Lirimi i hapësirave publike është bërë tashmë kryetema e pushteteve vendore në vend, teksa IKMT-të kanë ndërmarrë aksione për vënien në funksion të dikurshëm të këtyre hapësirave.
Kështu ka ndodhur dhe tek ambientet e jashtme të stadiumit Air Albania, e cila është rrethuar nga lokale dhe restorante që kanë zaptuar një pjesë të mirë të hapësirës publike.
Në këtë zonë, ndodhet IKMT-ja, por dhe policia, e po punohet për lirimin e hapësirave publike të zëna nga bizneset e stadiumit.
Duket se pronarët e bizneseve janë bashkëpunues, teksa disa prej tyre po çmontojnë vetë strukturat, apo dhe zhvendosin tavolinat e karriget e vendosura në pjesën e jashtme.
Kjo zonë prej vitesh ka pasur biznese, të cilat kishin zënë me tavolina një pjesë të mirë të hapësirave të jashtme të stadiumit, duke bërë që të mos mungojnë edhe ankesat e qytetarëve.
Deri më tani, sakaq, nuk ka pasur ndonjë incident apo përplasje verbale mesa bizneseve, IKMT-së dhe uniformave blu.
Nga ana tjetër, pritet që aksioni i IKMT-së në këtë zonë të përfundojë brenda mbrëmjes së sotme, raporton gazetari Maksi Rama.
Kreu i qeverisë, prej disa ditësh u është bërë “xhandar” të gjithë bizneseve që kanë zënë padrejtësisht hapësirat publike. Në këtë mënyrë, me urdhër të Ramës, nisi dhe aksioni i IKMT-ve në vend për lirimin e këtyre hapësirave. Kemi parë tashmë që hapësira të cilat u takojnë qytetarëve, janë rikthyer e një herë në funksionin e tyre primar.
Në kryeqytet, bizneset janë treguar bashkëpunuese, duke shmangur kështu edhe masat administrative të bëra të ditura pak ditë më parë nga kryeministri Rama. Për këtë vendim të qeverisë, qytetarët shprehen se janë plotësisht dakord dhe madje e konsiderojnë si një hap të vonuar.
E njëjta gjë ndodhi dhe në zonën e Thethit, ku u shembën rreth 70 struktura pa leje, që kishin zaptuar hapësirën publike. Ky aksion i IKMT-së soli reagim të ashpër të pronarëve të këtyre strukturave si dhe të banorëve të zonës, por brenda një jave u kompletua i gjithë operacioni i shembjeve.
Sakaq, aksioni po vijon në të gjitha qytetet e vendit.