Gjatë 5 muajve të parë të këtij viti, rreth 623 mijë të huaj janë akomoduar në hotele dhe struktura të ngjashme pritëse.
Në krahasim me po të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i vizitorëve jorezidentë është rritur me 29.5%.
Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se gati 40% e totalit të vizitorëve të huaj në struktura akomoduese i përkasin muajit maj, kohë kur në vendin tonë u zhvillua ngjarja sportive “Giro d’Italia” si dhe ajo politike, Samiti i Komunitetit Politik Evropian.
Strukturat akomoduese në maj shënuan një rritje të vizitorëve jorezidentë prej 36.6%, ndërsa netqëndrimet u rritën me 35%.
Konkretisht, pati mbi 243 mijë vizitorë jorezidentë, nga 179 mijë që u regjistruan në majin e vitit të kaluar.
Pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj në muajin maj kanë zgjedhur të qëndrojnë në rajonin qendror të vendit, me Tiranën që është kthyer në një destinacion gjithëvjetor.
Shumica e tyre ishin nga Kosova (15%), Italia (13%) dhe Gjermania (9%), pasuar më tej nga Polonia dhe Franca.
Këto të dhëna, sipas INSTAT, reflektojnë prirjen e rritjes së turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele në maj arriti në 28.7%, krahasuar me 25.1% në maj 2024.
Tv Klan