Policia ka vënë në pranga një 36-vjeçar, pasi ishte i dënuar nga Gjykata e Tarraganos për trafikim droge, në kuadër të një organizate kriminale.
Policia bën me dije se Spartak Suca u arrestua në Shkodër, me qëllim ekstradimin në Spanjë.
“Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Operacionalja 21”. I akuzuar në Spanjë, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin, 36-vjeçari.
Si rezultat i koordinimit të informacioneve dhe veprimeve operacionale, me homologët e Policisë spanjolle, në kuadër të operacionit policor “Operacionalja 21”, u lokalizua në Shkodër, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. S., 36 vjeç, i lindur në Shkodër.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar sepse Gjykata e Tarragonas i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Madridin, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e shtetasit S. S”, njofton policia.