Femrat që pësojnë një infarkt (dhe kanë dhimbje në gjoks) presin më shumë se meshkujt për të lajmëruar urgjencën, mesatarisht edhe 37 minuta më shumë. Lajmin e bën të ditur një kërkim i publikuar në European Heart Journal, e realizuar nga Matthias Meyer, kardiolog në Triemli Hospital, të Zyrihut.
Femrat dhe meshkujt kanë një rrezik të ngjashëm për infarkt edhe pse për femrat rreziku shtohet pas të 50-ave (pas menopauzës).
Edhe simptomat mund të jenë të ndryshme, sepse femrat shpesh herë mund të kenë dhimbje në shpinë, në shpatulla, dhimbje stomaku në vend të dhimbjes klasike në gjoks dhe në krahun e majtë.
Ekspertët kanë studiuar 4360 raste infarkti( 967 femra dhe 3.393 meshkuj) gjatë periudhës nga 2000-2016.
Gjatë studimit të rasteve është zbuluar që femrat presin 37 minuta më shumë se meshkujt përpara se të kontaktojnë shërbimet shëndetësore.
Dhimbja në gjoks bën që meshkujt të kërkojnë menjëherë ndihmë, por kjo nuk ndodh për femrat. ’Duket që femrat kanë më pak gjasa të mendojnë që bëhet fjalë për një sulm në zemër kur kanë një dhimbje në gjoks, ndryshe nga meshkujt që kërkojnë një ndërhyrje urgjente’, shpjegon Meyer.