Gratë në Shqipëri janë më të kualifikuara, por janë më pak të paguara se burrat. Studimi më i fundit i Institutit të Statistikave hedh dritë mbi ndryshimet gjinore në Shqipëri.
“Po të hedhim një vështrim të diferences që kanë burrat dhe gratë në paga në Shqipëri vërejmë se hendeku gjinor është 6,3 % në favor të meshkujve që do të thotë se gratë paguhen mesatarisht sa 93,7 % të pagës së burrave”, deklaroi Delina Ibrahimaj, drejtoreshë e përgjithshme e INSTAT.
Burrat janë më aktivë në tregun e punës, me një pjesëmarrje prej 74 për qind. Kurse pjesëmarja aktive në forcat e punës për gratë është në nivelin 59.3%. Kjo lidhet, sipas INSTAT, me pjesëmarrjen e tyre në aktivitetin shtëpiak.
“Nga pikëpamja e inaktivitetit, 21.5% e grave deklarojnë se janë inaktive në tregun e punës, duke qenë se janë duke përmbushur detyrat shtëpiake dhe vetëm 1% e burrave e deklarojnë këtë si shkak inaktiviteti”, tha Ibrahimaj.
Sipas Institutit të Statistikave, gratë në Shqipëri kanë një jetëgjatësi prej 3 vjet më të madhe se burrat. Nga ana tjetër mosha mesatare e martesës për gratë është 25.1 vjeç dhe 30.4 për burrat.
Duke e krahasuar me 10 vite më parë, kjo moshë ka ardhur në rritje për të dy gjinitë, por duke ruajtur një diferencë prej 5 vitesh.
Burimi: Top Channel