Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka liruar nga qelia ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka pasi kanë kaluar afatet e paraburgimit.
Koka u arretua qe prej dhjetorit 2021 i akuzuar shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash lidhur me aferat korruptive për Inceneratorin e Fierit. Sipas akuzave të SPAK, për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.
GJKKO ka shuar dhe masën e sigurisë “arrest me burg” për Inceneratorin e Fierit, ndërsa çështja është kthyer për rigjykim në Apelin e Posaçëm nga Gjykata e Lartë.
Në korrik të këtij viti, Koka fitoi të drejtën e lirimit me kusht nga Gjykata e Durrësit për inceneratorin e Elbasanit, ku u dënua me 6 vite e 8 muaj burg me gjykim të shkurtuar.
Për inceneratorin e Fierit, Koka është dënuar në shkallë të parë me 6.8 vite, ndërsa për të Tiranës u dënua me dy vite. Për Tiranën, mori shuarje të masës së sigurisë arrest në burg pasi dënimi i marrë me 2 vite burg për “shpërdorim detyre” në shkallë të parë është ezauruar me paraburgim.

















