Rritja e numrit të viktimave dhe rasteve të reja me COVID-19, ka detyruar qeverinë italiane të fus në fuqi masat e reja kufizuese.
Sipas urdhrit të qeverisë, nga kjo e hëna e deri pas festës së Pashkëve është limituar qarkullimi i qytetarëve, baret dhe restorantet janë mbyllur dhe operojnë vetëm me shërbimin me dërgesa, ndërsa hapur mbesin supermarketet, furrat e bukës, farmacitë, stacionet e karburantit dhe disa aktivitete të tjera biznesi.
Ashpërsimi i masave futi në izolim total kryeqytetin financiar italian, teksa rajoni i Lombardisë, ku bën pjesë Milano, u konsiderua zonë e kuqe për shkak të përhapjes së lartë të Covid-19.
E njëjta situatë edhe në rajonin Lazio, ku bën pjesë dhe kryeqyteti i Romës. Rrugët kryesore dhe atraksionet turistike u mbyllën, ndërsa në fuqi hyri një izolim total, masë e cila u mirëkuptua nga kryeqytetasit.
Shkollat janë mbyllur në të gjitha rajonet e konsideruara zona të kuqe, ndërsa në ato portokalli, mësimi zhvillohet me alternime. Sardenja përjashtohet nga të gjitha kufizimet e reja pasi konsiderohet zonë e bardhë. Në atë rajon, lejohen zhvendosjet e qytetarëve dhe mbesin hapur të gjitha dyqanet, baret dhe restorantet deri në orën 23:30 kur nis ora e karantinës deri në 5 të mëngjesit./ Opinion.al