Disa ditë pas mbajtjes së referendumit në Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi ka komentuar rezultatin në “Opinion”. I ftuar në studion e “Neës 24”, deputeti Ben Blushi ka folur edhe për zhvillimet në Partinë Socialiste dhe planet e tij. Blushi ka përsëritur akuzat se procesi ishte manipuluar, dhe kutitë ishin mbushur paraprakisht. Këto akuza deputeti rebel i PSsë i mbështet në faktin se Edi Rama, kreu i PS nuk ka bërë asnjë ditë fushatë. “Nëse KQZ nuk shpall rezultatin zyrtar për çdo bashki dhe çdo kuti, si mund ta ankimosh. Ndaj po presim që KQZ i PS të nxjerrë rezultatin përfundimtar”. Deputeti thotë se ka prova që në referendum nuk kanë votuar më shumë se 40% e socialistëve dhe se kutitë janë mbushur.
Do ketë një kërkesë nga ana juaj për marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore, do kërkoni hapje kutish?
Qysh kur u stis ky referendum unë dhe shumë kolegë paralajmëruam se ishte ilegjitim dhe i panevojshëm. U krijua për të më hequr të drejtën e kandidimit. Ne morëm të gjithë hapat e mundshëm për ta kthyer mbrapsht. Po të ndiqej rregullorja edhe ajo thotë se nuk ka referendum 2 muaj para apo pas kongresit. Administrimi në referendum ishte shumë i keq, ishte i trukuar me qëllim. Dje për fat të mirë doli një provë publike e denoncoi emisioni “Stop” aty votuan njerëz që nuk ishin në listë, listat bëheshin me dorë, njerëz që votonin nga dy ose më shumë herë. Kemi prova që s’kanë votuar më shumë se 40% e listës së PS. Si ka mundësi për një çështje kaq të parëndësishme për PS, socialistët e dinin se Edi do ishte prapë kryetar, kush ishte arsyeja që u shkua në votim në masë 98%? Kutitë janë mbushur, pjesëmarrja ishte e ulët. Ne po presim që referendumi të ketë rezultatin final, që nuk e ka. Kush e shpall rezultatin partia apo KQZ? Edhe ne rastin e PS kështu është ka një komision zgjedhor që duhet ta shpallë, e shpall për çdo kuti. Rezultati për kuti nuk ka dalë. E dini pse? Sepse nuk kolaudohen shifrat.
A mendoni se drejtuesit e lartë të PS kanë qenë në dijeni të shkeljeve?
Kjo nuk diskutohet, është afërmendsh. Fakti që po i mbrojnë…Unë kam kërkuar të hapen kutitë e këtij referendumi. Çfarë ndodhi në këtë referendum. Unë dhe shumë kolegë kërkuam që ky referendum të vëzhgohej, kjo mundësi nuk na u dha.
Kemi të bëjmë me një situatë në PS, ku një pjesë e institucioneve nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave tuaja. Z. Ruçi tha se duhet t’i bëni kërkesat zyrtarisht dhe jo mediatikisht. A i keni bërë ju kërkesat zyrtarisht?
Po e marr një rast mediokër për një dyqan, i cili grabitet, kush e ka fajin ai që nuk u lejua të vëzhgojë apo ai që e grabit. Kjo ka ndodhur në referendum. Kam kërkuar zyrtarisht të ketë vëzhgues. Kam kërkuar fushatë. Unë nuk kam mundësi ta thërras Partinë Socialiste të Gjirokastrës dhe as të Sarandës por PS ka mundësi, kjo gjë nuk ka ndodh, nuk mu la. Rama shpikësi i këtij referendumi dhe nuk bëri 1 ditë fushatë. Pse? Sepse dinte rezultatin që shkroi në tavolinë. Dinte rezultatin final ndaj nuk kishte arsye të bënte fushatë. Kam pyetur pa pushim këto ditë, askush nuk e di. I patë pamjet në Stop. Ai pyeste çfarë duhet të bëj. Duhet të votosh ‘Po’ i thanë.
Qëndrimi ndaj Ruçit?
Unë nuk kam një problem themelor me PS, por me rilindjen, që është një grup uzurpues në PS. Ishin vartësa të kryeministrit që kërkoi referendumin. Debati im është me rilindjen. Ruçi është socialist i vjetër. Kam kërkuar për shkak se që nga Kongresi deri më sot nuk ka asamble apo kryesi në PS, nuk janë konsitutuar nga Kongresi. I vetmi që mblidhet është grupi parlamentar. Dhe kam kërkuar të më jepet mundësia të shoh kutitë dhe të shoh si zgjedhësit kanë votuar. Ka një listë zgjedhësish, e kush nuk ka emrin nuk voton. Për të vërtetuar që je ti duhet dokumenti i identifikimit. Dua listën e votuesve që është brenda çdo kutie. Kam mesazhe nga të gjitha rrethet që me thonë nuk kemi votuar, por e dimë se çfarë ka ndodhur. Janë shkruar emra me dorë, si dyqan bakalli.
Por Majko, Pëllumbi, janë rilindje apo PS?
Qeverisja e sotme është e djathtë, e majtë, apo një ditë ashtu një ditë kështu? E gjithë PS mban përgjegjësi nëse vendimet janë kolegjiale, por vendimet e fundit janë personale. Po shkojmë drejt një partie të privatizuar, ku një njeri i konsideron të tjerët të pabarabartë me veten. Ai thotë unë nuk zgjidhem dhe kam një mandat të përhershëm. Mënyra sesi funksionojnë partitë politike determinon mënyrën sesi funksionojnë institucionet në Shqipëri. Nëse partitë politike nuk janë demokratike, si mund të jetë Parlamenti. Në mënyrë ilegale është futur statut i ndryshuar në shtypshkronjë një natë para kongresit, që kreu i partisë jep dorëheqje vetëm kur partia që i drejton del parti e dytë në zgjedhje. Pra ai kërkon ta lërë vetën në krye të PS edhe nëse fiton edhe nëse humb. Se PS del parti e parë në zgjedhje jo prej Ramës, porpër arsye se është PS, Rama kështu e gjeti kështu do ta lërë. Sa për Majkon dhe Pëllumbin, nuk dua t’i ndaj njerëzit në ekipe,. Ata janë socialistë, edhe nëse dikush nuk ndan të njëjtin mendim me mua, nuk do të thotë se kanë ndonjë gjë.
A nuk vërtetoni akuzat e Ramës se po përpiqeni të rrëzoni qeverinë?
Unë nuk jam në opozitë dhe nuk kam ndërmend të rrëzoj qeverinë. Kam folur për të rrëzuar një metodë qeverisje që është e padrejtë. Në 3 vjet nuk ka dhënë rezultatet që prisnim. Ekonomia nuk është rritur, borxhi është rritur, papunësia është rritur, performanca e administrates publike shumë e dobët, monopolet nuk po luftohen. Kam thënë se kjo metodë , kjo mënyrë drejtimi duhet të ndryshojë. PS ka ardhur në pushtet me një program tjetër. Diferenca ka qenë e qartë dhe në një mbledhjet e fundit. Unë jam për Shqipërinë ata janë për partinë. Pra, nëse Shqipëria është keq pavarësisht se kush e drejton, Saliu apo Rilindja unë nuk duhet ta them?
N.q.s sot borxhi shkon nga 65% në 74% duhet të them që është ulur?
Për këtë arsye them se duhet ndryshuar metoda. Përse doja të kishte garë në PS. Doja të kishte garë idesh. Sot ka nevojë për disa ndërhyrje emergjente në ekonomi, që qeveria e rilindjes nuk i pranon. P.sh ne duhet të shkojmë në një sistem të ndryshëm taksash. Unë them se duhet të ulur prodhimi dhe rritur konsumi, kemi deflacion. Nëse kemi deflacion, vendet e punës rrezikohen. Duhet të shtojmë konsumin, duhet të rrisim pagat, të rrisim pagat minimale. Ne nuk jemi në 3 muajt e parë të qeverisë dhe tendenca nuk duket. Ne kemi hyrë në vitin e fundit. Qeveritë bëjnë reforma në 3 vitet që t’i korrin në vitin e fundit. Ku janë frytet?! Ka një parim universal për çfarë bëhen zgjedhjet? Votojnë për të shkuarën apo për të ardhmen. Edi Rama thotë votojnë për të shkuarën. Meqë keni votuar në 2013 për mua unë do jem edhe në të ardhmen. Për këtë është edhe debat i madh në Francë. I kërkohet presidentit Hollande që të shkojnë në zgjedhje primare, sepse besojnë se me atë kandidat nuk i kanë të sigurta rezultatet në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë erozion demokratik, zgjedhjet e ardhshme nuk janë të sigurta. Kjo mu mohua.
Në PS zyrtare nuk gjeni mbështetje?
Këtë se pranoj. Në grupin parlamentar, Tahiri, Fino janë në kundërshtim me ju dhe deputetë të tjerë. Duket se Rilindja e kontrollon situatën në PS.
Takimet tuaja nuk kanë qenë aq masive. E pranoni që jeni pakicë?
Unë e pranoj që jam pakicë në ditën që jam votuar. Kam kërkuar të ketë votim me emra.
Çfarë mënyrash të tjera mund të ketë, për të pasur rezultat?
Kam mbështetur disa parime dhe këto parime janë të provuara. Që referendumi ishte i trukuar, kjo u provua dhe në ditët në vijim do provohet më shumë. Nëqoftëse hapen kutitë, atë listën në Kamzë, do shkoj në Kamzë tek sheshi i Kamzës t’i pyes ata njerëz a keni votuar. Mua më rezulton që ata nuk janë socialistë fare, janë demokratë që kanë vajtur për t’i bërë qejfin komisionerit. Kush janë këta që më kundërshtojnë mua hapjen e kutive, ata që u futën në grevë urie për hapjen e kutive nga Saliu. Ku është principi këtu? Janë parime këto që mbroj unë, pa parime shoqëria jonë do mbetet në batak.
Sa i takon reformës në drejtësi, a duhet të shkrihet Parlamenti sapo të miratohet?
Unë nuk e kam thënë këtë gjë. Kur fola për referendumin thashë se ky është i panevojshëm, dhe thashë nëse do bëhej një referendum le të bëhej për reformën në drejtësi. Dhe nuk e kam vetëm për këtë referomë, por kam në përgjithësi. Ka ardhur koha që t’i delegohen ca më shumë të drejta qytetarëve shqiptarë. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin më shumë vendime për ne. Dhe kështu mund të vendosin ata në mënyrë direkte. Unë jam më shumë pro demokracisë direkte, sesa asaj me përfaqësim. Çfarë na delegojnë shqiptarët ne që të votojmë. Për mua Reforma në Drejtësi ishallah kalon që nesër, do ta votoj. Ballist Morina u kap në flagrancë me një armë pa leje dhe u arrestua me aq sa i takoi, ndërsa kur një deputete kapet në flagrancë me një armë thuhet se kjo nuk është armë. A mendoni se kjo është drejtësi. Kështu drejtësia ndëshkon të varfrit dhe mbron politikanët. A është kjo drejtësi? Deri më sot kjo garanci nuk po jepet, dhe shqiptarët ende nuk e dinë qartë se çfarë do të rregullohet. Perceptimi i përgjithshëm është se palët politike po fitojnë kohë pr të negociuar, për një reformë që mos t’i prekë ata vetë.
Sa i takon qëndrimit të PD?
PD po e shtyn procesin për të negociuar pamundësinë e reformës në drejtësi. Po gjen pretekste që nuk kanë lidhje.
A po zbatohet ligji për dekriminalizimin?
Nuk është zbatuar. A ka dalë njeri nga parlamenti si efekt i ligjit? A ka lënë detyrën ndonjë drejtues bashkie? A është larguar nga puna ndonjë nga administrata? Por ligji hartohet por nuk zbatohet.
A keni ndonjë mendim në lidhje me propozimin për të futur fenë në shkolla?
Ky nuk është debat themelor. Dhe kushdo që e bën nuk është se është kryesore. Shkollat tona janë të dobëta, nuk ka mundësi të mira arsimimi, ka mediokritet nëpër shkolla, ka mungesë kushtesh. Dhe ndaj them se problemi nuk është te kultura fetare. Kushdo që është future në këtë rrugë po ndjek një gjë pa lidhje që nuk ka për të ndodhur kurrë. Sistemi ynë nuk reformohet nëse futet apo jo feja në shkolla. Sistemi unë duhet reformuar padyshim. Nëse ka një lëndë që duhet te futet në shkollat tona është shkenca.
A mund të mërziteni ju me partinë tuaj një ditë?
Çdo gjë ndryshohet, vjetërsohet por parimet mbeten, ato vazhdimisht duhet të përsosen. Nuk jam me dilemën që të rri apo të iki.
A do krijoni partinë tuaj?
Nuk jam në një moshë që më thërret në emergjencë. Nuk është betejë për veten time. Unë mund ti kisha zgjidhur çështjet e emocioneve të mia në një mënyrë tjetër. Kjo është dita kur ti ke një detyrim publik nëse me duhet të zgjedh mes Shqipërisë dhe partisë. Në 25 vjet Shqipëria ka prodhuar 1 milionë emigrantë, asnjë popull nuk ka prodhuar kaq shumë sa Shqipëria. Kjo tregon se partitë shqiptare kanë shkuar pas interesave të tyre. Për interesat e PD ndodhi 1997, sepse Shqipëria pati krizë ekonomike. Nëse Shqipëria do ishte vend i lire partia e Saliut nuk do shkonte në dhunë reale. Ndaj them se në 25 vjet partitë i kanë shërbyer vetes. Unë kam vendosur të mos e ndjek këtë rrugë.
Libri juaj titullohet letër një socialisti jo një anëtari të Partisë Socialiste…
Ai përbëhet nga 10 letra që i kam përmbledhur në disa propozime që i japin frymë ekonomisë. Propozoj një paketë dinjiteti, pasi kemi 400 mijë vetë që jetojnë me 40 dollarë në muaj. Shoqërisë sonë i takon të heqë diçka nga vetja, duhet pak më shumë arsim që të kenë mundësi të paguajnë energjinë elektrike, të vaksinohen dhe blejnë ilaçe..propozoj dyfishim të asistencës sociale. Për Ramën këta quhen parazitë, por për mua janë njerëz në nevojë. Kam një propozim për rritjen e pagës minimale. Punëtorët punojnë në kushte mjeruese. Nuk e kemi pagën minimale më të ultën në Evropë por më të ultën në rajon. Kam kërkuar që ajo të rritet, kjo kërkon ndërhyrje në sistemin tonë të pagave. Nëse ne bëjmë reformë pagash kjo mundësi ekziston në buxhetin tonë, siç e dimë është 400 milionë euro gropa në buxhet. Administrata nuk performon siç duhet. Nga gjithë kjo gjë që humbim nëse ia japim njerëzve për paga nuk do kemi këtë deficit që kemi, nuk do kemi këtë ulje konsumi në nivel drastik. Në 20 vjet shqiptarët nuk kanë pasur asnjëherë kaq pak lekë për të shpenzuar. Do duhet të ndërmarrim politika kundër shpopullimit se njerëzve i ka humbur besimi, duan që fëmijëve të tyre tu japin një fat më të mire.
Marrë nga Balkanweb.com