Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës në lidhje me rrugën Thumanë-Kashar.
Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Balluku tha se sot Shqipëria ka nisur ta ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat e BE.
Sipas Ballukut, nuk ka pasur asnjë ndryshim të projektit të rrugës Thumanë-Kashar.
“Kur flitet për autostrada Ministria e Infrastrukturës dhe Eenergjisë dhe qeveria shqiptare sot mund të shprehen krenarë se Shqipëria ka filluar të ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat e BE. Duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria kryeson listat e destinacioneve turistike si një nga vendet me interesin më të madh të të huajve. Infrastruktura është një nga kolonat mbajtëse të zhvillimit ekonomik të vendit e sidomos turizmit që sot është kontributor kryesor në ekonominë e vendit.
Thashë që për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore dhe për të ruajtur nivelin e certifikimit të rrugës ka pasur ndërhyrje të shumta të cilat kanë qenë publike, kanë qenë transparentë. Ky është projekt i dezinjuar nga WBIF. Ka qenë një projekt që është ndarë në forume të ndryshme dhe nuk ka qenë i fshehtë për askënd. Megjithatë duhet thënë që 4 nyje Thumanë-Kashari nuk i ka pasur, e nderuar. Thumanë-Kashari ka dy nyje që janë pjesë e projektit. Pjesë e studimit kanë qenë 3 nyje dhe ajo e Gramëzës. Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar i miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH. Bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe hyrjen e Kasharit. Ajo nyje që do zgjidhë problemin e Thumaëns, e si rrjedhojë Fushë Krujë dhe Krujës është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë. Pra nga Thumana në Milot dhe është vetëm 4 kilometra larg mbikalimit ekzistues sot, sepse ka një mbikalim në Gramëz. Ky i fundit për t’i dhënë një zgjidhje provizore”, tha Balluku.