E ka nisur me dy fitore këtë edicion të “Vala Superligës” në Kosovë, ndërkohë që ka shëtitur në disa klube dhe kampionate me eksperiencën e tij. Ka veshur në 44 ndeshje fanellën e Kombëtares, ndërkohë që është rikthyer për të dhënë kontributin e tij në ekipin që e ka nisur këtë sport.
Debatik Curri, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ka rrëfyer emocionet e tij me Kombëtaren kuqezi si dhe momentet e veçanta si futbollist profesionist. Ka një vlerësim për momentin e shumëdiskutuar në takimin Francë-Shqipëri si dhe tregon votën e tij në lidhje me shiritin e kapitenit, në rast se do të vijonte të ishte pjesë e kuqezinjve. Si çdokush, edhe ai shpreh pengun e tij në karrierë.
Jeni rikthyer në Prishtinë për të vijuar karrierën në vendlindje…
Po, kam ardhur në këtë ekip për të mbyllur karrierën. Jo vetëm kaq, por duke qenë se është skuadra ime e zemrës, e kam ëndërruar gjithmonë që Prishtina të jetë ekipi im i fundit me të cilin do të luaj futboll.
A keni objektiva këtë sezon?
Dua që, ashtu si edhe Dallku, të ndihmojmë lojtarët e rinj dhe me eksperiencën që kemi t’u shërbejmë atyre për të bërë të mundur forcimin e ekipit dhe arritjen e titullit kampion në fund të këtij edicioni.
Krahas shumë kampionateve, keni qenë pjesë edhe e Kategorisë Superiore me Tiranën dhe Flamurtarin. Si i konsideroni këto dy vite?
Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë, si me Tiranën ashtu edhe me Flamurtarin. Kam kaluar dy vite shumë të mira, edhe pse në të dytin kam pasur disa dëmtime. Jam i kënaqur me veten time për atë që kam dhënë, por edhe me futbollin shqiptar në tërësi.
Cilin vlerësoni si momentin më të suksesshëm në karrierë?
Si çdo futbollist, edhe për mua ka pasur momente pozitive dhe të këqija gjithashtu. Sa i përket pyetjes, mund të veçoj momentin në Ukrainë kur kemi fituar edhe kupën kundër Shahtjor Doneckut. Gjithashtu, mendoj se me Kombëtaren ka qenë një eksperiencë shumë e mirë dhe kam bërë një karrierë pozitive me atë fanellë. Edhe me Vorsklën them që kam kaluar disa vite dhe ka qenë një periudhë që e vlerësoj shumë. Krahas kupës së fituar, kemi luajtur edhe në Europa Ligë, ndaj për mua kanë qenë sezone që do të mbeten të paharrueshme.
Në këtë kontekst, po momenti më i vështirë që keni kaluar?
Nuk mund të mos përmend dëmtimin në Turqi. Ishte hera e dytë për mua dhe m’u desh të përballesha edhe me fjalët që kisha thënë për veten në të shkuarën. Kur u dëmtova herën e parë, thashë që nuk do ta vazhdoja futbollin nëse më ndodh sërish. Për fat të keq ndodhi, por u forcova dhe u riktheva të luaj sërish.
Gjeta forca për ta harruar atë që kisha thënë dhe për të mos e mbyllur karrierën në atë mënyrë. Gjithsesi, si konkluzion mund të them që jam i kënaqur me atë çfarë kam arritur deri tani, pavarësisht se suksesi nuk ka fund asnjëherë…
Keni pengje në karrierë?
Po, e kam një. Peng më ka mbetur që nuk isha në Francë me Kombëtaren, duke qenë se isha pjesë e saj në ndeshjet e para kualifikuese të atij edicioni. Do të kisha dashur shumë të realizoja atë ëndërr. Megjithatë, paraqitja e skuadrës më kënaqi dhe u mjaftova me faktin që edhe unë kam qenë pjesë e atij ekipi që bëri të mundur arritjen e suksesit për të shkuar në Francë.
Ishit në Francë për të ndjekur nga afër Kombëtaren?
Jo, për fat të keq, nuk kam qenë. Kisha ftesën për t’iu bashkuar grupit të ish-lojtarëve të Kombëtares për të ndjekur takimin kundër Zvicrës në stadium, mirëpo kam pasur një problem dhe ishte e pamundur për mua për të udhëtuar drejt Francës.
Kjo nuk do të thotë që ju s’i keni ndjekur takimet nga televizori?
Absolutisht jo. I kam ndjekur me shumë emocion dhe kam bërë tifo për Kombëtaren. Jam shumë krenar për ata futbollistë, jo vetëm që kam qenë bashkëlojtar me ta në ndeshjet e para kualifikuese, por edhe për atë që kanë dhënë në fushë. Kanë bërë tri ndeshje thuajse perfekte dhe sipas meje ka qenë vetëm mungesë fati që ne nuk kemi marrë më shumë sesa vetëm tri pikë në fazën e grupeve.
Një moment është diskutuar shumë. Pësimi i golit të parë ndaj Francës. Sipas jush, si qendërmbrojtës, kush gaboi në atë moment?
Nuk kam dëshirë që të ketë një përgjigje të prerë për atë moment, pasi kur pësohet një gol, faj ka e gjithë skuadra. Kjo është filozofia e Kombëtares dhe e çdo ekipi. Megjithatë, për nga mënyra se si u vendos Veseli, besoj që nuk ishte në pozicionin e duhur. Megjithatë, pavarësisht se pësimi i golit në atë mënyrë ishte i rëndë dhe nuk e meritonim, nuk mund të kryqëzohet ai, pasi është futbollist i ri, pa shumë eksperiencë dhe që kishte vetëm pak sekonda që ishte aktivizuar. Gjithsesi, pas dëmtimit të Ajetit, trajnerit iu desh që të merrte një vendim.
Tre nga katër lojtarët që mbetën jashtë 23-shes për në Francë kanë braktisur Kombëtaren dhe kanë zgjedhur të luajnë me Kosovën. Si e komentoni këtë zgjedhje të tyre?
Kam parë dhe dëgjuar shumë në këtë periudhë në lidhje me këtë temë. Unë mendoj që është zgjedhje e gjithsecilit për të shprehur dëshirën që ka për të luajtur me një ekip të caktuar dhe nuk duhet komentuar kaq gjatë. Rashica, edhe pse një lojtar me perspektivë, nuk ka luajtur shumë me Shqipërinë dhe mendoj se do të ketë më shumë hapësirë për Kosovën. Ai ka parashikuar se mund të ketë më shumë shanse te Kosova dhe nuk mund të gjykohet për këtë. Meha është një lojtar që nuk ka qenë së fundmi pjesë e Shqipërisë dhe në këtë moment, nëse ai ka menduar që mund të ndihmojë sadopak Kosovën, atëherë ka bërë zgjedhje të mirë.
E njëjta situatë për Herolindin që me kuqezinjtë thuajse nuk ka luajtur fare. Nëse doni mendimin tim, nuk e shoh aspak problem, pasi për mua Shqipëria dhe Kosova janë një.
Ama, lojtarët janë vënë përpara një zgjedhjeje në këtë periudhë. Më lejoni t’jua bëj edhe juve këtë pyetje, cilën do zgjidhnit?
Nëse do të isha unë, nuk do ta kisha ndryshuar kurrë Kombëtaren shqiptare. Që kur kam qenë fëmijë, e kam mbrojtur këtë flamur dhe e kam dëshiruar gjithmonë, ndaj nuk do të kishte asnjë arsye që të më bënte të refuzoja flamurin kuqezi. Por, sepse gjithmonë ka një të tillë, nuk gjykoj askënd për vendimin që merr.
Sipas jush, a rrezikon që nga Shqipëria të largohen të gjithë ata lojtarë që do të jenë të pakënaqur dhe nuk do të gjejnë hapësirë?
Jo, nuk besoj. Nuk do të ketë problem. Megjithëse nuk jam unë ai që duhet të them nëse do të ketë të tjerë që largohen nga Kombëtarja, pasi ajo është zgjedhje personale e gjithsecilit, mendoj që nuk do të ketë më të larguar. Këta futbollistë që janë aktualisht pjesë e Kombëtares shqiptare, sipas meje, do të qëndrojnë aty.
Si e shihni Shqipërinë në këto kualifikuese?
Në një grup me dy skuadra si Spanja e Italia, nuk mund të mos thuash që është shumë e vështirë. Megjithatë, po kaq e vështirë ishte edhe në këtë edicion të Europianit dhe skuadra nuk do të jetë e dorëzuar në këto kualifikuese. Shqipëria do të luajë shanset e saj dhe duke nisur që nga sfida me Maqedoninë, të futet në fushë për të marrë maksimumin. Duke bërë këtë gjë, Shqipëria mund të përsërisë të njëjtën mrekulli. Futbollit asnjëherë nuk i dihet
Cana ka deklaruar tërheqjen nga Kombëtarja. Sipas mendimit tuaj, cili duhet ta pasojë si kapiten?
Ajo është diçka që zgjidhet mes grupit. Sa i përket votës sime, unë do t’ia kisha kaluar Mërgimit. Ai është një futbollist, i cili ka luajtur titullar thuajse në të gjitha ndeshjet. Është më i madh në moshë dhe ka shumë eksperiencë. Gjithashtu, edhe Hysaj e meriton për atë që ka bërë me kombëtaren si dhe sezonin e mirë me Napolin. Ndaj, është diçka që i mbetet trajnerit ta saktësojë.
Sa të vështirë do ta ketë Kosova që të përballet denjësisht në kualifikueset e para?
Shumë e vështirë, ku edhe sfida e parë do të luhet jashtë. Kosova është në një grup të vështirë dhe kjo, krahas rezultateve që mund t’i ketë jo të mira, do ta bëjë që të fitojë eksperiencën e nevojshme për vazhdimësinë. OLSI TUJANI