Ndërsa aktorë të shoqërisë civile kanë deklaruar se edhe opozita po hesht qëllimisht për ligjin e importit të mbetjeve që pritet të votohet të enjten në Parlament, ka ardhur një nga reagimet e para kritike për ligjin, nga rradhët e demokratëve.
Mimoza Hajdarmataj, anëtare e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, në të cilin është trajtuar drafti, e quan një ligj të cunguar, korruptiv dhe klientelist.
Hajdarmataj akuzon tre deputetët e majtë që hartuan ligjin si deputetë të kapur, të një parlamenti që është në duart e mafies dhe krimit, ndërsa thotë se me këtë ligj kolegët e saj kanë shkelur praktikat parlamentare.
Këta deputetë sipas Hajdarmatajt nuk kanë marrë në konsideratë shqetësimin e ambientalistëve, mendimin e ekspertëve dhe shoqërisë civile.
Pak orë më parë, ishte ish-kryeministri Sali Berisha ai i cili deklaroi se për miratimin e këtij ligji Kryeministri Rama kamarrë 4 milion euro rryshfet nga industria e mbetjeve.