Imami i vetëshpallur i xhamisë së fshatit Kastriot në Dibër, Xhezair Fishti një nga katër të arrestuarit si pjesë e celulës së ISIS në Shkodër rezulton të ketë qenë i arrestuar në Egjipt tre vite më parë. Fishti ka qenë i ndaluar gjatë protestave të organizuara pas rënies së presidentit Mohamed Morsi.
Por ai është lënë i lirë, pas verifikimeve të kryera. Aktiviteti i Fishtit në Egjipt është me interes edhe për hetimin që po kryhen në Shqipëri.
Për këtë arsye Interpol Tirana i ka kërkuar informacion të detajuar Interpol Kajros mbi aktivitetin e Xhezair Fishtit në Egjipt. Arsyet pse u prangos dhe lidhjet e tij me persona të dyshuar se kanë lidhje me shtetit islamik.
Në sitën e hetuesve do të kalojnë dhe hyrje-daljet e kryera në vendet e tjera të Fishiti, të cilat kanë që të shumta gjatë tre viteve të fundit.
Prokuroria për krimet e rënda që po heton këtë dosje po verifikon të gjitha hyrje-daljet jashtë vendit edhe për tre të ndaluarit e tjerë Bekim Protopa, Medat Hasani dhe Ergys Faslia.
Ndërkohë hetuesit shqiptare po bashkëpunojnë ngushte me ata kosovarë pasi aktiviteti kryesor i celulës ka qenë në Kosovë ku pati 18 të prangosur. Sulmi dyshohet se do organizohej dhe kryhej nga shtetas kosovar, ndërsa 4 të arrestuarit në Shqipëri kishin për detyrë t’i shoqëronin.
Celula nuk konsiderohet ende e shkatërruar pasi ka dyshime se ka edhe të tjerë persona të cilët janë aktivë që janë ende të lirë.