Kryesore

Integrimi/ Majlinda Bregu: Të rinjtë po braktisin rajonin…


               Publikuar në : 09:49 - 17/01/20 |
Opi Nion

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ditën e sotme është e pranishme në Konferencën e 16-të parlamentare rajonale për integrimin evropian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore.

Bregu u shpreh në fjalën e saj se një nga problemet më të cilat po përballet rajoni është dhe zhvendosja e popullsisë, ku sipas saj 1/3 e qytetarëve janë larguar.

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ka deklaruar se kjo dukuri nuk vjen në rënie dhe “se 23% e të rinjve në rajon për momentin s’janë as në punë, as në shkollë as duke u trajnuar.”

Bregu ka thënë gjithashtu se; “61% e të rinjve në rajon janë pro integrimit evropian dhe shpresojnë se do i ndryshojë jetën, por 61% e tyre janë gati të largohen nga vendi i tyre nëse kjo gjë nuk ndodh.”

Pjesë nga fjala e Majlinda Bregut

Ajo që do dëgjoni janë kambana e alarmit e asaj që perceptojnë vetë qytetarët në rajon. Jemi në presion të jashtëzakonshëm të zhvendosjes së popullsisë nga rajoni i Ballkanit. Deri tani 1/3 është larguar. Por nuk është dukuri që vjen duke rënë. 23% e të rinjve në rajon për momentin s’janë as në punë as në shkollë as duke u trajnuar. Një shifër e konsiderueshme po të mendosh për atë çfarë do ndodhë për pak vite duke marrë parasysh mbushjen e administratës publike… Alarmante janë shifra të tjera ku të rinjtë në rajon në mënyrë të çuditshme bashkojnë bashkë dy shifra që për ne ishin gati surprizë me një saktësi matematikore të çuditshme. 61% e të rinjve në rajon janë pro integrimit evropian dhe shpresojnë se do i ndryshojë jetën. Por 61% e tyre janë gati të largohen nga vendi i tyre nëse kjo gjë nuk ndodh. Është analogji për të kuptuar se sa lart pritshmëria për integrimin dhe për të ndryshuar vendet tona dhe si qëndron ajo në raport për tu larguar nga vendet nëse ky ndryshim nuk ndodh./ Opinion.al

Pas