do të ketë dhe një-dy pyetje politike. Do të doja ta nisja me një pyetje standarde, që e kam pasur dhe me të tjerë. A jeni person që ju pëlqen atmosfera festive? Ka njerëz që e ndjejnë shumë festën, ka të tjerë që i bezdis ajo atmosferë, ose qoftë dhe gjithë tollovia që prodhojnë festat. Personalisht si keni qenë jo vetëm këto ditë, por edhe në përgjithësi në jetën tuaj?
Rama: Diçka ka ndryshuar. Ka ndryshuar, sepse të them të drejtën festat i pres si mundësi për të fjetur pak më shumë dhe sapo shfaqen dritat e festave…
Fevziu: Shfaqet dhe gjumi në horizont.
Rama: Pres momentin kur do të vijë dita që mund fle pak më gjatë.
Fevziu: Në fakt, këtë në dorë e keni, se mund të jepni dorëheqjen si kryeministër, mund të flini sa të doni. Ju i keni mundësitë të flini në ajër të pastër. Keni një shtëpi sa Pallati i Zogut, në një farë mënyre, kështu që mund të flini sa të doni.
Rama: Faleminderit që ma bëre pyetjen, sepse…
Fevziu: Thashë nuk do e nisnim me batuta në fakt, por meqenëse e nisëm me gjumin.
Rama: Shtëpia ka një mur të gjatë, por meqenëse është shtëpia ime dhe duke qënë se unë jam pak si ndryshe, jo vetëm nga gjatësia, fakti është që hapësirat e brendshme të jetueshme janë më të vogla sesa hapësirat e tua të jetueshme dhe ka një oborr të brendshëm. Ka edhe një hapësirë tjetër që është krejtësisht e papërdorur dhe që pret pikërisht kohën kur unë nuk do të jem më në këtë detyre dhe do të kem mundësi të vazhdoj të merrem me…
Fevziu: Çfarë ka kjo hapësira tjetër bosh?
Rama: Asgjë. Është vetëm mundësia për kohën për jetën e tretë. Se një jetë të parën e kam pasur si artist.
Fevziu: Si sportist
Rama: Si sportist, pedagog, njeri i lirë, që i jepja vetes të drejtën që të mos kisha asnjë pengesë. Jeta e dytë është kjo.
Fevziu: Po e treta?
Rama: Shpresoj të kem një jetë të tretë, e cila do të jetë përsëri një jetë individuale.
Fevziu: Gati të krijon përshtypjen sikur po ndërtoni një azil pleqsh. Çfarë do të jetë?
Rama: Me veprimtari tërësisht individuale. Kam një plan, por është thjeshtë një ëndërr.
Fevziu: Meqë hymë tek shtëpia në fakt, se nuk doja të fokusohesha shumë aty. E keni projektuar vetë si ide shtëpinë?
Rama: Është një shtëpi që ka filluar si një ide e imja. Sigurisht më kanë ndihmuar dhe të tjerë, se nuk mundem dot të detajoj…
Fevziu: Pjesën konstruktive.
Kryeministri: Nga pikëpamja personale, por po, është një shtëpi që filloi si ideja e 4 frutave në lëndinë. Njëra pjesë është oborr, pra hyn në shtëpi, por në fakt je përsëri jashtë. Ka një pjesë ndenjeje që është 130-135 metra katror, ka dhe një pjesë gjumi që ka 3 ndarje, 3 dhoma, por e gjitha është 90 metra katror. Pjesa e katërt është atelieja që me gjasë do të jetë…
Fevziu: Është e vërtetë, siç kam lexuar në shtyp, që e keni shtëpinë pa dritare, si një lloj bunkeri?
Kryeministri: Është një zgjidhje e veçantë. Në fakt ka një dritare, po e vërtetë është, në pjesën e gjumit nuk ka dritare. Megjithatë ka dritë më shumë sesa po të kishte dritare.
Fevziu: A është e dekoruar për festa dhe kush merret me to?
Kryeministri: Po ka një pemë të vitit të ri brenda, ka dhe një pemë të vitit të ri jashtë në oborr.
Fevziu: Më duket pak e çuditshme që Edi Rama të ketë një pemë të vitit të ri klasike, me topat edhe me flokët e borës.
Kryeministri: Po por unë jam kryeministër kur dal nga shtëpia, ndërsa në shtëpi ka një mbret, Zaho. Është mbreti që vendos, kështu që mbretit nuk mundet dot t’ia privonim pemën e vitit të ri dhe topat në të.
Fevziu: Sa kohë kaloni me Zahon?
Kryeministri: Do të doja të kaloja shumë më tepër, por megjithatë përpiqem që të mos ketë asnjë ditë që mund të fillojë ose të mbarojë pa Zahon.
Fevziu: Arrin ta perceptojë faktin që mungoni gjatë në shtëpi, ose nuk jeni prezent saç ndoshta ai do të donte? Gjë që kam përshtypje, shumë fëmijë e ndjejnë.
Kryeministri: Kam përshtypjen që arrin, sepse në momentin kur nuk është i kënaqur me mua, për një arsye ose një tjetër, për një lodër apo një film, apo për një top, thotë, “shko në punë tani”.
Fevziu: Fëmija juaj i parë, pra, djali juaj i parë ka ardhur në jetë kur ju ishit i ri, 20 e ca vjeç, ndërkohë djali tjetër ka ardhur në një moshë më të pjekur. Çdo të thotë të bëhesh baba në këtë moshë? Në fakt nuk është shumë e zakonshme.
Kryeministri: Në fakt, e vërteta është që për arsye të rrethanave, unë nuk mund të them që e kam përjetuar, siç e keni pasur fatin ta përjetoni ju dhe përgjithësisht të gjithë, të qenit baba, në kontakt me fëmijën gjatë gjithë kohës, në momentin e parë, me Gregun dhe ishte një ndjesi që me siguri është e ndryshme në këtë distancë kohe, por për mua ishte komplet e befasishme, e jashtëzakonshme dhe nuk e kam imagjinuar kurrë që do të ishte një emocion dhe një burim kaq i mrekullueshëm energjie pozitive dhe dizintoksifikimi nga helmet e jetës jashtë mureve të shtëpisë. Ndërkohë që me siguri është një fat shumë i madh, kur je në këtë punë, përveçse je baba dhe të jepet kjo dhuratë kaq e mrekullueshme.
Fevziu: Ndërkohë raportin me djalin e madh si e keni?
Kryeministri: Është shok. Ka qenë shok që kur nuk ishte në moshë për të qënë shok, për arsye se marrëdhënia jonë ishte marrëdhënie shumë e posaçme dhe unë, nën shembullin e tim eti, kam qenë gjithmonë shumë këmbëngulës që ai të ishte sa më i lirë dhe të merrte sa më shumë vendime vetë.
Fevziu: Çfarë pasionesh ka?
Kryeministri: Ai ka pasion të shkruajë. Shkruan vërtetë, besoj, bukur. Ka pasion të skulpturojë, ka pasion të fotografojë. Përgjithësisht është në këtë botë.
Fevziu: Raportin me djalin e vogël, raporti midis tyre?
Kryeministri: Perfekt.
Fevziu: Perfekt, pavarësisht distancës në moshë?
Rama: Perfekt.
Fevziu: Doja t’ju pyesja në fakt, se kam pyetur edhe të gjithë të ftuarit e tjera, ku do ta festoni Vitin e Ri? Vjet ju gjeti në Amerikan Arena në Miami, duke parë një ndeshje basketbolli, në mos gaboj, i ulur pranë Sel Rusit, një shqiptaro-amerikan i njohur, një vizitë gjysmë inkonjito, gjysmë sekrete, që u dekonspirua vetëm nga fotot.
Kryeministri: Nuk gabon, s’ke si të gabosh se faktikisht është një moment që u bë edhe ngjarje e disproporcionalisht e madhe, pasi këtu ndodhi për fat të keq që…
Fevziu: Vërtetë shkuat për të parë një ndeshje basketbolli? Një kryeministër i një vendi shkon për të parë një ndeshje basketbolli?
Kryeministri: Nuk shkova për të parë një ndeshje basketbolli. E kam thënë, por mbase nuk e keni vënë re, shkova sepse i kisha premtuar gjyshit, pra, të atit, kreut të familjes, një burrë shumë i lartë, Turhan Rusit, se do t’i shkoja për vitin e ri dhe ai do të ishte në shtëpi, pasi ai pati një operacion shumë të vështirë në zemër dhe praktikisht ishte në një situatë shumë kritike. Unë e mora në telefon dhe i thashë t’i do të bëhesh shumë mirë dhe unë do të vij të të vizitoj për vitin e ri. Ishte një fjalë që e dhashë për atë burrë dhe shkova për këtë arsye.
Fevziu: E kuptoj që nuk paskeni shkuar për një ndeshje basketbolli, në këtë rast që ka qenë i kreut të familjes Rusi, por ju kam parë edhe në ndeshjen e Bayernit, për shembull, kur shkoni edhe me xhupa të Juventusit apo të ekipeve italiane. Kam përshtypjen, ky pasion për sportin, për t‘u gjendur nga pallati i sportit në stadium, nga se vjen?
Kryeministri: Në fakt, problemi im është që po të shkoj njëherë në një stadium, duket sikur shkoj gjithmonë në stadium. E vërteta është që unë kam shkuar në stadiumin e shtetit shumë më pak sesa ti, ose sa shumë të tjerë që kanë këtë mundësi të lëvizjes. Dhe tjetra që është e rëndësishme, kam shkuar në stadium, ose kam shkuar në Amerikë, ose nëse ka pasur ndonjë arsye, kam shkuar jo për arsye pune, me shpenzimet e mia që ma lejojnë që të bëj edhe ndonjë udhëtim tjetër. Për me tepër se kaq, në fakt te Bayerni më ftoi Karl-Heinz Rummenigge mbasi këtu ishte Carlo Anceloti dhe patëm një nga ato bisedat që bëjmë në Qendrën për Hapjen dhe Dialog, këtu poshtë, për lidershipin. Jemi shumë miq dhe ai mu lut që të shkoja. Unë me të qeshur i thashë nuk vij po nuk pata ndonjë ftesë zyrtare. Ftesën ma bëri drejtuesi i Bayernit dhe gjeta një moment.
Fevziu: Pra ishte privat? Nuk kishte lidhje me statusin?
Kryeministri: Ishte tërësisht private dhe nuk ishte që vajta dhe pastaj shkova në Berlin, sepse kisha dhe takimin në Berlin. Por jam kthyer dhe pastaj jam rinisur.
Fevziu: Zoti Rama, një nga pyetjet që jua kanë bërë pothuajse të gjithë të ftuarve, cili ka qenë momenti më i vështirë ose më i bukur i 2016-s. Të sugjeroja të mos fokusoheshit tek pjesa publike politike, por te pjesa private.
Kryeministri: Momenti më i vështirë ka qenë ai që përmendët ju, momenti kur isha atje në SHBA dhe këtu ndodhi ajo që ndodhi, pati një mot shumë të rënduar dhe faktikisht, distanca e bën të pamundur që të isha. E kuptova se nuk është se nuk i bëra punët që duhet të bëja, sepse me teknologjinë sot mund të bësh çdo gjë, por prapë ai ishte një moment i vështirë, sepse sigurisht që ishte një moment ku edhe ajo balta e përditshme kishte intensitet më të lartë dhe faktikisht krijoi ndjesinë sikur..
Fevizu: Mos ta kthejmë në politikë, sot jam me format tjetër. Dhe momenti më i bukur?
Kryeministri: Ka qenë momenti i ditëve të pushimit me Zahon, për shkak se këtë vit ishte më i rritur dhe kishte një marrëdhënie prej më të rrituri me detin. Ishte vërtetë një kënaqësi e jashtëzakonshme.
Fevziu: Ju thatë që kohë të lirë mundoheni gjithmonë të gjeni për Zahon, ndërkohë jeni kryeministër, jeni shumë i impenjuar edhe prej postit. Keni djalin e vogël me të cilin doni të konsumoni kohën, por të paktën në informacionet që kam unë, – do të thoni që janë informacione që qarkullojnë në Tiranë, por dhe midis tyre ka padyshim të vërteta, siç ka edhe ekzagjerime, – ju harxhoni kohë shumë të madhe duke punuar në poçeri. Madje mund të jeni i pari kryeministër që duket sikur i kushtoni më shumë kohë poçerisë sesa kësaj poçerisë së madhe, Shqipërisë. Është e vërtetë që keni një poçeri tuajën?
Kryeministri: Ky nuk është një informacion i marrë në rrugë investigative, sepse, mbase e ke harruar, por e ke lexuar, kur e kam treguar vetë. E kam treguar vetë si kam kaluar nga vizatimet që më shoqërojnë në të përditshmen time dhe që nuk i bëj po qe se nuk jam në një takim, në një mbledhje, është njësoj si, të thuash, një bashkërrugëtim ku përqendrohem shumë më tepër në bisedë, ndërkohë që dora bën punën e vet. Kur kam vajtur tek një shoku im i fëmijërisë, i cili ka një studio dhe vajta për ta falënderuar sepse i kishte bërë një dhuratë shumë të bukur sime mëje, disa pjata që ai prodhon mbi disa vizatime të mia. Dhe aty kapa me dorë baltën.
Fevziu: Keni punuar ndonjëherë me baltë?
Kryeministri: Jo nuk kam punuar asnjëherë, me thënë të drejtën. Shumë vite më parë, kam qenë pak më i madh se Zaho, mbaj mend që kam bërë një skulpturë të vogël në studion e tim eti, por nuk e kam pasur asnjëherë pasion skulpturën. Aty bëra një diçka të vogël. Pastaj nuk harxhoj kohë shumë të madhe. Mund të shkoj dy herë ose tre herë në muaj, mund të jenë dy të shtuna.
Fevziu: Punon vetë me baltë, në poçe?
Kryeministri: Absolutisht. Dhe jam një poçar jo i keq.
Fevziu: Ç’do me thënë poçar jo i keq? Pashë një ekspozitë në Neë York, ishin ekspozuar disa nga poçet.
Kryeministri: Ato nuk janë poçe, ato janë pak më shumë sesa kaq. Por që filloi me vazot dhe pastaj u zhvilluan, ndërkohë që një shoku im është një mjeshtër për qeramikën dhe kalojmë shumë mirë. Do doja që ato momente të kohës të lirë t’i përdorja për të lozur basketboll.
Fevziu: Kam dëgjuar që lozni. Në oborrin e Kryeministrisë keni dhe një kosh. Thonë që sa herë lodheni, ose i bërtisni vartësve, zbrisni hidhni disa topa.
Kryeministri: Ideja ka qënë që të mund të ftoja ndonjëherë shokët e mi të vjetër, që kanë qenë basketbollistë shumë më prej vërteti, Gaz Çaçi etj..
Fevziu: Edhe Beqajn?
Kryeministri: Edhe Beqajn. Por nuk e kam bërë asnjëherë, sepse nga e thëna në të bërë, është në mes një det i tërë dhe kur janë në mes 50 vjet, atëherë, mendja të thotë se mund të kërcesh, gjuri të thotë ndalo se mund të biesh.
Fevziu: Shpresoj që nuk ka filluar e gjithë qeveria që të gjuajë kosha, e keni vetëm ekskluziv tuajën?
Kryeministri: Jo, nuk është se përdoret në fakt, për fat të keq, ashtu siç do doja.
Fevziu: Ndërkohë, meqë po flisnim për poçet dhe unë e përdora ndoshta me fjalën më të përdorshme në publik, kam parë që keni hapur disa ekspozita. Ka pasur dhe debat për ekspozitat tuaja. Kam një pyetje, në fakt mos e merrni, se unë thashë, nuk jam në formatin ngacmues sot, jam në format tjetër. Si shpjegohet që sa kohë nuk ishit kryeministër, nuk kishit kaq shumë ekspozita. Tani që u bëtë kryeministër, edhe poçet duken më të bukura për ekspozitat e perëndimit? Mos kanë lidhje me kryeministrin këto ekspozita?
Kryeministri: Në fakt, kur nuk kam qenë kryeministër, kam bërë më shumë ekspozita, por nuk binin aq shumë në sy saç bien tani. Më lejo të të them që, për fat të mirë ose të keq, unë nuk di të kem bërë ndonjë gjë që nuk ka bërë zhurmë. Për shembull, unë jetoja deri shumë vonë në një apartament shumë modest, me qira dhe të gjithë thoshin ky ka 200 shtëpi. Në momentin kur si të gjithë shqiptarët e tjerë bëhem me shtëpi dhe jo falë meje, sepse s’kam pasur asnjëherë një marrëdhënie të afërt me gjërat materiale, por falë Lindës, atëherë u bë shtëpia më e madhe në botë. Kështu që s’ka gjë që bëj unë, për fat të mirë apo të keq, që nuk bën zhurmë. Ekspozitat është e vërtetë që kanë ndodhur dhe kanë ndodhur, – gjëja që më vjen mirë, – në një proces shumë të natyrshëm, me galeri jashtëzakonisht profesionale.
Fevziu: Sa ka ndikuar të qenit kryeministër? Vetëm dua të jeni i hapur. Unë cekova galerinë e Neë York-ut, kjo është detyra ime, të cekoj dhe ishte një galeri prestigjioze. Si shpjegohet që kjo galeri prestigjioze ju fton tani që jeni kryeministër, nuk ju ka ftuar 7 vjet, 10 vjet përpara, nuk po them 15 vjet përpara, kur nuk ishit as në politikë. Sa ndikon të qenit Kryeministër? Është ekzotike për një galeri të ftoj kryeministrin e një vendi që hap një ekspozitë. Sa e ndihmon kryeministri, Edi Ramën në këtë rast?
Kryeministri: Tani po ju them unë si ka nisur kjo histori, sesi ka shkuar kjo histori në një stad tjetër. Patjetër që ka një moment, si të thuash, kurioziteti dhe ka një moment atraksioni që këto gjëra i bën një njeri që është edhe kryeministër. Por nëse këto gjëra nuk do të kishin vlerë, ose nuk do ishin atraktive në vetvete, askush nuk do guxonte të hapte një ekspozitë në një galeri që nuk jeton me kryeministra, por jeton me tregun e avancuar të artit bashkëkohor. Kjo ka filluar kur unë kam botuar librin e vizatimeve me Anri Salën. Anri insistonte shumë. Anri ishte njeriu që në fakt më ka shtyrë dhe më thoshte gjithmonë, shiko, mos ki kompleks, sepse kjo është diçka që duhet ta shohin njerëzit. Libri pastaj u shpërnda në shumë muzeume. Ky libër i ra në dorë një galeristi të famshëm në Berlin, i cili kërkoi të më takonte, erdhi këtu. Kur hyri në zyrë dhe pa dhe zyrën e të gjitha u impresionua jashtëzakonisht shumë dhe më tha “unë dua të kemi një marrëdhënie profesionale bashkë”. Pastaj ka ndodhur ajo që kam treguar, që më vjen një letër nga Marian Goodman, që është the top of the top, është një instancë, madje unë u habita dhe nuk u besoja syve.
Fevziu: I shton vëmendje të qenit kryeministër, galerisë?
Kryeministri: Unë besoj se këto galeri nuk kanë nevojë që të rrisin vëmendjen ndaj tyre, duke ekspozuar një politikan. Bile është shumë e rrezikshme për to, nëse ajo që ekspozojnë nuk ka cilësi në vetvete. Por patjetër që fabula është fabul. Nuk dua të përmend emra, por për shembull, por të ishte kaq kollaj, ka të tjerë burra shumë më të mëdhenj sesa unë, që kanë kaluar dhe nga Shtëpia e Bardhë, që bëjnë piktura, por nuk i ka ftuar njeri të bënin ekspozita.
Fevziu: Meqë përmendët zyrën, zyra që ju keni, është zyra e kryeministrit të Shqipërisë. Pra, është zyra e kreut të ekzekutivit. Ndërkohë ju e keni mbushur me flutura, me vizatime fluturash apo të tjera. A është pak “strange” për të huajt, pra, e çuditshme për të huajt që vijnë t’ju vizitojnë tek kjo zyrë. Pra, një zyrë duhet të jetë një zyrë simbolike, që ikën dhe vjen një kryeministër, por mbetet një zyrë simbolesh shteti.
Kryeministri: Të them të vërtetën, kur shkova në Bashkinë e Tiranës, bëmë atë shtesën e bashkisë, se zyra e kryetarit të bashkisë ishte një hata më vete, zyra e vjetër e komunitetit ekzekutiv dhe tek kolltukët ku uleshin miqtë, tek këndi, ishte një kovë që mblidhte ujin që binte nga tavani pikë-pikë. Ndërkohë, Këshilli Bashkiak nuk kishte sallë dhe mblidheshin nëpër restorante. Urbanistika nuk kishte një atelie. Atëherë unë bëra një shtesë. Kur kam bërë zyrën e kryetarit të bashkisë, kam menduar pikërisht këtë gjë, kjo zyre është zyrë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe i kam vënë dhe stemën dhe datën, me idenë që do jetë për 50 vjet. Kishte një qasje personale, por nuk ishte një zyrë ku të thoshin ky ka ekspozuar veten e vet. Më ka dhembur shumë, kur kam parë që mbi mermer është shtruar laminat, kur kam parë që muret janë hedhur përtokë, kur kam parë një transformim që nga një zyrë, ku të gjithë ata që e kanë vizituar, që nga Romano Prodi që erdhi në hapjen e zyrës dhe gjithë të tjerët impresionoheshin pozitivisht, u kthye në një sallë aeroporti të dorës së dytë. Kur erdha në zyrën e kryeministrit, ajo që bëra unë, së pari, rikuperova një vlerë të jashtëzakonshme që ishte o nëpër bodrume, o në Shkodër në një repart ushtarak, mobilet origjinale të dizajnuara nga Gio Ponti, që sot konsiderohet babai i dizajnit modern. Pra, gjithçka që është brenda, nga pikëpamja e mobilieve, jo gjithçka, por 80%, është Gio Ponti. Rikuperova atë dyshemenë ku kishte laminat mbi mermer nga koha e kaluar dhe disa karrige transparente, që mund të rrinë mund të mos rrinë. Tek muret, vendosa letër murale me vizatime dhe me idenë që, kur të vijë tjetri ta prishi, më mirë e heq vetë dhe po iki dhe e lë murin e bardhë. Por ajo që është më e rëndësishme është – ju siguroj – se të gjithë krerët e shteteve që kanë ardhur e kanë vizituar atë zyrë dhe që kam pasur rastin t’i takoj më pas, flasin për zyrën. Domethënë janë gjëra, të cilat i bëjnë mirë, si të thuash, edhe përshtypjes, i bëjnë mirë edhe raportit njerëzor, i bëjnë mirë, besoj unë, edhe një marrëdhënieje me vendin. Nuk dua të përmend emra, se s’kam dëshirë, por një nga figurat kryesore që ka ardhur këtu, kur e kam përcjellë në fund më tha “kjo godinë”, – se vizitoi katin e parë, zyrën, sallën e hartave, – “është promotor shijeje. Uroj shumë që sa më shumë të tilla të kisha mundësinë të shikoja.”
Fevziu: Kjo godinë që kur e ka projektuar Gherardio Bosio, kam përshtypjen ka qenë një nga godinat më të bukura që ekzistojnë sot në Europë. Që kur është dizajnuar.
Kryeministri: Patjetër, por të siguroj që nuk e kishte fjalën vetëm për pjesën e jashtme, por për gjithçka pa. Të siguroj po ashtu, që kam parë njerëz që kanë dalë të tmerruar nga kjo godinë, në kohën kur kam qenë ministër. Vinin nga jashtë dhe nuk e imagjinonin dot sesi mundej që një monument i tillë të ishte rrënuar në atë masë.
Fevziu: Kam 2-3 pyetje të vogla politike. Vitin e ardhshëm kemi zgjedhje. Do rinovohet Parlamenti. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë: A do ketë sërish persona problematikë, si ata që kishte ky Parlament? Pra, në vullnetin tuaj, nuk po them ata që i pengon ligji, a do tentoni të fusni sërish persona të dyshimtë, të akuzuar, me 100 probleme në biografinë e tyre?
Kryeministri: Unë jam i neveritur dhe i shoh me përçmim të gjithë ata që më shohin mua si njeriun që tentova, apo ia dola të fus njerëz me rekorde kriminale në Parlament. Unë kam bërë verifikimet e mia, aq sa mundësi kam pasur dhe asnjëherë e asnjë çast nuk kam ftuar njerëz, për të cilët ka pasur rekorde kriminale. Ndërkohë që tani kemi miratuar një ligj, të cilin e kemi votuar dhe ne, e kemi lënë ta shkruajë siç të donte Partia Demokratike dhe ky ligj do zbatohet. Zbatimi i ligjit është absolutisht një garanci që kushdo që ka një problem në të shkuarën, nëse gënjen, – se tani as unë dhe as Partia Socialiste apo cilado parti nuk janë ekipe hetimore, – nëse ka diçka të fshehur në të kaluarën e dikujt që ai nuk e deklaron dhe kjo zbulohet, atëherë pasojat janë shumë të qarta. Unë nuk besoj se do ketë njerëz që do guxojnë të hyjnë në këtë proces dhe pastaj të dalin të diskretituar publikisht.
Fevziu: A do zgjasë vitin e ardhshëm martesa juaj? Flas martesa politike me Ilir Metën? Do pyes edhe zotin Meta. Ju keni thënë që Meta mund të rrijë me ne, ose mund të rimartohet djathtas. Ju personalisht kërkoni që Meta të rrijë në martesë, pra, e quani një martesë të suksesshme që duhet të vazhdojë, apo do tentoni të luani i vetëm në zgjedhje?
Kryeministri: Krahasimi me martesën është bërë në një kontekst të caktuar, kur jam pyetur nga një kolegia juaj e TV Klanit. Ka qenë më shumë një batutë. Megjithatë le t’i rrimë kësaj, përsa i përket Partisë Socialiste dhe mua personalisht, koalicioni me LSI është strategjik. Pra, është diçka që shkon përtej meje, sipas meje dhe përtej një ekipi që është sot. Është një investim për të konsoliduar një forcë progresiste të majtë, moderne, europiane, që nuk është ende si shumë e si gjitha gjërat e tjera, ajo që duhet të jetë, edhe pse është padyshim forca më e madhe dhe forca më e besueshme progresiste që ka vendi, përtej të metave, problemeve, boshllëqeve etj.. Pra, unë besoj që përsa më takon dhe përsa na takon, nuk ka absolutisht asnjë arsye nga ana jonë që ne të godasim një projekt strategjik, një program strategjik.
Fevziu: Pra, do tentoni të shkoni sëbashku. Pyetja e fundit para se t’ju kërkoj një urim për shikuesit. Duket që vazhdimisht takoheni me Metën. Ju shoh që kaloni rrugën me duar në xhepa, për t’i shkuar në zyrë. Është folur që herë pas here e ftoni për të darkuar në Kryeministri, në darka që zgjasin gjatë. Cili është raporti yt personal me Metën? Asnjëherë nuk më është dukur që ka pasur ndonjë pëlqim mes jush, por në fakt, personalisht si shkoni?
Kryeministri: Këtë të nivelit pëlqimit mes burrash mos ji kaq i sigurt që mund ta identifikosh, siç mund ta identifikosh mes grash. Ne kemi pas një histori të veçantë, me thënë të drejtën, sepse kemi qenë shumë afër në kohën kur të dy ishim, besoj unë, jo mjaftueshmërisht të pjekur nga pikëpamja politike. Pastaj kemi kaluar një periudhë që dihet. Jemi ritakuar me shumë më tepër eksperiencë dhe në fund të fundit, besoj, edhe me mirëkuptimin e brendshëm, por dhe me njëri-tjetrin, që nuk jemi këtu për të ndryshuar njëri-tjetrin, por jemi këtu për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, duke u munduar të jemi sa më komplementarë. Jemi dy njerëz komplet të ndryshëm. Nuk e di si do ishin marrëdhëniet tona, nëse do ishim dy fqinj, por di që tek ky fakt që jemi kaq të ndryshëm, ka një potencial shumë të madh për të qenë komplementarë. Pra, siç ka një potencial për të qenë eksplozivisht antagonistë, ka dhe një potencial të madh për të qenë komplementarë. Besoj që me vështirësitë përkatëse, edhe ai, edhe unë përpiqemi që të shfrytëzojmë dhe të rrisim këtë potencial të të qenit komplementarë.
Fevziu: Që të mos e zgjasim me pyetje politike, ku do festoni, në shtëpinë tuaj?
Kryeministri: Dëshira e madhe dhe një tentativë që bëmë ishte që të festonim fundin e 2016-ës, që në fakt po ikën në mënyrën më të keqe të mundshme, sepse humba një nga njerëzit më të shtrenjtë, pavarësisht se nuk kemi pasur shumë marrëdhënie intensive vitet e fundit, Bujar Lakon dhe fillimin e vitit tjetër, që shpresoj në këtë aspekt të mos na ketë rezervuar lajme të tilla tragjike, në Kosovë, Prishtinë, kisha shumë dëshirë. Por mesa kuptuam, nuk është një traditë, siç është këtu, që në 31 festohet në një restorant, me njerëz, etj. Pra, deshëm ta festonim bashkë me Lindën në Kosovë, por nuk u bë e mundur. Kështu që do ta festojmë në shtëpi, ose mund të shkojmë rrotull, por këtu.
Fevziu: Faleminderit zoti Rama për intervistën!
Kryeministri: Sinqerisht gëzuar, çdo të mirë, mbi të gjitha, shëndet, pastaj tjerat vijnë vetë!
Fevziu: Gëzuar!