Vetëm në 1 vit, institucionet publike dhe kompanitë që janë në pronësi të shtetit kanë krijuar 58 milionë euro borxhe ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.
Edhe pse 2 vite më parë, me anë të një vendimi, qeveria bëri shlyerjen e të gjitha borxheve që sektori publik kishte për faturat e papaguara të energjisë, kjo nuk ndali krijimin e detyrimeve të reja.
Në listën e kompanive publike dhe institucioneve, të cilat janë debitorë ndaj OSHEE-së, dominojnë bashkitë dhe ndërmarrjet e ujësjellsave, një pjesë e mirë e të cilave sot ndodhen në vështirësi financiare.
Nisur nga kjo situatë, Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka firmosur një udhëzim drejt Thesarit të Shtetit ku ndalon çdo degë të kësaj Drejtorie që të kryejë pagesa apo transaksione me subjekte që janë në listën e debitorëve ndaj OSHEE-së.
Në rast të kundërshtimeve thotë udhëzimi, njësia shpenzuese duhet të rakordojë shlyerjen e borxheve me OSHEE-në dhe më pas të vijojë marrëdhënien normale të pagesave.
Prerja e fondeve nga buxheti i shtetit penalizon bashkitë dhe institucionet e tjera në kryerjen e projekteve infrastukturore dhe marrjen e fondeve për pagesa të mallrave dhe shërbime të rëndësishme në funksionimin e tyre.